Kosova në heshtje parazgjedhore nesër votohet…

KQZSot në territorin e  Kosovës është heshtje elektorale për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen nesër (të dielën).

Rreth 1 milion e 800 mijë qytetarë kanë të drejtën e votës dhe ata mund të zgjedhin mes 28 subjekteve politike të regjistruara që synojnë të hynë në parlamentin prej 120 deputetëve të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë tashmë të gjitha përgatitjet për mbajtjen e procesit zgjedhor ndërsa bëri të ditur se deri më tani ka akredituar rreth 30 mijë vëzhgues vendas e ndërkombëtarë për të mbikëqyrur procesin e votimit dhe numërimin e votave. Zyrtarë të këtij Komisioni u kanë bërë thirrje pjesëmarrësve në zgjedhje që t’u përmbahen ligjeve të vendit dhe të mos keqpërdorin procesin zgjedhor.

Më se 100 prokurorë dhe gjykatës do të jenë të përfshirë në ditën e zgjedhjeve për të siguruar veprimet ligjore ndaj përpjekjeve për keqpërdorim të votës.

Thirrjeve për një proces të qetë e të lirë u janë bashkuar edhe autoritetet ndërkombëtare që vlerësojnë se zgjedhjet e së dielës do të shërbejnë si një udhërrëfyes për të ardhmen evropiane të Kosovës.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog dhe shefat e misioneve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në Kosovë bënë thirrje të shtunën për zgjedhje transparente dhe të besueshme, ndërsa presin që të formohen shpejt institucionet e reja që dalin nga këto zgjedhje.

Zgjedhjet e së dielës vlerësohen si të rëndësishme për shkak të sfidave që ndodhen para Kosovës. Përveç formimit të qeverisë duhet të krijojnë mundësinë për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit, një proces që kërkon mbështetjen e dy të tretave të parlamentit 120-vendësh të Kosovës.

Qeveria e re që do të dalë nga këto zgjedhje do të përballet me pasojat e pandemisë së COVID-19 por edhe me vazhdimin e bisedimeve me Serbinë, një proces i papërfunduar që filloi dhjetë vjet më parë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>