Kosova rrit taksën doganore për Serbinë dhe Bosnjën në 100 për qind

qeveria e ksQeveria e Kosovës ka marrë vendim që të rrisë në 100 për qind taksën doganore për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnja.

Rritja e taksës, pason vendimin paraprak të Qeverisë për vendosjen e një takse prej 10 për qind për prodhimet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, e cila ishte përcjellë me reagime të ashpra nga Serbia, por edhe nga Bashkimi Evropian.

Vendosja e taksës prej 100 për qind, sipas zyrtarëve në Prishtinë, ishte një kundërpërgjigje që Kosova i bën politikës agresive të Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në INTERPOL dhe diplomacisë serbe te vendet e caktuara për tërheqjen e njohjeve të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se vendimi hyn menjëherë në fuqi dhe të gjitha institucionet obligohen që ta zbatojnë atë.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala thotë se vendosja e taksës prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjës, me qëllim, siç thotë ai, për të “fuqizuar prodhuesit vendorë” dhe ekonominë e Kosovës.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj në një postim në rrjetet sociale ka thënë se vendimi i ri i të mërkurës, bëhet për të mbrojtur interesat vitale të shtetit të Kosovës.

“Serbia po vazhdon fushatën e saj agresive kundër Kosovës në fushën ndërkombëtare. Ajo po ashtu është duke minuar procesin e normalizimit. Për të mbrojtur interesin tonë vital, Qeveria e Kosovës ka vendosur të rrisë taksën doganore 100 për qind. Masat e mëtejme do të publikohen se shpejti”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të takohet me ambasadorët e Bashkimit Evropian, Kinës dhe Rusisë, dhe Qunt-it, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës, për të rritur taksën ndaj mallrave serbe për 100 për qind.

Takimin e Vuçiqit me përfaqësuesit ndërkombëtarë e kanë konfirmuar për Radio Evropa e Lirë nga zyra për media e presidentit serb.

Në reagimin e parë pas vendimit për taksën, ministri i Tregtisë së Serbisë, Rasim Lajiq tha për Radion Evropa e Lirë se “pas veprimit të Kosovës, Marrëveshja për tregti të lirë në Ballkanin Perëndimor- CEFTA, më nuk ekziston”.

“Ky është një veprim i pastër politik dhe joekonomik apo tregtar”, tha Lajiq.

Ndërkohë, përfaqësues të bizneseve në Kosovë kanë përkrahur vendimin e Qeverisë së Kosovës për vënien e taksës deri në 100 për qind për prodhimet e Serbisë dhe Bosnjës.

Aleanca Kosovare e Biznesit (AKB) iu bënë thirrje bizneseve importuese që të orientohen nga vendet mike të Kosovës, për zëvendësim të këtyre produkteve.

Po ashtu AKB-ja kërkon edhe nga bizneset vendore prodhues që të rrisin kapacitetet e veta për të furnizuar konsumatorin pa e ndier mungesën e zëvendësimin e prodhimeve nga Serbia me ato “Made in Kosova”.

“Taksa e vënë nga Qeveria e Kosovës është një vendim i guximshëm ndaj Serbisë, por edhe hakmarrës i drejtpërdrejt për bllokadat e vazhdueshme që Serbia po i bënë politikisht dhe ekonomikisht Kosovës edhe pse ekziston një marrëveshje në Bruksel që Serbia është pajtuar që Kosovën mos ta pengojë në rrugëtimin e vet në anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtare. Kjo taksë nënkupton thirrjen e ndërgjegjes tonë popullore për bojkot të prodhimeve të Serbisë”, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga AKB.

Në anën tjetër, kreu i Odës Ekonomike të Serbisë, Marko Çadezh, tha se vendim i ri për ngritjen në 100 për qind të taksës doganore për mallrat e Serbisë dhe Bosnjës tregon mungesë të të kuptuarit të ekonomisë dhe interesave të kompanive kosovare.

“Kjo do t’i kushtojë dëmtime të rënda ekonomisë kosovare. Duhet të kuptoni se shumica e lëndëve të para për industrinë e përpunimit vjen nga Serbia. Ky është vendim politik i palogjikshëm, por duket se jetojmë në kohë të tilla ku dikush merr vendime përmes të cilave i dëmton edhe kompanitë e veta edhe bashkëpunimin rajonal dhe tërë atë që do duhej të ishte normalizim dhe stabilizim i tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor”, tha Çadezh për Radion Evropa e Lirë.

“Në anën tjetër, të shohim se sa do të zgjasë ky vendim. E kemi parë kur u morr vendimi për taksën 10 për qind sesi çmimet e ushqimit u ngriten 10 për qind në Kosovë. Le të presim tash dhe të shohim se a do të kthehen politikanët në një terren me logjik”, tha tutje ai.

Pas vendimit për rritjen e taksës për produktet e Serbisë dhe Bosnjës, ka reaguar Oda Ekonomike e Bosnjë dhe Hercegovicës.

Kreu i kësaj ode, Nemanja Vasiq tha se ky vendim është politik.

“Ky është një reagim lidhur me atë që ka ndodhur në INTERPOL. Kosova nuk mund ta këtë shumë gjatë sepse do ta mbyll vetën ndaj të gjithë proceseve evropiane. Kam frikë se do të mbesin të izoluar sepse së paku vendet e CEFTA-s e kanë pranuar të zbatojnë këtë marrëveshje për tregti të lirë sepse është një treg prej 30 milionësh”, tha ai.

Serbia është importuesi më i madh në Kosovë i pothuajse të gjitha produkteve. Sipas të dhënave zyrtare, vlera e produkteve të importuara nga ky shtet vetëm brenda një viti, është rreth 400 milionë euro. Ndërkaq, importi i produkteve të Bosnjës në tregun e Kosovës, në vitin e kaluar ka arritur vlerën e 81.5 milionë eurove.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>