Kosova, nëntë vjet pavarësi

KosovoKosova shënon të premten përvjetorin e nëntë të pavarësisë së saj, në një periudhë kur po mbushen dy vjet të një krize të rëndë politike.

Organizime të pakta e të zbehta po përshkojnë përvjetorin e pavarësisë, shënimi së cilës vazhdon të pasqyrojë ndarjet e thella politike.

Opozita vazhdon të kërkojë shpalljen e zgjedhjeve të reja dhe largimin e qeverisë të cilën e akuzon për marrëveshjen e arritur me Serbinë për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë si dhe atë për shënimin e kufirit me Malin e Zi.

Qeveria vazhdon të bëj thirrje për dialog politik, duke u zotuar për zbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, e cila në muajin dhjetor të vitit 2015 tha se pjesë të marrëveshjes për asociacionin nuk janë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës. Ajo ka themeluar edhe një komision që do të kryejë matjen e territorit të Kosovës për të siguruara se marrëveshja me Malin e Zi nuk e dëmton tërësinë tokësore të Kosovës.

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, në bazë të planit të krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari. Deri tash ajo është njohur nga mbi 110 vende të botës.

Pavarësia e saj vazhdon të kundërshtohet nga Serbia, e cila është përfshirë në bisedime për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën që është kusht për rrugëtimin e saj drejt integrimeve evropiane.

Pjesa e parë e vitit të nëntë të pavarësisë së Kosovës u përshkua me tensione të larta me Serbinë. Tensionet rreth një muri i cili qe ngritur ne veri të Mitrovicës, ndalimi i ish kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj në Francë në bazë të një urdhër arresti serb, kulmuan nga mesi i janarit kur një tren me ikonografi mesjetare dhe mbishkrimin “Kosova është Serbi” u ndalua të hyjë në Kosovë.

Bashkimi Evropian mblodhi në dy raste udhëheqësit më të lartë të të dyja vendeve për të ulur tensionet dhe për të siguruar gatishmërinë e palëve për të vazhduar bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Bisedimet i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Por, Kosova vazhdon të mbetet e fundit në proceset integruese. Ajo nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, por është vendi i vetëm në Evropën juglindore që ka mbetur jashtë procesit të liberalizimit të vizave dhe qytetarët e saj nuk mund të udhëtojnë në vendet e Bashkimit Evropian pa viza.

Kosova ndërkaq edhe më tej është vendi me shkallën më të lartë të pranisë evropiane. (voa)

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>