Kosovë: ngritje 100% e taksave doganore për produktet e Serbisë

RHQeveria e Kosovës vendosi të mërkurën të rritë taksën doganore për 100% për të gjitha produktet e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës që importohen në Kosovë.

Vendimi u mor sot në një mbledhje të qeverisë, vetëm disa ditë pasi që qeveria pati vendosur taksën prej 10% për produktet e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, vendim ky që ishte përcjellë me reagime të ashpra nga Serbia, por edhe nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, tha se marrëveshja e CEFTA-s (e cila garanton tregti të lirë për të gjitha vendet e rajonit), nuk ka funksionuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Prej një kohe të gjatë Kosova është penguar si në transport, ashtu edhe në analiza e në çdo instrument tjetër, prandaj CEFTA nuk ka funksionuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duke qenë kështu unë e përkrah propozimin e ministrit të Tregtisë, Endrit Shala”, tha Haradinaj. Ky i fundit e arsyetoi para kabinetit qeveritar propozimin për vendosjen e taksës doganorë për 100% për të gjitha produktet e Serbisë dhe Bosnjes e Hercegovinës.

“Siç e dini, prodhuesit kosovarë ballafaqohen me barriera të ndryshme jo tarifore në Serbi, produktet e të cilëve nuk mund të hyjnë në tregun e Serbisë. Autoritetet serbe nuk i njohin analizat e importuesve kosovarë dhe gjithashtu kërkojnë rivlerësim të mallrave të Kosovës. Për më tepër çështja e tranzitit mbetet ende një pengesë shumë serioze për kompanitë e Kosovës, ndërsa importohet nëpër vendet e BE-së dhe kalon nëpër territorin serb”.

“Përsa u përket barrierave tregtare me Bosnjën janë po të njëjtat, si ato me Serbinë. Shkëmbimet tregtare në mes Kosovës dhe Bosnjës tregojnë qartë se importet po rriten vazhdimisht, në krahasim me eksportet”, tha ministri Endrit Shala.

Ministri Shala, duke numëruar pengesat e tjera, që sipas tij i bën Serbia Kosovës, përmendi edhe industrinë e transportit, ku siç thotë “kamionët transportues të Kosovës nuk lejohen ta përdorin Serbinë si vend tranzit për në tregun e BE-së”.

Shala: Tregtia është marrëdhënie reciproke

“Askush nuk mund të kërkojë që të shesë produktet e veta në tregun tonë dhe të ndalojë produktet tona të shiten në tregun e tyre. Kjo është një marrëdhënie reciproke, të cilën ne me këmbëngulje kërkojmë që ta respektojmë”, tha ministri Shala.

Vendimi i sotëm i qeverisë së Kosovës që të ngrejë 100% taksat doganore për produktet e Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, ndodhi dy javë pasi qeveria pati vendosur taksën doganore prej 10% të produkteve të Serbisë. Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, tha sot se “vendimi i ri i së mërkurës, bëhet për të mbrojtur interesat vitale të shtetit të Kosovës.”

“Serbia ka vazhduar me fushata të egra e të ndyra kundër Kosovës, duke tentuar ta dëmtojë Kosovën në arenën ndërkombëtare, e me këtë duke e dëmtuar procesin e normalizimit mes dy vendeve. Kosova ka ndërmarrë hapin e parë me vendosjen e masës në import prej 10%, por, meqë kjo nuk ka mjaftuar që sjellja destruktive e Serbisë ndaj Kosovës të ndryshojë, qeveria e Kosovës sot ka marrë vendim që të vendosë taksë prej 100% për importin nga Serbia dhe Bosnja. Republika e Kosovës do t’i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për ta mbrojtur sovranitetin dhe interesin vital të shtetit””, shkroi në twitter Enver Hoxhaj.

KE pati kritikuar më parë Kosovën

Tash për tash akoma nuk ka ndonjë reagim nga qeveria e Serbisë, mirëpo, pas vendimit të dy javëve më parë (vendosjes së taksës prej 10%) pati reaguar Bashkimi Evropian dhe Beogradi. Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiq, pati thënë se “veprimi i qeverisë së Kosovës është shkelje e obligimeve të Kosovës sipas marrëveshjes së CEFTA-s.”

“BE po kërkon sqarime urgjente në lidhje me vendimin e papritur të sotëm nga qeveria e Kosovës për të imponuar një rritje prej 10% të taksave të importit për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina. Këto masa janë një shkelje e qartë e obligimeve të Kosovës sipas CEFTA-s. BE pret që Kosova, e cila aktualisht mban kryesimin e CEFTA-s, të përmbushë plotësisht detyrimet e CEFTA-s dhe të revokojë masën”, pati thënë Maja Kocijancic, duke e vlerësuar vendimin e qeverisë së Kosovës si “minim të bashkëpunimit rajonal”.

Ashpër pati reaguar edhe Beogradi zyrtar i cili pati thënë se me “vendosjen e taksës shtesë prej 10% për mallrat serbe dhe të Bosnjës dhe Hercegovinës, qeveria e Kosovës ka pamundësuar vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi”. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>