Kosova dhe MCC diskutojnë për zbatimin e marrëveshjes së re për energjinë

Sarah Olmstead MCCNjë delegacion i Korporatës amerikane Sfidat e Mijëvjeçarit, diskutoi të martën me autoritetet në Prishtinë mbi zbatimin e programit 202 milionë dollarësh të kësaj korporate për energjinë, i cili u miratua ditë më parë. Programi 5 vjeçar parasheh investime në infrastrukturën energjetike.

 

Drejtoresha për Kosovën e Korporatës amerikane, Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), Sarah Olmstead, tha të martën se programi prej 202 milionë dollarësh i miratuar ditë më parë me qeverinë e Kosovës, po ndodh në kohën e duhur kur bota po përballet me krizë energjetike, të nxitur edhe nga agresioni rus në Ukrainë.

Ajo i bëri këto komente pas takimit të bordit të kësaj korporate me autoritetet në Prishtinë.

“Të gjithë e dimë se sektori i energjisë në Kosovë dhe në tërë rajonin është në një situatë mjaft të vështirë, për shkak të krizës me energjinë në Evropë dhe luftës, prandaj do t’u bëja thirrje të gjithëve që të shfrytëzojnë këtë moment dhe të punojnë së bashku për të përshpejtuar procesin e përfitimit që do të kenë njerëzit në Kosovë nga ky investim”, tha ajo.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ky program paraqet investimin më të madh në historinë e Kosovës, që sipas saj edhe një herë dëshmon për partneritetin dhe miqësinë e thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ky program do të sjellë në Kosovë rezerva të energjisë nëpërmjet baterive të kapacitetit të lartë, rreth 347 megavat orë rezerva, të cilat do të kryejnë funksionin e stabilizimit të frekuencave të rrjetit si dhe shfrytëzimit të energjisë së ruajtur gjatë natës – në orët më të ngarkuara gjatë ditës, që do të thotë ulje të importit të shtrenjtë të energjisë”, tha zonja Rizvanolli.

Ajo tha se programi do të përqendrohet edhe në zhvillimin e shkathtësive të fuqisë punëtore, posaçërisht grave, ndërsa do t’ia kursej Kosovës rreth 15 milionë euro në vit.

“Programi kompakt do të mundësojë një tranzicion të shpejtë dhe të drejtë energjetik në Kosovë në një të ardhme me energji të ripërtërishme. Strategjia e energjisë, siç e dini, parasheh instalimin e së paku një mijë 400 megavatëve kapacitete të energjisë diellore dhe të erës të cilat do të kyçen në rezerva për t’u shfrytëzuar në kohërat kur nuk kemi diell ose erëra të mjaftueshme, me anë të baterive që do t’i blejmë përmes këtij programi”, tha ajo.

Zonja Olmstead, tha se përfshirja e grave në sektorin e energjisë dhe në përgjithësi në tregun e punës në Kosovë është shumë e rëndësishme.

“Mendoj se nuk është befasi për askënd këtu që Kosova ka një ndër shkallët më të ulta në botë të pjesëmarrjes së grave në tregun e punës, dhe luftimi i pengesave që po i mbajnë gratë jashtë tregut të punës është shumë me rëndësi, në mënyrë që t’u mundësohet të gjithëve të përfitojnë nga zhvillimet në sektorin e energjisë në Kosovë dhe rajon”, tha ajo.

Programi ‘kompakt’ ka vlerën e 202 milionë dollarëve që nuk duhet të kthehen, ndërkaq qeveria e Kosovës investon rreth 35 milionë euro në të. Programi 5 vjeçar synon nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse të ekonomisë së Kosovës.

Marrëveshja u negociua gjatë pranverës dhe pasoi një periudhë debatesh pas vendimit të muajit shtator të vitit të kaluar të qeverisë së Kosovës për t’u tërhequr nga projekti i propozuar nga kjo korporatë, i cili parashihte lidhjen e Kosovës me një gazsjellës ekzistues me Maqedoninë e Veriut.

Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit është një agjenci e pavarur e qeverisë amerikane që punon për të zvogëluar varfërinë në botë përmes rritjes ekonomike. E themeluar në vitin 2004, MCC-ja ofron ndihmë të kufizuar në kohë për vendet që përmbushin standardet e rrepta për qeverisje të mirë, luftën kundër korrupsionit dhe respektimin e të drejtave demokratike.

voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>