Kosova nën presion për Gjykatën Speciale për krime lufte

Kuvendi i KosovesOpozita në Kosovë e kundërshtojnë themelimin e Gjykatës Speciale. Nëse Kuvendi i Kosovës nuk e voton themelimin e saj, Gjykata Speciale për Kosovën mund të votohet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, janë nën presion të vazhdueshëm që ta votojnë themelimin e Gjykatës Speciale që do të trajtojë pretendimet për përfshirje në krime lufte të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Partitë politike opozitare dhe një numër i deputetëve të partive në pushtet vazhdojnë ta kundërshtojnë themelimin e kësaj gjykate dhe për këtë arsye ka shtyrje të vazhdueshme dhe akoma nuk dihet data e saktë se kur kjo çështje do të jetë në rend dite në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, thotë se projektligji për Gjykatën Speciale për Krime Lufte, i negociuar tash e sa kohë me Bashkimin Evropian, duhet të procedohet në Kuvend për votim.

“Po e ritheksoj që me rëndësi është ta ruajmë partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, e në të njëjtën kohë të mundohemi me çdo kusht ta arrijmë konsensusin e përbashkët brenda nacional. Do të aprovohet një ligj, i cili do t’i përmbushë interesat e Kosovës, do t’i mbrojë të drejtat e njeriut të qytetarëve të Kosovës dhe që nuk do të cenojë sovranitetin e Republikës së Kosovës”, thotë Kadri Veseli.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, thotë se Kuvendi shumë shpejt do ta ketë projektligjin për dhomat e veçanta të Gjykatës Speciales dhe do t’i votojë ato bashkë me ndryshimet kushtetuese. “Në fakt ende nuk e kemi draft-ligjin. Në atë çka kemi biseduar me kryeministrin, shumë shpejt do ta kemi projektligjin për dhomat e veçanta të speciales në seancë dhe do t’i votojmë së bashku me ndryshimet kushtetuese. Nuk mund ta definoj nëse do të jetë këtë javë në mbledhjen e kryesisë. Por mund të mbajmë mbledhje tjetër të kryesisë”, thotë Kadri Veseli.

Përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare vazhdimisht po u bëjnë thirrje deputetëve të kuvendit që ta votojnë Gjykatën Speciale.

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë Samuell Zhbogar, thotë se ai nuk sheh asnjë arsye për çfarëdo vonese të mëtejshme për formimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte në Kosovë.

Samuell Zhbogar thotë, se nga qendrat kryesore evropiane vazhdimisht pyetet se pse po vonohet formimi i Gjykatës Speciale. Ai thotë se e kupton se sa është i ngarkuar ky proces, por sipas tij bëhet fjalë për detyrim ndërkombëtar. “Të gjitha krimet duhet të hetohen dhe autorët e tyre të ndiqen. Jo vetëm krimet që përmenden në Raportin e Këshillit të Europës, por edhe ato të kryera gjatë e pas konfliktit në Kosovë. Krimet e luftës asnjëherë nuk vjetrohen”, ka thënë Samuell Zhbogar, për mediet lokale, duke shtuar se pikërisht për shkak të mbrojtjes së dëshmitarëve, Gjykata Speciale do të punojë jashtë Kosovës.

Mirëpo, janë partitë politike opozitare ato që nuk do ta votojnë themelimin e Gjykatës Speciale, duke thënë se ajo cënon sovranitetin e Kosovës.

Ilir Deda deputet nga lëvizja Vetëvendosje, subjekt politik ky i cili vazhdimisht e kundërshton themelimin e Gjykatës Speciale, thotë se nuk është e drejtë që Kosovës në vazhdimësi t’i kërkohet të zbatojë vendime, përderisa ajo nuk shpërblehet asnjëherë për këto vendime të dhimbshme që i merr. “Nëqoftëse pra po kërcënohet Kosova me dëmtime të proceseve politike, atëherë pyetja tjetër mundet me qenë, në rregull, nëse do të votohej Gjykata Speciale, a do të na njohin pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk na kanë njohur ende. Nuk mund të ketë vetëm shkop e jo edhe karotë për Kosovën”, thotë deputeti Ilir Dedaj.

Mirëpo, përfaqësues të sistemit të drejtësisë në Kosovë megjithë dilemat e tyre, thonë se kjo gjykatë duhet votuar. Kështu thotë Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani, duke hedhur poshtë pohimet se Gjykata Speciale “cënon të drejtat dhe liritë e njeriut”.

“Çështja e themelimit të gjykatës nuk do të duhej të diskutohej rreth asaj se a duhet a nuk duhet të themelohet. A ka refleksione negative të tjera, pastaj a do të ketë refleksion në aspektin e cënimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, etj. Unë nuk besoj që do të ketë për faktin se është një gjykatë ndërkombëtare, e cila i ka të ndërtuara të gjitha standardet evropiane, të gjitha standardet ku respektohen të drejtat dhe liritë e individit”, thotë Fejzullah Hasani.

Më 23 prill të vitit 2014, Kuvendi i Kosovës, pati miratuar marrëveshjen Kosovë-BE, e cila mundëson themelimin e Gjykatës Speciale të Kosovës dhe vazhdimin e mandatit të ristrukturuar të misionit EULEX deri në qershor të vitit 2016.

Mirëpo për këtë duhet ndryshuar Kushtetuta e Kosovës, e cila kërkon miratimin e dy të tretave të deputetëve. Parlamenti i Kosovës ka 120 deputet. Numri prej 80 votash të deputetëve që do ta mundësojnë themelimin e Gjykatës Speciale në këtë fazë duket i vështirë të arrihet. Mirëpo, nëse këtë nuk mund ta bëjë Kuvendi i Kosovës, atëherë themelimin e Gjykatës Speciale mund ta bëjë Këshilli i Sigurimit i OKB-së, thonë udhëheqësit më të lartë të institucioneve të Kosovës. Tashmë vet deputet të Kuvendit të Kosovës e kanë konfirmuar se ata e kanë parë një draft për Gjykatën Speciale për krime lufte i hartuar nga Rusia dhe në çdo moment ky draft mund të miratohet në Këshillin e Sigurimit edhe pa pajtimin e Kosovës. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>