Kosovë: Në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese

ushtrimet per protestenGjykata Kushtetuese pritet që gjatë së enjtes ose së premtes ta publikojë vendimin e saj pro ose kundër, lidhur me dekretin e presidentit për formimin e qeverisë së re të Kosovës.

Ka mbetur vetëm edhe një ditë deri në afatin e fundit (29.05) që ia dha vetes Gjykata Kushtetuese për ta publikuar vendimin e saj nëse ka të drejtë ose jo presidenti i Kosovës që dekretoi Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës LDK, për ta formuar qeverinë e re të Kosovës. Qeveria e Albin Kurtit nga Vetëvendosje që doli e para në zgjedhjet e fundit, u rrëzua me një mocion mosbesimi në parlament nga 2/3 e deputetëve, mocion i inicuar nga LDK, që ishte partnere në koalicion me VV.

Akuza të ndërsjella

Vetëvendosja nuk po pajtohet që dikush tjetër pos partisë që doli e para në zgjedhje ta formojë qeverinë, ndërsa po kërkon zgjedhje të reja. Diskursi politik ndërmjet Vetëvendosjes dhe presidentit ditëve të fundit është ashpërsuar, duke e akuzuar njëri tjetrin për joligjshmëri në veprimet e ndërsjella dhe duke deklaruar secili në mënyrën e vet se Gjykata Kushtetuese do t’i japë të drejtë. Këto deklarime publike Gjykata Kushtetuese i ka quajtur presion ndaj saj dhe i ka kërkuar presidentit Thaçi dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të mos e paragjykojnë vendimin e saj. “Gjykata Kushtetuese po ndjek me shqetësim diskursin publik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga Presidenti dhe Kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike, të cilët duke akuzuar njëri-tjetrin për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese nga pala tjetër, po mundohen të ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të Presidentit për caktimin e mandatarit për krijimin e Qeverisë së re”, thuhej në një reagim të mëparshëm të Gjykatës.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet

Shumica e udhëheqësve politikë dhe institucionalë tashmë janë deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet cilidoqoftë ai. Në këtë linjë edhe ambasada amerikane në Prishtinë, është deklaruar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohet nga secila parti dhe secili institucion në vend, duke theksuar se “respektimi i vendimeve gjyqësore nuk është opsion, por është çështje kyçe për demokracinë kosovare”. “Ashtu siç edhe ka nënvizuar me parë ambasada, ne besojmë se është kyçe për demokracinë kosovare që të gjitha partitë dhe institucionet të respektojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, është deklaruar nga ambasada amerikane në Prishtinë.

Qeveria e Kosovës me kryeministër Albin Kurtin, ku ishte pjesë e saj edhe LDK, u rrëzua me mocion mosbesimi më 25 mars, mocion ky i iniciuar nga vetë LDK, pas përplasjeve dhe mospajtimeve që kishin me Vetëvendosjen dhe liderin e saj Albin Kurti. Ky i fundit, pas rrëzimit të qeverisë së tij në parlament po vazhdon të kërkojë zgjedhje të reja, ndërsa tentimin për krijimin e një qeverie të re pa partinë fituese në këtë rast Vetëvendosjen po e cilëson antikushtetues.

E në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, lëvizja Vetëvendosje për datën 28.05 pasdite, organizon një siç e quajnë ata një “performancë”, në sheshet kryesore të Prishtinës apo një “provë”, për protestë me një pjesëmarrje të paralajmëruar prej 3500 deri në 5000 veta. Ky tubim mundësohet pasi qeveria në detyrë nga sot hoqi kufizimet e liririsë së lëvizjës për gjithë ditën dhe ditëve në vijim, gjithnjë duke kërkuar nga qytetarët që në çdo tubim të respektohen masat siç janë ruajtja e distancës dhe vendosja e maskave mbrojtëse.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>