Kosovë: Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë presidentit Thaçi

Gjykata KushtetueseGjykata Kushtetuese e Kosovës tha të enjten mbrëma se “Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 të Kushtetutës.

Në vendim thuhet më tej se “dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin 14 të nenit 84 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës.

Vendimi i sontëm i Gjykatës Kushtetuese pasoi kërkesën e lëvizjes Vetëvendosje për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit Thaçi për mandatarin e ri për qeverinë e re.

Më 30 prill presidenti Thaçi shpalli dekretin me të cilin i propozon parlamentit të Kosovës, Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Ai e mirëpriti të enjten mbrëma vendimin e gjykatës duke bërë thirrje që “partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën. Kosovën e presin shumë sfida përpara, prandaj tash nuk duhet të humbet më kohë për formimin e Qeverisë së re, me legjitimitet të plotë nga Kuvendi i Kosovës”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Ambasada amerikane në Prishtinë në një komunikatë tha se “Shtetet e Bashkuara u bëjnë thirrje të gjitha institucioneve dhe partive politike të zbatojnë vendimin e sotëm dhe të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Ne kërkojmë nga të gjithë udhëheqësit të punojnë së bashku për një tranzicion të rregullt në interes të paqes, qëndrueshmërisë dhe përparimit për të gjithë qytetarët e Kosovës”.

Ambasadori Richard Grenell i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump për bisedimet e paqes Kosovë-Serbi, nëpërmjet një komunikate bëri thirrje poshtu për respektimin e vendimit.

“Gjykata Kushtetuese foli. Për të siguruar paqen dhe qëndrueshmërinë dhe për të mbështetur integritetin e sistemit të drejtësisë së Kosovës, të gjithë duhet të respektojnë vendimin e Gjykatës. Mezi pres të vazhdoj punën time me njerëzit e Kosovës dhe qeverinë e tyre për të sjellë përparim, zhvillim dhe vende pune në rajon”, thuhet në njoftimin e zyrës së ambasadorit Grenell.

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar shpërndarjen e parlamentit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja, ndërsa ka akuzuar presidentin për “krijim të vullnetit politik”, përtej përgjegjësive të tij.

Të enjten pasdite veprimtarët e kësaj lëvizjeje organizuan të enjten pasdite në sheshin qendror të Prishtinë një, siç thanë ata, provë proteste, duke kërkuar zgjedhje të reja.

Në kohën e shpalljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ministri i Jashtëm në detyrë, Glauk Konjufca, që ishte në një debat politik në Klan Kosova, e cilësoi “skandaloz” dhe që mund të çojë në “revoltë qytetare”.

“Skandaloz” e cilësoi vendimin edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila shkroi se “Gjykata Kushtetuese i dha grusht vullnetit të popullit!”

Kosova mbeti me qeveri në detyrë në mes të pandemisë së koronavirusit dy muaj ma parë, kur u votua mocioni i mosbesimit i paraqitur nga Lidhja Demokratike e Kosovës për rrëzimin e qeverisë së koalicionit të saj me lëvizjen Vetëvendosje.

Lidhja Demokratike arriti ndërkohë marrëveshje me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate dhe partitë e pakicave kombëtare për krjimin e një qeverie të re dhe është zotuar se do të kërkojë votimin në parlament menjëherë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Isa Mustafa, tha të enjten mbrëma se vendimi i Gjykatës Kushtetuese dëshmon se shteti i Kosovës dhe drejtësia po funksionojnë.

“LDK gjthëherë ka respektuar vendimet e kësaj Gjykate dhe kemi kontribuar që ky institucion të jetë i pavarur dhe ta gëzojë besimin e plotë. Janë këto personalitete që mbajnë peshën e drejtësisë dhe demokracisë në shtetin tonë të ri. Vendimi i Gjykatë nuk i destinohet një partie dhe një grupi por një zgjidhjeje kushtetuese e cila do të vlejë për të gjithë ne, tani dhe në të ardhmen. I takon Qeverisë së ardhshme, të drejtuar nga LDK që të mbajë peshën e demokracisë dhe të kesaj drejtesie të ndarë nga Gjykata Kushtetuese. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë . Të gjithë duhet ta respektojmë dhe ta zbatojmë”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, mirëpriti vendimin që sic shkroi ai “i hap rrugë formimit të qeverisë së re. Ftoj të gjitha palët që ta respektojnë këtë vendim dhe të veprojnë konform tij. I mandatuari për krijimin e Qeverisë së re, Avdullah Hoti, duhet që sa më parë të kompletojë ekipin dhe Kuvendi pa humbur kohë të caktojë seancën për votimin e Qeverisë. Në rrethanat e krijuara, çdo ditë e humbur ka kosto për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve. Kosova nuk ka kohë për të humbur”, shkroi ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>