Në Kosovë Gjykata Themelore në Prishtinë i caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh një zyrtari të thesarit të shtetit i cili u arrestua një ditë më parë nën dyshimet për transferimin e një shume prej mbi 2 milionë eurosh nga llogaria e thesarit në atë të një kompanie private.
Ai dyshohet se ka transferuar mbi 2.1 milionë euro përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë, LDA Group me seli në fshatin Llapushnik të komunës së Gllogocit, rreth 30 kilometra larg Prishtinës.
Autoritetet thanë se dy persona që janë të lidhur me këtë kompani ndodhen ne arrati.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, u tha gazetarëve të enjten se organet e rendit janë duke kryer punën e tyre për vënien e të gjithë përgjegjësve para drejtësisë.
“Mashtruesit dhe keqpërdoruesit brenda sistemit publik nuk kanë vend, do të dalin në sipërfaqe shumë shpejt, si minjtë kur u hyn uji”, tha kryeministri Hoti.
Transferimi i dyshuar i parave ndodhi në një periudhë kur vendi u përfshi nga debatet pasi qeveria e Kosovës vendosi të mbyllë Departamentin e Posaçëm të policisë kundër korrupsionit, i njohur si ‘Task Forca Anti-Korrupsion’. I themeluar në bazë të një vendimi të qeverisë së Kosovës të vitit 2010, ky departament përbëhet nga 30 zyrtarë policorë, të specializuar nga mekanizmat e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndjekjen e korrupsionit të nivelit të lartë.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, i tha Zërit të Amerikës se ky veprim “ngre shqetësime serioze rreth zotimin të Kosovës për ta luftuar korrupsionin”, duke theksuar se qeveria e Kosovës duhet “të qartësojë sa më parë të jetë e mundur” pozicionin e vet në luftën kundër korrupsionit.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e arsyetoi të mërkurën veprimin e qeverisë duke thënë se ky departament ishte themeluar me një vendim jo kushtetues. “Përmes këtij vendimi në policinë e vendit janë krijuar struktura jo ligjore, jo në përputhje me ligjin për policinë”, tha kryeministri Hoti.
Zonja Pisonero, tha se ky departament “luan rol thelbësor në luftën kundër korrupsionit, siç është nënvizuar edhe në raporti i Komisionit Evropian për Kosovën por edhe ai i monitorimit të drejtësisë i Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në të cilin kërkohet “fuqizimi i Task Forcës kundër Korrupsion në policinë e Kosovës si palë thelbësore në fushën e hetimeve kundër korrupsionit”.
Në një përgjigje me shkrim zyra për media e EULEX-it në Kosovë tha se ky departament “ishte në gjendje të zbulonte dhe të kryente hetime të profilit të lartë ku përfshiheshin persona të shquar dhe të ekspozuar politikisht, si dhe raste komplekse financiare, që kanë shkaktuar dëme prej miliona eurosh në buxhetin publik”.
Ekspertë të fushës së drejtësisë në Kosovë thonë se qeveria me këtë veprim ka penguar drejtësinë në rreth 56 raste të korrupsionit të nivelit të lartë që ishin në proces të hetimit nga ky departament.
“Fakti është që qeveria kur e ka shuar këtë taskë forcë nuk ka treguar fare se çfarë do të ndodhë me të, ku do të akomodohet dhe çka do të ndodhë me rastet që janë në proces. Me vet faktin që kjo task forcë është shuar, logjika është që këto raste do të kthehen në policinë e Kosovës, në departamentin për çështje ekonomike, i cili departament vec është i mbingarkuar me lëndë dhe nuk i ka kapacitetet e nevojshme profesionale e njerëzore për t’i trajtuar gjithë këto 56 raste, po flasim për raste që janë duke u hetuar e që janë multi milionëshe”, tha Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Ai thotë se këto raste lidhen me kërkesën e Bashkimit Evropian për rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë ndërsa me këtë vendim qeveria Hoti dërgoi sinjal të kundërt te partnerët ndërkombëtar.
“Zoti Hoti ka marrë një vendim i cili nuk është bërë në partneritet me faktorin ndërkombëtar, një vendim kaq i rëndësishëm nuk ka qenë fare në diskutim publik qoftë me grupe të interesit, qoftë me shoqërinë civile. Krejt në fund mesazhi është që zoti Hoti po u tregon të gjithë ligjzbatuesve në Kosovë se kush nuk i zbaton rregullat e partisë apo qeverisë time do ta ketë fatin e njëjtë”, thotë ai.
“Praktikat e tilla jo vetëm që e dëmtojnë Kosovën përbrenda si shtet dhe mirëqenien e qytetarëve të saj, por ndikojnë edhe në aspiratat ndërkombëtare që Kosova i ka, qoftë kjo në antarësimin në organizata ndërkombëtare, por edhe në procesin e liberalizimit të vizave. Ne e dimë që arsyetimi kryesor pse nuk kemi marrë liberalizimin e vizave është se Kosova është shtet i kapur ku niveli i korrupsionit është shumë i lartë”, thotë Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike e Politike.
Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rode, tha të mërkuren në një postim në Tëitter se vendimi i qeverisë ndikon negativisht edhe në investimet e huaja në vend, duke nënvizuar faktin se Gjermania është investitori më i madh në Kosovë, në gjysmën e parë të vitit 2020.
Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, thotë se në fakt vendimi i qeverisë është i pa arsyetuar dhe jo transparent.
“Është tejet shqetësues fakti që është shndërruar në normë të pranueshme shoqërore që secili koalicion qeverisës që vjen në pushtet, kur vëren që udhëheqës të institucioneve kyçe hetuese të korrupsionit e krimit të organizuar, fillojnë me shkarkime dhe në këtë rast edhe me shuarje të një departamenti në tërësi. Veprime të tilla kuptohet që konsiderohen edhe si tendencë për shtrirje të pushtetit dhe ndikimit politik, e të njejtat pastaj pasohen edhe me emërime që vijnë kryesisht nga persona partiak ose në bazë të interesave të partive që vijnë në koalicionin qeveritar”, thotë ajo.
Kosova këtë vit është renditur në vendin e 101-të në treguesin e korrupsionit në raportin e organizatës ndërkombëtare, Transparency International, tetë vende më keq sesa një vit më parë kur mbante vendin e 93-të.
voa