Autoritetet në Kosovë thanë të mërkurën në mbrëmje se Serbia ka shkelur pajtimin e arritur në muajin nëntor lidhur me përdorimin e targave të makinave, ndërsa autoritete serbe akuzuan Kosovën për një gjë të tillë.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se policia kufitare ka regjistruar makina me targat ilegale “KM”, të ri-regjistruara në muajin dhjetor të vitit 2022.
“Bazuar në dakordimin mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në muajin nëntor 2022, Serbia është pajtuar që të ndalojë prodhimin e targave ilegale dhe ri-regjistrimin e atyre ekzistuese. Duke u bazuar në rastet që janë paraqitur në pikat tona kufitare, Serbia ka shkelur në tërësi këtë dakordim. Në respektim të legjislacionit tonë dhe dakordimit të arritur në Bruksel, Policia e Kosovës nuk ka lejuar hyrjen e këtyre veturave në territorin e Republikës së Kosovës”, shkroi ai në llogarinë e tij në Facebook.
„Serbia ka shkelur dakordimin për targat
Policia e Kosovës, saktësisht Drejtoria e Kufirit, ka evidentuar në disa pika kufitare vetura me targa ilegale “KM”, të ri-regjistruara në muajin dhjetor 2022.
Bazuar në dakordimin mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel në muajin nëntor 2022, Serbia është pajtuar që të ndalojë prodhimin e targave ilegale dhe ri-regjistrimin e atyre ekzistuese. Duke u bazuar në rastet që janë paraqitur në pikat tona kufitare, Serbia ka shkelur në tërësi këtë dakordim.
Në respektim të legjislacionit tonë dhe dakordimit të arritur në Bruksel, Policia e Kosovës nuk ka lejuar hyrjen e këtyre veturave në territorin e Republikës së Kosovës.
Raste të ngjashme të veturave me targa në fjalë, nuk do të lejohen të hyjnë apo veprojnë brenda territorit të Republikës së Kosovës, marrë parasysh që ato janë ilegale dhe ka dakordim për ndërprerjen e prodhimit apo ri-regjistrimin e tyre.
Ftojmë të gjithë qytetarët, pronarë të veturave me targa të tilla, të paraqiten pranë qendrave të regjistrimit civil kudo në Republikën e Kosovës në mënyrë që të regjistrojnë veturat e tyre me targa zyrtare të Republikës së Kosovës.“
Më herët të mërkurën zyrtarë serbë akuzuan Kosovën se po përpiqet të nxisë tensione të reja duke mos lejuar hyrjen e makinave më targa të lëshuara nga Serbia.
Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Perkoviç, tha se ndalimi paraqet “nëpërkëmbje të marrëveshjes për targat që Beogradi dhe Prishtina arritën në Bruksel më 23 nëntor të vitit të kaluar, pas një krize të rëndë që kërcënoi paqen në Kosovë”.
Më 23 nëntor shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell tha se u arrit pajtimi që “Serbia të ndërpresë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me ri regjistrimin e makinave”.
Pajtimi pasoi tensionet në veriun e Kosovës ku punonjësit serbë u tërhoqën nga të gjitha institucionet vendase me 4 nëntor.
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviç, tha pas pajtimit se pronarët e makinave më targa të lëshuara nga Serbia nuk kanë arsye të kenë frikë nga gjobat.
“Ato do të vazhdojnë të jenë në përdorim si deri më tani. Kjo do të thotë, ndër të tjera, se absolutisht të gjithë pronarët e makinave që kanë targa KM do të mund të regjistrojnë automjetet e tyre normalisht dhe të zgjasin vlefshmërinë e targave KM. I vetmi vend ku do të ndalemi, do të ndalim lëshimin e targave fizike tërësisht të reja KM deri në momentin kur të gjejmë një zgjidhje përfundimtare për targat”, tha ai.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi tha ndërkaq se “Serbia do të ndalojë regjistrimin dhe ri-regjistrimin e makinave ndërsa Kosova do të ndalojë së shqiptuari gjoba dhe qortime”.
voa