Kosovë: Pa shpresë për dalje nga ngërçi politik

kuvendi i ksDështoi sërish seanca konstituuese e parlamentit të Kosovës për të enjten (10.08) Koalicioni PAN, siç kishte paralajmëruar e bojkotoi seancën.

Subjektet politike parlamentare nuk po mund të merren vesh për vazhdimin e seancës konstituuese të Kuvedit të Kosovës të ndërprerë më 3 gusht. Një takim – siç u quajt – konsultativ i partive politike i thirrur të mërkurën (09.08) nga kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci, nuk solli ndonjë marrëveshje për vazhdim të seancës, për faktin që para këtij takimi kryesuesi kishte caktuar vazhdimin e mbajtjes së seancës konstituuese për të enjten. Kjo u cilësua e papranueshme nga shefi i grupit parlamentar të koalicionit fitues të zgjedhjeve PAN, Enver Hoxhaj, i cili tha se “nëse seanca caktohet në mënyrë të njëanshme nga kryesuesi i seancës që vjen nga lëvizja Vetëvendosje, atëhërë pse duhet të ndodhë një ditë përpara takimi konsultativ për partitë politike dhe të flitet për vazhdimin e seancës. Nëse situata është kështu, atëherë PAN, nuk do të marë pjesë në seancën e nesërme”, tha Enver Hoxhaj.

E nëse koalicioni PAN nuk merr pjesë në seancë nuk mund të vazhdohet më tej, për faktin që kushtetuta e Kosovës e përcakton se subjekti politik që del fitues i zgjedhjeve parlamentare duhet ta propozojë kandidatin për kryetar kuvendi. E kandidati për kryetar kuvendi i koalicionit PAN është Kadri Veseli, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), emër ky i papranueshëm nga subjektet e tjera politike, lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni tjetër LAA, ku bëjnë pjesë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Kosovën e Re (AKR) dhe Alternativa.

Pal Lekaj që vjen nga koalicioni PAN, pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, akuzoi lëvizjen Vetëvendosje dhe koalicionin LAA, që siç tha – po bëjnë lojëra politike “pavarësisht që e dinë që koalicionit fitues të zgjedhjeve i takon posti i kryetarit të kuvendit.”

Përfaqësues të lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionit LAA, nga ana e tyre thonë se ata mund ta votojnë për kryetar kuvendi ndonjë kandidat tjetër nga koalicioni PAN, të pranueshëm për ta, por asesi Kadri Veselin, të cilin e cilësojnë figurë jounifikuese. Glauk Konjufca, shef i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje që nuk mori pjesë në takimin konsultativ, tha se është koalicioni PAN, ai që po i bllokon proceset e krijimit të institucioneve. “Koalicioni PAN po kërkon shtyrje të vazhdueshme për faktin që nuk i kanë votat e nevojshme për ta zgjedhur kryetarin e kuvendit në këtë rast Kadri Veselin. Ne nuk pajtohemi që të ketë mbledhje politike të pafundme.

Deputetët e kanë bërë betimin e tyre dhe tash ka vetëm një çështje konstituimi i kuvendit. Nëse PDK nuk heq dorë nga Kadri Veseli dhe insistojnë në të, atëherë, le ta nxjerrin në votim Kadri Veselin dhe ta kuptojmë të gjithë a po kalon apo jo. Ne mendojmë se kjo është një strategji e PAN për të blerë kohë, sepse nuk i kanë votat e mjaftueshme”, tha Glauk Konjufca.

Edhe Korab Sejdiu nga koalicioni tjetër LAA që e kundërshton kandidaturën e Kadri Veselit për kryetar kuvendi tha, se koalicioni PAN po vazhdon me sabotimin e konstituimit të kuvendit.

“Megjithatë, ne i themi koalicionit PAN, që ta zgjedhin ata pra datën e konstituimit të seancës. Ne pajtohemi që pas seancës së nesërme që tashmë është caktuar nëse koalicioni PAN nuk vjen në këtë seancë, atëherë të mbahet edhe një takim konsultativ dhe ta caktojmë datën e seancës së radhës në bazë të propozimit të koalicionit PAN. Por kjo duhet gjithmonë të ketë garanci nga koalicioni PAN, që nuk do të ketë më sabotim të institucioneve”, tha Korab Sejdiu, nga koalicioni LAA.

Një qëndrim konstruktiv në këtë situatë po e mbajnë deputetët e Listës “Srpska”. Ata Tashmë e bënë të qartë, se do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës konstituuese të kuvendit të Kosovës. Ky subjekt politik sipas zëdhënësit të saj, nuk dëshiron të jetë pengesë për konsolidimin e institucioneve të Kosovës.

“Ne nuk dëshirojmë të jemi pengesë në formimin e institucioneve, në fakt dëshirojmë që kjo çështje të përfundojë sa më shpejtë. Nga ana tjetër ne nuk mundemi të zgjedhim, se kush do t`i përfaqësojë shqiptarët dhe këtë nuk dëshirojmë ta bëjmë. Janë partitë shqiptare ato që duhet të merren vesh dhe ta propozojnë kandidatin për kryetar të kuvendit. Lista Serbe do ta votojë cilindo kandidat të PAN-it, meqenëse vetëm ky koalicion ka të drejtë kandidimi të kryetarit të kuvendit”, është shprehur Igor Simiq.

Sidoqoftë, dy herë radhazi deputetët e kuvendit të Kosovës pasi dhanë betimin (03.08), dështuan ta konstituojnë kuvendin, ta zgjedhin kryetarin dhe kryesinë, në mënyrë që t’i hapet rruga formimit të qeverisë së Kosovës. Mirëpo, para se të votohet për qeverinë, hapi i parë është zgjedhja e kryetarit të kuvendit. Nëse nuk mund të kalohet ky “ngërç”, që tashmë është krijuar, sipas njohësve të proceseve politike, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja. Është edhe ambasadorja gjermane në Kosovë, Angelika Viets, e cila në një intervistë për DW, shprehu shqetësimin e saj, duke thënë, se “skenari më i mundshëm është një fazë e gjatë të mungesës së stabilitetit politik deri në zgjedhje të reja”. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>