Më 22 tetor në Kosovë mbahen zgjedhjet për pushtetin komunal, në të cilat do të konkurrojnë 91 subjekte politike të të gjitha komuniteteve. Në kuadër të mbulimit të fushatës për këto zgjedhje Zëri i Amerikës do të sjellë frymën e debateve në disa komuna të Kosovës. Korrespondenti ynë, Leonat Shehu, kësaj radhe sjell një pasqyrë të përgatitjeve për këto zgjedhje në komunën e Gjilanit.
Një numër i madh partish politike konkurrojnë për pushtetin komunal në Gjilan. Gjashtë subjekte të ndryshme politike kanë vënë kandidaturat e tyre për postin kryetarit të këtij qyteti që shtrihet në pjesën lindore të Kosovës. Të gjithë ata po përpiqen të sigurojnë shumicën e rreth 95 mijë votuesve të në zgjedhjet komunale të 22 tetorit.
Konkurrenca më e fortë zhvillohet ndërmjet tri partive, Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila drejton komunën që nga viti 2013, Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
Kryetari aktual i Gjilanit, Lutfi Haziri, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës thotë se komuna gjendet në pikën e kthesës së madhe për zbatimin e të gjitha programeve që kanë të bëjë me infrastrukturën.
“Meqë Gjilani ka qenë njëra prej nyjave kryesore në Jug-Lindje të Kosovës e cila ka qenë pak a shumë jashtë kujdesit qeveritar, tashmë kemi arrit të krijojmë një integrim politik dhe një kujdes më të madh të qeverisë dhe të institucioneve partnere ku përfshihen partner strategjik siç është USAID në Kosovë që Gjilanin e ka partner strategjik në të gjitha programet që i realizojmë. Investimet kryesore që ne kemi bërë në arsim dhe shëndetësi dhe i ruajmë si përparësi kryesore dhe natyrisht kemi punuar shumë në lehtësimin e të bërit biznes”, tha zoti Haziri.
Ndërsa kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, thotë se kryetari aktual i Gjilanit nuk i ka përmbushur premtimet e dhëna dhe sipas tij, degradimi i qytetit është jashtëzakonisht i madh.
“Sot në komunë ka vendbanime të tëra që nuk kanë ujë të pijshëm ndërsa çështja e ujërave të zeza e kanalizimeve është degraduar deri në një masë që është e padurueshme. Sigurisht, do të ishte mirë që kjo fushatë ndoshta të zgjatej edhe shumë më shumë sepse tash muajin e fundit kanë filluar disa dhjetëra vende publike ku punohet me të madhe dhe kjo është e keqja, do të thotë se qytetarëve u blihet vota me taksën e tyre në muajin e fundit. Sigurisht që të ishte punuar sikur muajin e fundit, Gjilani nuk do të kishte nevojë për asnjë ndryshim”, tha zoti Kurteshi.
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, thotë se Gjilani ka mbetur një nga vendet më të izoluara në vend dhe pa një zgjidhje për tejkalimin e sfidave.
“Papunësia mbi 20 mijë ku shumica janë të rinj, ka infrastrukturë të shkatërruar, kemi ende rrjetin e ujit dhe të kanalizimit të viteve 70-ta. Gjilani nuk ka rrugën e vet që do t’i mundësonte zhvillim më të shpejtë bizneseve të kësaj ane. Gjilani përkundër që gjeografikisht është një qendër e regjionit në të cilën janë edhe Presheva e Bujanovci dhe qytete që qarkullojnë dhe lidhen me Kosovën përmes Gjilanit, fatkeqësisht Gjilani këtë epitet nuk e ka ndërtu praktikisht me zhvillimin e vet me administrimin e këtij roli që duhet ta kishte’, tha zotiPajaziti.
Por, cilat janë zotimet e kandidatëve në këmbim të votës së qytetarëve të Gjilanit.
“Do të bëjmë vlerësimin e shkallës së vlerës tatimore sidomos për bizneset dhe ekonomitë familjare. Jemi në afate ligjore që do të vlerësohet në mënyrë që të krijohen lehtësime dhe në rritjen e mbështetjes për krijimin e mundësive për zhvillim lokal ekonomik që kryesisht janë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe këto janë çështje që definitivisht do të angazhohemi. Sfida më e madhe për Gjilanin mbetet mbështetja më e madhe në mënyrë që të tejkalohen problemet e infrastrukturës nëntokësore”, tha zoti Haziri.
“Rivitalizimi i arsimit, rivitalizimi i shëndetësisë, pastrimi i ambientit dhe sanimi i ujërave të zeza që është një brengë dhe një problem jashtëzakonisht i madh për komunën e Gjilanit jo vetëm për qytetin i cili është i ndotur deri në absurd. Është trafiku urban sepse qyteti po rritet me para lagjet dhe shumë shpejt do t’i ketë 100 mijë banorë, kemi ndërtimin e çerdheve ku një numër i vogël i fëmijëve vijojnë çerdhet ndërsa përparësi do t’i japim arsimit”, tha zoti Kurteshi.
“Të them sinqerisht nuk po guxoj fare të bëjë premtime të pamatura sepse po m’i thonë qytetarët ato premtime të para katër viteve të cilat shumica prej tyre as që kanë filluar të zbatohen. Unë ofroj të pamundurën me resurset, kapacitetin, buxhetin që ka komuna dhe me partnerët që unë mund t’i ofrojë të paktën të kryej një pjesë të madhe të punëve që kanë mbetur, e që lidhen me infrastrukturën, me shërbimet që janë elementare për qytetarët. Gjilani ka problem me ujëra, me ujëra të zeza në përgjithësi, ka problem me zhvillimin, me papunësinë janë rreth 20 mijë të papunë shumica të rinj”, tha zoti Pajaziti.
Janë edhe tre kandidatë partish politike që synojnë pushtetin në këtë komunë që dikur shquhej për një ekonomi të qëndrueshme dhe pozita e së cilës e bënë atë një lidhje të rëndësishme edhe me zonat e banuara me shqiptarë në Serbi dhe në Maqedoni. (voa)