Kosovë, Hapet fushata elektorale

MitingAmbasada amerikanë në Prishtinë bëri thirrje të mërkurën për shmangien e çdo forme të dhunës e frikësimit gjatë fushatës dhe ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë.

Në mesnatë partitë politike hapën edhe zyrtarisht fushatën dhjetëditëshe për zgjedhjet e 11 qershorit, ndonëse fushata në terren ka filluar që me shpalljen e këtyre zgjedhjeve në fillim të këtij muaji. 26 subjekte politike nga të cilat 5 koalicione, 19 parti politike dhe dy nisma qytetare, do të konkurrojnë për parlamentin 120 vendesh të Kosovës, ndërsa mbi një milion e 900 mijë votues kanë të drejtë vote.

Ambasada amerikane nëpërmjet një komunikatë bëri thirrje që të gjithë kandidatët politik të përkushtohen për zgjedhje të lira, të besueshme e të qeta.

Në këto zgjedhje, ne do t’i ndihmojmë Kosovës në përmbushjen e standardeve evropiane duke vendosur ekipe vëzhguese anekënd vendit në ditën e votimit. Fatkeqësisht, tanimë ka pasur deklarime të besueshme lidhur me frikësimet që ndërlidhen me zgjedhje. Kandidatët politik, gazetarët dhe familjet e tyre gjithashtu janë kërcënuar nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës. Dënojmë fuqishëm këdo që tenton të ndikojë procesin zgjedhor apo përzgjedhjen e votuesit nëpërmjet këtyre veprimeve. Presim që të gjithë qytetarët, përfshirë këtu edhe ata që aspirojnë të jenë udhëheqësit e ardhshëm të Kosovës të ngritin zërin fuqishëm kundër sjelljeve të tilla“, thuhet në komunikatë.

Ambasada thekson se “qytetarët meritojnë një proces të hapur dhe transparent zgjedhor ku të gjithë kandidatët kanë të drejtë të dëgjohen nga votuesit, ku përfaqësuesit e medieve pa dhunë ose kërcënime kanë të drejtë të shpërndajnë informacione lidhur me zgjedhjet, dhe të gjithë votuesit kanë të drejtë të vendosin vet pa ndonjë trysni nga jashtë. Ambasada shpreson që kandidatët do t’u përmbahen këtyre standardeve përgjatë gjithë periudhës së fushatës dhe votuesit do ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votojnë dhe të zgjedhin me vëmendje ata kandidatë të cilët më së miri do t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe të shtetit i cili synon të vazhdojë drejt rrugës së integrimeve euro-atlantike“, përfundon komunikata e ambasadës amerikane.

Që nga shpallja e zgjedhjeve, krahas përgatitjeve teknike, kanë filluar edhe thirrjet për një proces të lirë e demokratik dhe shmangien e parregullsive.

Bashkimi Evropian tashmë ka filluar vendosjen e një misioni prej rreh 100 vëzhguesve për zgjedhjet e 11 qershorit, ndërsa për vëzhgimin e tyre janë zotuar edhe diplomatët euro perëndimorë të akredituar në Prishtinë.

Policia e Kosovës dhe mekanizmat tjerë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor thonë se janë duke bashkërenduar planet e përbashkëta të veprimit për të siguruar një mjedis të qetë në ditën e zgjedhjeve, përfshirë edhe veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Pesë subjekte politike nga radhët e komunitetit serb janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje, ndonëse autoritetet në Serbi janë vënë në përpjekje për të bashkuar serbët e Kosovës në një listë të përbashkët. Por, kësaj radhe serbët e Kosovës janë të ndarë. Një pjesë e mbledhur rreth Listës serbe, ka përkrahjen e Beogradit zyrtar ndërsa pjesa tjetër akuzon Serbinë për manipulim me qytetarët serb që jetojnë në Kosovë.

Zgjedhjet e 11 qershorit po përshkohen edhe me thrirjet e organizatave vendase e ndërkombëtare që qytetarët e Kosovës të mos i votojnë kandidatët e partive politike që janë të akuzuar apo dyshuar për korrupsionin.

Sido qoftë, fushata tashmë ka filluar me tubime të partive politike që kësaj radhe janë përqendruar më shumë në çështje ekonomike sesa në ato politike siç kishte ndodhur në të kaluarën. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>