Publikimi i Udhëzimit Administrativ që u mundëson qytetarëve serbë përmes peticionit të shkarkojnë kryetarët shqiptarë në veri, vjen vetëm disa ditë para takimit të 14 shtatorit ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit.
Qeveria e Kosovës publikoi Udhëzimin Administrativ, dokumentin që i hap rrugë shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe. Udhëzimi mundëson një peticion të qytetarëve, përmes të cilit mund të largohen kryetarët aktualë shqiptarë, që nuk janë të pranueshëm për komunitetin serb që jeton në atë pjesë. Autoritet qendrore kosovare janë zotuar, se do të mbajnë zgjedhje të reja në katër komunat në veri, ndonëse dorëheqja e kryetarëve shqiptarë nuk është duke u shqyrtuar.
Mbledhja e nënshkrimeve duhet të bëhet mbi bazën e vullnetit të lirë dhe pa presion
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, pasi publikoi dokumentin, tha se udhëzimi ka për qëllim përcaktimin e procedurës së fillimit të organizimit dhe dorëzimit të nismës së qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni. Në udhëzim thuhet se mbledhja e nënshkrimeve duhet të bëhet mbi bazën e vullnetit të lirë dhe pa presion, por ka edhe një sërë procedurash.
“Fillimisht duhet të formohet një grup, i quajtur nismëtar, i përbërë prej të paktën tre personave që e përfaqësojnë kërkesën nga komuna përkatëse. Ky grup, para nisjes së mbledhjes së nënshkrimeve duhet të njoftojë kryesuesin e kuvendit komunal, në komunën përkatëse dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Më pas, kryesuesi e informon kryetarin e komunës përkatëse, ministrinë përkatëse për pushtet lokal dhe KQZ-së për kërkesën e grupit nismëtar”, thuhet në udhëzim.
Kërkesa për largim të kryetarëve aktualë duhet të nënshkruhet nga të paktën 20 për qind e votuesve me të drejtë vote në atë komunë. Nënshkrimet duhet të mblidhen në një afat brenda 30 ditësh me mundësinë e zgjatjes së afatit edhe për 15 ditë tjera dhe do të verifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Për të larguar kryetarin e një komune përmes peticioni sipas dokumentit duhet të votojnë 50 për qind plus një e votuesve me të drejtë vote në atë komunë. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në zgjedhjet e prillit të këtij viti në listën e votuesve në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë të Veriut, së bashku ishin rreth 45 mijë votues.
Kosova i trembet një plani “destabilizues nga Serbia”
Bashkimi Evropian kërkoi uljen e tensioneve në veri përmes një plani që parashikon pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuara të serbëve të Kosovës. Por autoritetet kosovare po i tremben një plani siç thonë “të Serbisë për destabilizim të situatës në veri”.
Një ditë më parë, në një shtepi në Zveçan, policia gjeti një sasie të madhe armatimi. Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se “shtëpia e bastisur është përdorur për grumbullim dhe shpërndarje armësh për grupet kriminale serbe”. Sipas tij, policia gjeti aty “armë automatike, fishekë, granata dore dhe eksplozivë”. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Shqipëri, tha se “Serbia po synon të zbatojë një plan destabilizues në Ballkanin Perëndimor, të ngjashëm me, siç u shpreh, atë që e realizoi Rusia në Ukrainë, në vitin 2014”. Sipas saj, “nuk ka javë që kalon që dikush nga Serbia nuk gjuan me armë policët e Kosovës që janë në territorin e Kosovës”.
Deklaratat e Presidentes së Kosovës i hodhi poshtë Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i cili tha se “politika e Serbisë është e përgjegjshme dhe paqebërëse”. Sidoqoftë, zgjedhjet e reja në veri të Kosovës janë pjesë e hapave për uljen e tensioneve në këtë pjesë, ku kërkohet pjesëmarrje e pakushtëzuar e serbëve të Kosovës. Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka paralajmëruar më 14 shtator një takim të nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ku do të kërkohen zgjidhje për situatën aktuale.
dw