Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha sot se Kosova do të ndalojë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm dhe se ku mund të ketë pajisje të tilla, institucionet përkatëse të vendit do të angazhohen për heqjen e tyre.
Ai e bëri këtë njoftim në një postim në llogarinë e tij në facebook duke theksuar se ka pritur në takim përfaqësues të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, “si organi më kompetent në fushën e komunikimeve elektronike, me të cilët kemi biseduar për rolin e rëndësishëm që kanë në ruajtjen e sigurisë kombëtare, ruajtjen e rendit publik, ruajtjen e kufirit shtetëror, për funksionim të qëndrueshëm e të besueshëm përmes institucioneve përkatëse shtetërore dhe bashkërendimit të veprimeve ndër-institucionale”.
Zotimi për një gjë të tillë është pjesë e dakordimit për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të nënshkruar më 4 shtator në prani të presidentit amerikan, Donald Trump, ku të dyja vendet janë zotuar se do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett përgëzoi vendimin e kryeministrit duke theksuar se “ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku drejt integrimit të sigurt të komunikimit rajonal dhe zgjerimit të ekonomisë digjitale të Kosovës”.
Rrjeti 5G ka tensionuar marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Qeveria amerikane po lobon në Evropë për të përjashtuar kompaninë kineze të telefonisë mobile Huawei nga planet e rrjetit 5G duke e cilësuar si rrezik për sigurinë.
voa