Gjykata Kushtetuese në Kosovë tha të hënën se ligji për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi është miratuar në pajtim me kushtetutën e vendit dhe refuzoi kërkesën e deputetëve të lëvizjes Vetëvendosje për të vlerësuar marrëveshjen ndërkombëtare për Shënimin e Kufirit Shtetëror.
Deputetët e lëvizjes Vetëvendosje, që ishin kundërshtarët kryesor të marrëveshjes, dorëzuan më 29 mars në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën për shqyrtimin e marrëveshjes së shënimit të kufirit me Malin e Zi. Sipas tyre shkelja më e rëndë është shkelja e sovranitetit dhe tërësisë tokësore territorial të Kosovës.
Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se “gjykata konstatoi njëzëri se Ligji për Ratifikimin e Marrëveshjes dhe procedura për miratimin e tij nuk ishin në kundërshtim me Kushtetutën. Gjykata gjithashtu njëzëri refuzoi kërkesën e parashtruesve për të vlerësuar Marrëveshjen Ndërkombëtare për Demarkacionin e Kufirit Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi pasi që nuk është në pajtim me Kushtetutën dhe kësisoj jashtë fushëveprimit të juridiksionit të Gjykatës”,thuhet në njoftimin e gjykatës Kushtetuese.
Ratifikimi i marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi u miratua me 21 mars. Seanca e ratifikimit qe ndërprerë katër herë me radhë pasi që deputetët e lëvizjes Vetëvendosje hodhën gaz lotsjellës për të penguar ratifikimin e marrëveshjes. Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi, kishte ndarë skenën politike në vend për gati tre vjet.
Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje pritet t’i hap rrugë liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës ndërsa ishte edhe një nga kushtet që Kosova duhet përmbushë drejt rrugës së saj drejt integrimeve evropiane. (voa)