Kosova dhe Izraeli, sipas marrëveshjes të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, kanë zyrtarizuar sot njohjen reciproke.
Përmes një ceremonie virtuale, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi, kanë nënshkruar dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, për të rritur bashkëpunimin në shumë fusha.
Dokumenti është nënshkruar në katër kopje, në gjuhën shqipe, angleze, hebreje dhe serbe.
Dy ministritë kanë nënshkruar memorandum edhe për konsultime politike dhe memorandum për bashkëpunim zhvillimor.
Ministri izraelit, Ashkenazi e cilësoi nënshkrimin e këtij dokumenti si moment “historik”.
“Sot po bëjmë histori. Po vendosim marrëdhënie diplomatike ndërmjet Izraelit dhe Kosovës, një moment që është pritur nga shumëkush. Kjo është hera e parë që marrëdhëniet diplomatike po vendosen përmes Zoom-it. Sot ne kemi mundësi që të rrisim bashkëpunimin me popullin e Kosovës, me të cilin kemi marrëdhënie të ngrohta dhe miqësore”, tha ai.
Ministri izraelit falënderoi Shtetet e Bashkuara për ndihmën që i ka dhënë Izraelit për të vendosur marrëdhënie me shtetet që deri nuk ka pasur raporte diplomatike.
“Vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën është një hap i rëndësishëm”, theksoi.
Ndërkaq, minstrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Haradinaj-Stublla, tha se pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, vendosja e marrëdhënieve diplomatike nuk do të ishte e mundur.
“Vendosja e këtyre marrëdhënieve diplomatike nuk do të ishte e mundur pa bekimin dhe përkushtimin e fuqishëm të Shteteve të Bashkuara”, tha Haradinaj-Stublla
“Kosova ka pritur për një kohë të gjatë që të vendosë marrëdhënie diplomatike me Izraelin. Sot, Izraeli bëhet shteti i 117 që e njeh Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran. Njerëzit tanë kanë marrëdhënie miqësore dhe nga sot ne nisim marrëdhënie si dy shtete”, shtoi ajo.
Haradinaj-Stublla tha se vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Izraelin forcon subjektivitetin ndërkombëtar dhe hap horizonte të reja për Kosovën.
Në dokumentin e nënshkruar të dyja shtetet zotohen që të bashkëpunojnë në shumë sfera.
“Të udhëhequr nga vullneti i përbashkët për të promovuar dhe forcuar lidhjet miqësore, si dhe për të zgjeruar horizontet e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe bazuar në parimet universale të ligjit ndërkombëtar; duke riafirmuar përkushtimin e përbashkët për të forcuar bashkëpunimin e frytshëm në sferën politike, ekonomike, të tregtisë, teknike e kulturore dhe në sfera të tjera të interesit të përbashkët, (Kosova dhe Izraeli) kanë vendosur që të themelojnë marrëdhënie diplomatike në nivel ambasadorësh”, thuhet në dokumentin të cilin e nënshkruan kryediplomatët e Kosovës dhe Izraelit.
Dokumenti i nënshkruar për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike u nënshkrua në katër kopje: në gjuhën shqipe, angleze, hebreje dhe serbe.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin, Matthew Palmer.
Në dokument po ashtu thuhet se aspektet teknike të këtij vendimi, përfshirë edhe akreditimin e ambasadorëve respektivë “do të jenë objekt i diskutimeve të mëtejme përmes kanaleve normale diplomatike”.
Ambasadorja e Kosovës në Izrael do të jetë Ines Demiri, e cila më 2020 ishte emëruar e ngarkuar me punë në po këtë shtet.
Gjatë ceremonisë, në mënyrë simbolike u zbulua edhe pllaka që do të vendoset pranë amabasadës së Kosovës në Jerusalem.
Dy ministritë po ashtu nënshkruan memorandum për konsultime politike dhe memorandum për bashkëpunim zhvillimor. Që të dy këto memorandume ishin të shkruara në gjuhën angleze.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka mirëpritur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit.
“Marrëdhëniet ndërmjet dy popujve tanë kanë qenë historikisht të fuqishme e të bazuara në solidaritet dhe miqësi. Akti i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike hap rrugën për thellimin e bashkëpunimit dypalësh ndërinstitucional si dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët”, tha Osmani përmes një deklarate për media.
Njohësit e çështjeve politike, Artan Muhaxhiri dhe Donika Emini, thonë se vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Izraelit do të ndikojë në konsolidimin e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare, në procesin e njohjeve të reja dhe anëtarësimin e saj në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Ata po ashtu shtojnë se hapja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, mund të prodhojë reagime.
Njohja reciproke mes Kosovës dhe Izraelit është pjesë e marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova po ashtu është zotuar se do të hapë misionin e saj diplomatik në Jerusalem, kurse Serbia është zotuar se do ta zhvendosë ambasadën e saj ekzistuese në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem.
rtk