Pas shkarkimit nga presidentja të kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, kreu i zyrës së BE-së në Kosovë tha, se është e rëndësishme që të ruhet pavarësia e KQZ-së para zgjedhjeve lokale këtë vit.
Partitë politike opozitare tashmë siguruan nënshkrimet e deputetëve dhe do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese vendimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Daka. Opozita dhe vetë Valdete Daka, shkarkimin nga pozita e kryetares së KQZ-së e cilësojnë të “jashtëligjshëm, antikushtetues dhe vendim politik kundër një organi të pavarur”.
PDK: Presidentja mori një vendim politik
Udhëheqësi i partisë më të madhe opozitare Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se vendimi i presidentes për shkarkimin e kryetares së KQZ-së dëmton institucionet demokratike. “Vendimi i presidentes së Kosovës, urdhëruar nga Albin Kurti për të shkarkuar kryetaren e KQZ-së, është antikushtetues, dëmton institucionet demokratike, rrezikon zgjedhjet lokale dhe është fund e krye politik. Për të mbrojtur rendin kushtetues, institucionet demokratike e profesionale, si dhe të parandalojmë secilin akt të tillë në të ardhmen, Partia Demokratike e sheh të domosdoshëm dhe të pashmangshëm opinionin e Gjykatës Kushtetuese, për çka i kemi mbledhur edhe nënshkrimet”, tha Hoxhaj.
Vendimi: Daka cënoi pavarësinë e integritetin e KQZ-së
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tre ditë më parë i ndërpreu mandatin kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka dhe në vend të saj, emëroi gjyqtarin e Gjykatës së Apelit, Kreshnik Radoniqi. Shkarkimi i Valdete Dakës nga detyra e kryetares së KQZ-së, pasoi pakënaqësitë e shfaqura nga lëvizja Vetëvendosje, ndaj Valdete Dakës. Pjesë e listës së lëvizjes Vetëvendosja në zgjedhjet e 14 shkurtit ishte edhe vetë zonja Osmani me një numër të kandidatëve të saj. Në vendimin e presidentes Osmani për shkarkimin e zonjës Daka nga detyra e kryetares së KQZ-së, thuhet ndër të tjera se “Kryesuesja e KQZ-së me veprimet e saj, sidomos përgjatë procesit të zgjedhjeve të parakohshme të 14 shkurtit 2021, ka cënuar pavarësinë dhe integritetin e KQZ-së”.
Valdete Daka: Vendim i porositur
Edhe ish-kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka nuk pajtohet me vendimin e presidentes dhe paralajmëroi se do t’i ndjekë të gjitha rrugët ligjore për rastin e saj, duke iu drejtuar edhe gjykatës kompetente. “Ky është vendim jo kushtetues dhe i pa mbështetur në ligj. Arsyetimi i dhënë në shkarkimin tim jo që është i paligjshëm por edhe kontradiktor dhe qesharak. Ky është vendim i porositur. Ky vendim i bërë publik pasditen e së hënës shihet qartë se ishte përgatitur më herët, këtë e dëshmon edhe fakti i emërimit të kryetarit të ri të KQZ brenda pak minutave. Publikimit të këtij vendimi i ka paraprirë takimit tim me presidenten ku ajo më kërkoi të japë dorëheqje në mënyrë të vullnetshme dhe në këmbim do të pranoj falënderime publike për punën e deritashme dhe më premtoi vazhdim të bashkëpunimit në të ardhshmen. I kam thënë se e kam përmbushur detyrën time sipas Kushtetutës”, tha në reagimin e saj Valdete Daka.
Vendimin e presidentes Osmani për shkarkimin e Valdete Dakës e ka cilësuar si shkelje kushtetuese edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. “Është shkelje e pastër Kushtetuese. Parametri kushtetues është kushtetuta jonë. Po qe se shkon në kushtetuese, Gjykata Kushtetuese kurrë nuk mund ta arsyetojë se shkarkimi i kryesueses së KQZ-së mund të bëhet nga presidentja siç e ka bërë presidentja e Kosovës. Që ta kemi të qartë, asnjë kompetencë e presidentit të Kosovës dhe presidentëve që kanë sistem të ngjashëm me ne, nuk kanë kompetencë ekzekutive, të gjitha janë zinxhirore. Kushtetuta e thotë shumë mirë se presidenti ka të drejtë vetëm për të emëruar kryesuesin e KQZ, që do të thotë për të aminuar zgjedhjen e bërë nga Apeli ose Supremja e Kosovës”, tha Enver Hasani.
Reagime të shoqërisë civile: Vendim i motivuar politikisht
Edhe shumë organizata të shoqërisë civile, shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e kryetares së KQZ-së, e cilësuan “të motivuar politikisht, si rezultat i ndërrimit të pushtetit në Kosovë pas zgjedhjeve të fundit”. Albert Krasniqi nga rrjeti i organizatave Demokracia plus, shkroi se kompetencat e presidentit të Kosovës janë të shumta, por jo aq sa ka vepruar presidentja Osmani. Presidentja Osmani në vendimin për shkarkimin e kryesueses së KQZ-së, ka marrë rolin e katër institucioneve të tjera: Gjykatës Kushtetuese, Kuvendit, PZAP-së dhe Agjencisë për Informim dhe Privatësi”, shkroi Krasniqi, sipas të cilit është i domosdoshëm interpretimi nga Gjykata Kushtetuese.
Zgjedhjet lokale në Kosovë do të mbahen më 17 tetor të këtij viti. Zyra e Bashkimi Evropian në Kosovë, pas shkarkimit të zonjës Valdete Daka nga pozita e kryetares së KQZ-së, tha se “është e rëndësishme të ruhet pavarësia e KQZ, duke siguruar përgatitje profesionale për zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vit”. “Jemi njoftuar për vendimin e presidentes Osmani për të shkarkuar shefin e KQZ-së, e për të caktuar një të ri. Është e rëndësishme që të gjitha procedurat të jenë në linjë me ligjet e Kosovës dhe që pavarësia e KQZ-së të ruhet duke siguruar përgatitje profesionale në kohë për zgjedhjet lokale dhe për reformat në ligjin për zgjedhje”, shkroi Tomas Szunyog, shef i zyrës së BE-së në Kosovë.
dw