Kosova pret të bëhet me kod telefonik muajin e ardhshëm

telefoniKosova dhe Serbia janë marrë vesh që të Kosova nga dhjetori të ketë kodin e saj telefonik, ndërsa një kompani e re serbe do të ofrojë shërbime për zonat e banuara me pjesëtarë të këtij komuniteti.

Kosova dhe Serbia janë dakorduar për kodin e ri telefonik të Kosovës në një raund të ri bisedimesh teknike të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Në një njoftim të zyrës së shefes për politikë të jashtme të BE-së, Federica Mogheirni, thuhet se “marrëveshja siguron që një kod telefonik t’i ndahet Kosovës nga Unioni Ndërkombëtarë i Telekomunikacionit”.

Sipas marrëveshjes një kompani e re serbe e regjistruar në Kosovë dhe sipas ligjeve të saj “do të veprojë me leje të plotë për shërbimet telefonike në Kosovë dhe të marrë autorizimin e përkohshëm për telefoninë celulare”.

Ministrja për dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, tha se Kosova do ta ketë kodin telefonik shtetëror të saj që është 383 dhe ai pritet t’i ndahet Kosovës me 15 dhjetor të këtij viti.

Sipas saj “marrëveshja për telekomin dhe zbatimi i saj do të mundësoje të vendoset rendi dhe ligji edhe në fushën e telekomit dhe nuk do të ketë më asnjë operim ilegal në sektorin e telekomit në të gjithë territorin e vendit”.

Aktualisht Kosova shfrytëzon kodin telefonik të Serbisë për telefoninë tokësore, ndërsa kodet e Sllovenisë dhe të Monakos për telefoninë celulare.

Autoritetet thonë se, përfitimet ekonomike janë të mëdha pasi që operatorët në radhë të parë nuk do të jenë të detyruar që të paguajnë kosto të larta financiare, për shkak të mungesës së kodit që deri tash i ka kushtuar Kosovës mbi 200 milion euro.

Kosova e cila shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 dhe Serbia që e kundërshton ashpër atë, tash e gati gjashtë vjet janë përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në shkëmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian. Këto bisedime i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës, nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit me BE-në.

Bisedimet çuan në një varg marrëveshjesh, pjesa më e madhe të vilave nuk janë zbatuar, ndërsa ajo për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, çoi në një krizë politike në Kosovë. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>