Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës

KEPas miratimit të raportit për Kosovën nga Komisioni për Politikë dhe Demokraci Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

 

Komisioni për Politikë dhe Demokraci i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, miratoi të mërkurën (27.03.) raportin për Kosovën duke e afruar vendin një hap më tej drejt anëtarësimit të plotë në këtë Këshill. Anëtarët me 31 vota pro, katër vota kundër dhe një abstenim, miratuan raportin e raportueses për Kosovën Dora Bakojanis, dhe rekomanduan që Kosova të ftohet që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës, sepse vendi i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtar i plotë. Hapi i radhës, do të jetë më 18 prill, kur ky raport do të hidhet në votim para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte katalizator që Kosova të vazhdonte të bënte përparim në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit si dhe të adresojë sfidat dhe çështjet shqetësuese”, thuhet në raport të Komitetit për Politikë dhe Demokraci. Në raport po ashtu thuhet se “duke pasur parasysh numrin e vendeve anëtare të Këshillit, që nuk e njohin Kosovën si shtet, Komiteti bëri thirrje për diplomaci, dialog dhe kompromis”, dhe në këtë mënyrë i bëhet thirrje “Komitetit të Ministrave që të sigurohen që anëtarësimi i Kosovës të bëhet pa paragjykime ndaj qëndrimeve të shteteve individuale sa i përket shtetësisë së Kosovës”.

 

Ditë historike për Kosovën

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme Kreshnik Ahmeti, shkroi në profilin e tij se “të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja, janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta”.

 

Pas këtij votimi në Strasburg, çështja procedohet në Asamblenë Parlamentare më 18 prill dhe nëse merr miratimin edhe në këtë institucion, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës gjatë një mbledhjeje që do të mbajë në muajin maj.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, miratimin e raportit të sotëm për Kosovën nga Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KE-së, e cilësoi si një ditë historike për vendin.

“Ky hap pozitiv tregon se Kosova është gati dhe e aftë për të marrë pjesë në mënyrë të plotë në familjen e Këshillit të Evropës, duke ndarë detyrimet dhe përfitimet që vijnë me anëtarësimin”, shkroi presidentja Osmani.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022. Anëtarësimi i saj vazhdon të kundërshtohet nga Serbia dhe presidenti serb  Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar edhe mundësinë e largimit të Serbisë nga Këshilli i Evropës, nëse Kosova bëhet anëtare. Procesi i anëtarësimit të Kosovës kishte stagnuar për shkak të moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth pronave të Manastirit të Deçanit. Ky vendim tashmë është zbatuar nga Kosova gjë që i hapi rrugën vendit për anëtarësim të plotë në Këshillin e Evropës.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>