Kosovë: Nis zyrtarisht fushata për zgjedhjet lokale

zgjedhjet kosoveZgjedhjet për kryetarë komunash dhe asambleistë komunalë organizohen më 22 tetor, në 38 komuna të Kosovës. QUINT-i bënë thirrje për fushatë të qetë.

Në këto zgjedhje votohet drejtpërdrejt për kryetarë komunash dhe asamblesitë për kuvendet komunale. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka certifikuar subjektet politike garuese që do të marrin pjesë në këto zgjedhje. Janë gjithsej 91 subjekte politike, prej tyre një koalicion, 35 parti politike, 30 nisma qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur.

Zgjedhjet mbahen në 38 komuna të Kosovës, përfshirë edhe veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Organizatat e shoqërisë civile që monitorojnë proceset gjyqësore, thonë se subjektet politike kanë bërë përpjekje që të kandidojnë kandidatë të përgatitur mirë, ndërsa, fokusin kryesor e kanë në shtatë qendrat e mëdha të Kosovës, tek Prishtina, Mitrovica, Peja Gjakova, Gjilani, Ferizaj, Prizreni.

Proces zgjedhor i hapur dhe transparent

Me fillimin e fushatës për zgjedhjet lokale, ambasadorët e vendeve më të industrializuara, ai i Francës, i Gjermanisë, i Italisë, i Mbretërisë së Bashkuar dhe i Shteteve të Bashkuara, në një deklaratë të përbashkët ftojnë të gjitha partitë politike dhe kandidatët e tyre që të angazhohen për fushatë të lirë, me respekt, dhe të qetë.

“Qytetarët meritojnë një proces zgjedhor të hapur dhe transparent ku të gjithë kandidatët kanë të drejtën që të dëgjohen nga votuesit, ku pjesëtarët e mediumeve kanë të drejtën që pa kërcënim ose dhunë të shpërndajnë informata për zgjedhjet, dhe ku të gjithë votuesit kanë të drejtën që të marrin vetë vendimet e tyre pa presion”, thuhet në deklaratën e QUINT-it.

Jo frikësimeve, kërcënimeve dhe presioneve

Ambasadorët ritheksojmë se “liria për përkatësi politike dhe liria e fjalës janë të drejta të garantuara në një shoqëri demokratike”, duke tërhequr vërejtjen që frikësimi dhe imponimi janë veprime të dënueshme. “Ne fuqimisht dënojmë çdo veprim të çdokujt që tenton të ndikojë në procesin zgjedhor, apo që përmes frikësimit, kërcënimit dhe presionit tenton të ndikojë në zgjedhjet e bëra nga votuesit. Ne presim nga udhëheqësit e Kosovës dhe nga ata që kanë ambicie për udhëheqësi që të flasin fuqimisht kundër këtyre lloj sjelljesh dhe përkrahim përpjekjet e policisë vendore dhe të prokurorëve që të hetojnë çdo raport frikësimi, kërcënimesh apo detyrimi, dhe që t’i ndjekin penalisht këto nëse ka fakte”.

Vendet e QUINT-it, presin nga kandidatët që t’ju përmbahen këtyre standardeve gjatë gjithë fushatës dhe i nxisin votuesit që të zgjedhin mençurisht ata kandidatë të cilët më së miri do t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe të shtetit. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>