Kosova kërkon nga qeveria gjermane që gjatë periudhës gjashtëmujore të futet në agjendë heqja e vizave për Kosovën.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pret nga Gjermania që gjatë periudhës së kryesimit të presidencës së radhës së Bashkimit Evropian, t’i hiqet Kosovës regjimi i vizave për në zonën Shengen. Kryeministri Hoti e uroi Gjermaninë për marrjen e kryesimit të presidencës së BE, për 6 muaj, periudhë kjo siç tha “shumë sfiduese për ekonominë e Evropës”.
“Gjermania po e merr Presidencën e radhës së BE-së në një kohë shumë sfiduese për shëndetin dhe ekonominë e Evropës. I jemi shumë mirënjohës Qeverisë gjermane për angazhimin e vazhdueshëm për zgjerimin e BE, duke afruar vendet e Ballkanit Perëndimor dhe presim që gjatë kësaj kohe të hiqet edhe regjimi i vizave për qytetarët e Kosovës!”, shkroi Hoti në profilin e tij social.
Kosova tashmë ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Kjo është konfirmuar edhe nga Parlamenti Evropian dhe autoritetet kosovare presin që edhe BE të mbajë fjalën dhe të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.
Deputetë të Parlamentit Evropian i shkruajnë Merkelit për Kosovën
Një grup deputetësh të Parlamentit Evropian dy ditë më parë i dërguan një letër kancelares gjermane Angela Merkel, nga e cila kërkojnë që të futet në agjendën e presidencës gjermane të Këshillit Evropian çështja e liberalizimit të vizave për kosovarët. Në letër, e cila për publikun është shpërndarë edhe nga kryeministri i Kosovës, theksohet se “kriteret nga Kosova janë përmbushur dy vite më parë, ndërsa liberalizimi vijon që të mbetet peng”.
“Ata i kanë bërë detyrat e shtëpisë, tani është radha jonë që të mbajmë premtimin tonë. Ne po humbim besueshmërinë tonë, kur një vend i tretë bën atë që ne i kërkojmë atyre, por ata nuk marrin avantazhet që i premtojmë atyre. Si mund t’u kërkojmë reforma të tjera vendeve të fqinjësisë tonë, kur ata nuk mund të jenë të sigurtë që mund të marrin gjë nga puna e tyre?” thuhet ndër të tjera në letër.
Grenell përshëndet nismën evropiane
Këtë nismë të deputetëve të Parlamentit Evropian e ka përshëndetur i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Ai ka thënë se “Më në fund, ky është një lajm i mirëpritur edhe nëse ka si qëllim vetëm disa biznese”.
“Përqëndrimi i SHBA-së në normalizimin ekonomik ka motivuar evropianët të ndërmarrin veprime. Ne jemi të lumtur t’i shohim ata duke marrë udhëheqjen”, shkroi Grenell në Twitter. Richard Grenell, më herët kishte një debat në distancë me raportuesen për Kosovën në Parlamentit Evropain, Viola von Cramon, e cila kritikonte qasjen e Greneliit në dialogun Kosovë-Serbi. Grenelli pati kërkuar nga Cramoni, që ajo të mos e kritikojë administratën amerikane për çdo gjë, por të përqëndrohet në liberalizimin e vizave.
“Viola, në vend se të kritikoni çdo gjë që bën administrata Trump për të ndihmuar në normalizimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë, pse nuk koncentrohesh vetëm në një gjë që duhet ta bësh: liberalizimin e vizave për Kosovën. Jeni ankuar për të tjerët për më shumë se 20 vjet. Bëni pjesën tuaj”, kishte shkruar Grenell.
Kosova është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që akoma nuk e gëzon të drejtën e lirisë së lëvizjes në zonën Shengen, ndonëse vetë mekanizmat evropianë e kanë konfirmuar tashmë disa herë që Kosova i ka plotësuar kriteret për liberalizim. Por që të ndodhë kjo, duhet që secili nga shtetet anëtare të BE ta konfirmojë liberalizimin e vizave për Kosovën.
dw