Kosovë, fushata për zgjedhjet lokale të 22 tetorit

prishtineNë Kosovë, po zhvillohet fushata për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, ku po marrin pjesë 91 subjekte politike. Për vëzhguesit, fushata zgjedhore po përshkohet me më pak veprimtari të partive politike të cilat janë përqendruar më shumë në qytetet e mëdha të Kosovës, në të cilat sipas tyre pritet të jetë edhe konkurrenca më e fuqishme për zgjedhjet komunale.

Partitë politike në Kosovë janë përfshirë tashmë disa ditë në fushatën zyrtare për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, ndonëse fushata në terren ka filluar tashmë që një kohë. Gjithsej 91 subjekte politike, nga të cilat 35 parti politike, një koalicion, 30 nisma qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje.

Vëzhguesit e zgjedhjeve thonë se partitë politike kanë hyrë në fushatë të papërgatitur si duhet dhe me shumw mangësi.

Albert Krasniqi nga Demokracia në Veprim, organizatë kjo që vëzhgon zgjedhjet në Kosovë thotë se fushata zgjedhore po përshkohet me më pak veprimtari të partive politike.

“Kjo është edhe një shpjegim i vëzhgimeve të para që kemi bërë të fushatës zgjedhore ku ka shumë pak veprimtari në raport me fushatat e kaluara dhe sidomos kemi parë në komuna të cilat janë me shumicë serbe ku ka pasur aktivitet të ultë, për shkak se fushata do të jetë e gjatë 30 ditë, plus në shumicën e komunave po pritet që të ketë edhe një raund të dytë për kryetar të komunave dhe partitë politike po mundohen që t’i ruajnë resurset dhe energjitë për pjesën e dytë të fushatës”, tha zoti Krasniqi.

Valmir Ismaili nga Demokracia Plus thotë se edhe kjo fushatë zgjedhore për pushtetin komunal nuk po dallon shumë nga ajo që ishte katër vite më parë.

“Nuk ka ndonjë dallim të madh është e njejta retorikë ku hapja e fushatës po bëhet përkundër që janë zgjedhje lokale gjithmonë nga udhëheqësit qendror dhe po premtohen gjëra të nivelit qendror që nuk i përkasin shumë nivelit lokal. Përderisa në anën tjetër nga kandidatët ku do të duhej të ishte vëmendja kryesore nga kandidatët për kryetar të komunave nuk po shohim përgatitje të mëdha para fushatës”, tha zoti Ismaili.

Zoti Ismajli thotë se partitë politike duhet të përqendrohen në rritjen e cilësisë në të gjitha komunat e vendit.

“Cilësia e kandidatëve për kryetar në komunat e mëdhaja prapë mund të themi është e nivelit të mirë, përderisa në disa komuna të caktuara po shihet se partitë politike kanë kandiduar vetëm sa për të mbetur në garë dhe nuk ka cilësi shumë të madhe”, tha zoti Ismaili.

Zoti Krasniqi thotë se partitë politike kësaj radhe po përqendrohen më shumë në programet e tyre politike.

“Ka edhe një ndryshim për atë se çka mund të bëhet në nivel qendror dhe lokal për shkak se të kaluarën premtimet kanë qenë të mëdha dhe përtej kapaciteteve dhe kompetencave të komunave dhe tani ka një vetëdijësim më të madh dhe mundohen që të prekin votues të caktuar dhe të kenë projekte më të vogla dhe konkrete që janë më lehtë të realizueshme”, tha zoti Krasniqi.

Vëzhguesit e zgjedhjeve thonë se partitë e mëdha janë përqendruar më shumë në qytetet e mëdha të Kosovës, të cilat sipas tyre pritet të jetë edhe konkurrenca më e fuqishme për zgjedhjet komunale të 22 tetorit në Kosovë. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>