Një raport i publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi nxjerr në pah se shumica e aktakuzave të ngritura për korrupsion në nivelin e lartë, kanë dështuar.
Këto të dhëna janë pjesë e raportit të vëzhgimit të rasteve të korrupsionit në sistemin prokurorial dhe gjyqësor, me titullin “Luftë, persekutim apo amnisti në emër të luftës kundër korrupsionit? – Zgjidhja/Vetingu?”
Betim Musliu nga ky institut tha se profili i korrupsionit që ndiqet më së shumti në Kosovë ka të bëjë me rastet e ulta ndërsa ai i nivelit të lartë po dështon të luftohet.
“67 për qind e këtyre rasteve që janë ngritur aktakuzat gjatë vitit 2016 kanë dështuar. Prej 33 personave të profilit të lartë të cilët janë akuzuar dhe gjykuar në vitin 2016, ndaj shtatë personave është shpallur aktgjykim dënues në shkallë të parë, ndaj nëntë personave është shpallur aktgjykim lirues, ndaj një personi aktgjykim refuzues, ndaj katër personave është hedhur poshtë aktakuza ndërsa ndaj 12 personave vazhdon procesi gjyqësor. Në rastin e parë ku ka pasur aktgjykim dënues në shkallë të dytë prej këtyre shtatë personave vetëm ndaj një personi është vërtetuar dënimi dhe ky është një dënim me kusht prej dhjetë muajve”, tha zoti Musliu.
Ambasadori britanik në Kosovë Ruairí O’Connell tha se korrupsioni shkatërron demokracinë dhe parandalon çdo zhvillim ekonomik. Ai thotë se një vend ku kriminelët veprojnë pa u ndëshkuar për veprat e tyre krijon kulturën që korrupsioni të jetë i pranueshëm dhe rrezikon të ardhmen. Ambasadori O’Connell vuri theksin te mungesa e rezultateve në luftimin e korrupsionit te zyrtarët e lartë të shtetit.
“Me keqardhje më duhet të them se rezultatet mungojnë. Nuk ka asnjë person të profilit të lartë të dënuar me burgim efektiv për shkak të korrupsionit. Shumë zhurmë bëhet në fillim dhe në fund të gjithë lirohen ose marrin dënime të buta. Këtë vit nga tri aktakuza të ngritura të profilit të lartë, dy prej tyre kanë dështuar, ku mbeti llogaridhëni?. Kjo po ndikon në vazhdimësi te ulja e besimit të qytetarëve në organet e drejtësisë. Kjo sa është e dëmshme për shtetin e Kosovës aq është edhe e rrezikshme”, tha ambasadori O’Connell.
Zyrtarë të institucioneve qeveritare dhe atyre të drejtësisë kanë mendime të ndryshme nëse do të duhej që edhe në Kosovë të zhvillohej një verifikim i sistemit të drejtësisë sikurse ai që po ndodh në Shqipëri.
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se institucionet po punojnë në përmirësimin e ligjeve që do të mundësonin forcimin e luftës kundër korrupsionit. Ai thotë se është në favor të një verifikimi të vazhdueshëm të sistemit të drejtësisë.
“Nuk mund të konsiderojmë që të ndodh më 2018 një proces i tillë dhe pastaj edhe 20 vjet të mos ketë procese të tilla. Duhet të kemi mekanizma që në vazhdimësi në kohë të caktuara do të ndodh një proces i tillë”, tha ministri Tahiri.
Kryetarja e Komisionit për drejtësi në Parlamentin e Kosovës Albulena Haxhiu thotë se është shumë e rëndësishme që Kosova ta bëjë vlerësimin e hollësishëm të secilit prokuror dhe gjyqtar.
“Kjo është shumë e rëndësishme të bëhet dhe këtë e kërkojnë edhe prokurorët dhe gjyqtarët të cilët janë të guximshëm, por që të vetëm nuk mund të veprojnë për shkak se kemi problem sistemin dhe sigurisht që procesi i Vettingut jo si ai që ka ndodhur në vitin 2009 dhe 2010 sepse personat që janë larguar në atë kohë janë kthyer sërish në sistem dhe unë mendoj që kjo është goxha problematike”, tha zonja Haxhiu.
Kryetari i Gjykatës së Lartë të Kosovës, Enver Peci, tha se mekanizmi llogaridhënës është një proces më i mirë i verifikimit të gjyqtarëve.
“Edhe nëse bëhet Vettingu, do të shkojë përmes këtyre mekanizmave, nuk ka rrugë tjetër për të parë bartësit e funksioneve se si po funksionojnë. E kemi komisionin për performancën që duhet të përforcohet shumë ku do të shikoj edhe pjesën kualitative dhe ata që nuk janë të denjë dhe profesionistë për ta kryer punën e tyre duhet të shkarkohen”, tha zoti Peci.
Edhe, zyrtarë të lartë të institucioneve kanë vënë theksin tek nevoja e një verifikimi të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si një hap për përmirësimin e sistemit të drejtësisë.
Hulumtimet e ndryshme vazhdojnë të nxjerrin Kosovën si një nga vendet më të prekura nga shkalla e korrupsionit, ndërsa luftimi i tij është vënë kusht për Kosovën nga zyrtarët e lartë evropian, të cilët thonë se pa rezultate në këtë fushë, Kosova nuk mund të ecën përpara drejt rrugës së saj evropiane dhe heqjen e vizave për qytetarët e saj. (voa)