Mungesa e deputetëve të Listës Serbe në seancën e Kuvendit të Kosovës të ditës së enjte, në të cilën ishte paraparë votimi për ose kundër ratifikimit të marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, ishte një nga arsyet pse projektligji për ratifikimin e kësaj marrëveshje, u tërhoq nga Qeveria e Kosovës nga rendi i ditës së kësaj seance.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, duke aluduar në deputetët e Listës Serbe, u tha deputetëve të Kuvendit se ky grup parlamentar e kishte kushtëzuar me koncesione votimin e kësaj marrëveshjeje, të cilat qeveria nuk do t’i bënte.
Në anën tjetër Lista Serbe, ka mohuar ta ketë kushtëzuar Qeverinë e Kosovës me koncesione. Megjithatë ata kanë theksuar se partnerët e koalicionit e kanë anashkaluar këtë subjekt politik në konsultimet për projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi.
Por, në këtë pikë Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, i hedh poshtë pretendimet e përfaqësuesve të Listës Serbe.
“Unë nuk dua t’i komentoj deklarimet e tyre, sepse edhe ata janë zyrtarë të Republikës së Kosovës. Megjithatë, unë ju them me përgjegjësi të plotë që unë, këto çështje, i kam diskutuar edhe me përfaqësuesit e Listës Serbe në institucionet e Republikës së Kosovës”.
Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën i Qeverisë së Serbisë, i ka thënë transmetuesit publik të Serbisë, se autoritetet e Kosovës nuk duhet ta inkorporojnë Listën serbe në çështje statusore.
“Mos kërkoni nga serbët që të punojnë për gjëra që kanë të bëjnë me çështje statusore. Në numrin e vogël të serbëve që kanë mbetur në Kosovë, mos i thyeni çështjet që kanë të bëjnë me statusin ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, por ta lëmë këtë për tavolinën në Bruksel dhe për dialogun në nivelin politik”, ka theksuar Gjuriq.
Por, ministri Gecaj, ka theksuar se me Listën Serbe, si partnere e koalicionit qeverisës, kanë biseduar edhe më parë për probleme të caktuara. Sipas tij, ngjashëm do të bisedojnë edhe për tejkalimin e problemit të tanishëm që ndërlidhet me çështjen e Demarkacionit me Malin e Zi.
“Nëse nuk kemi mundur ta tejkalojmë tash, ne do të bisedojmë që ta tejkalojmë javën e ardhshme, pas dy javësh, pas një muaji. Por, ne duhet të ulemi të bisedojmë, sepse këtë na e kërkon Kushtetuta e Republikës së Kosovës”.
Njohësi i zhvillimeve politike Naim Rashiti nga Grupi Ballkanik për Politika, thotë për Radion Evropa e Lirë se është në rregull që të ketë kushte ndërmjet partnerëve të koalicionit. Por sipas tij, problematik bëhet fakti që Lista Serbe nuk vendos vet, por vendimet ajo i sjell në bazë të urdhrave nga Beogradi zyrtar.
“Kërkesat që në tërë territorin e Kosovës të lejohet Telekomi i Serbisë… këto nuk janë interesa të Listës serbe dhe qytetarëve serb, por janë kushte të një shteti fqinj”, ka thënë Rashiti.
Ai ka shtuar se , megjithatë, kontrolli i Beogradit ndaj serbëve të Kosovës nuk do të zgjasë shumë, për shkak se sipas tij “vet serbët janë të irrituar nga kontrolli i kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq”.
Por, a po shfrytëzohet Lista Serbe dhe deputetëve të saj në Kuvendin e Kosovës, si pengesë në proceset e shtet-ndërtimit të Kosovës ose si instrument i Beogradit për realizimin e politikave të Serbisë karshi Kosovës?
Njohësit e zhvillimeve politike, në Kosovë dhe Serbi, vlerësojnë se është fakt i ditur se Lista Serbe nuk ndërmerr veprime pa konsultime me Beogradin zyrtar.
Sipas tyre, kundërshtime të Listës Serbe ka pasur edhe për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Analisti Rashiti, thotë se përfaqësuesit e Listës Serbe konsultohen në vazhdimësi me zyrën e kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e sidomos me Marko Gjuriqin, posaçërisht kur në Kosova është para vendimeve për çështje që ndërlidhen me sovranitetin e vendit.
“Problemi është që Lista Serbe vazhdon të sillet në mënyrë jo bashkëpunuese në raport me çështjet që kanë të bëjnë me statusin e Kosovës ose sovranitetin e Kosovës. Ky paralajmërim ka qenë edhe shumë i hershëm. Që kur është nënshkruar marrëveshja, ka pasur paralajmërime nga Beogradi dhe Lista Serbe se nuk do ta përkrahin Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, për faktin se e përkufizon sovranitetin e Kosovës”.
Nenad Gjurgjeviq nga Forumi për marrëdhënie etnike, veprimin e fundit të Listës Serbe e sheh si presion të Beogradit zyrtar ndaj autoriteteve të Kosovës.
“Për çështje të këtilla të rëndësishme, të merret pjesë ose jo në punën e Kuvendit të Kosovës, duhet të arrijë marrëveshje me Beogradin dhe deri më tash kështu edhe ka ndodhur. Është e mundur që ky veprim është një lloj tërheqje e vërejtjes ndaj Qeverisë së Kosovës, se duhet të llogaritet seriozisht në Listën Serbe dhe në atë mënyrë, disi të shpejtohet formimi i Asociacionit të komunave serbe”, tha Gjurgjeviq.
Në anën tjetër, ministri Gecaj, thotë se Qeveria e Kosovës është e vetëdijshme për veprimet destruktive të Beogradit zyrtar ndaj Kosovës.
“Nuk dua të hy në spekulime se kush përfiton nga ta, sepse ju e dini qartë se ne kemi probleme edhe me shtetin e Serbisë, me involvimin e shtetit të Serbisë në shtetin e Kosovës, në strukturat e Republikës së Kosovës. Për shkak të këtyre problemeve ne edhe kemi shkuar në Bruksel. Për shkak të këtyre problemeve ne zhvillojmë dialog në Bruksel, sepse kjo nuk është diçka që do ta mohojmë dhe të themi se nuk kemi involvim të shtetit të Serbisë në strukturat e Republikës së Kosovës”.
Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë thonë se institucionet e vendit nuk janë të kënaqura me Listën Serbe, si produkt i dialogut me Serbinë në Bruksel dhe për këtë situatë e fajësojnë Bashkimin Evropian dhe faktorët ndërkombëtarë, të cilët, siç thonë ata, kanë bërë pak që t’i bindin serbët e Kosovës që të jenë bashkëpunues në raport me funksionimin e plotë të institucioneve. (REL)