Kosovë: Parlamenti heton deportimin e gjashtë shtetasve turq

parlamenti ksKuvendi i Kosovës e ka mandatuar Komisionin Hetimor që të shqyrtojë përputhshmëritë e procedurave të ndjekura me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, lidhur me arrestimin dhe deportimin nga Kosova të gjashtë shtetasve turq.

Pas një seance të jashtëzakonshme dhe debateve të gjata deri në orët e mbrëmjes së ditës së mërkurë (04.04), Parlamenti i Kosovës me shumicë votash miratoi një rezolutë me të cilën do të formohet një komision hetimor parlamentar, për të ndriçuar rastin e deportimit të gjashtë shtetasve turq nga Kosova. Tre drejtuesit kryesorë të shtetit: presidenti, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit kanë deklaruar se nuk kanë pasur informacione për këtë operacion që u zhvillua me (29.03) nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Përbërja e rezolutës

-Formohet Komisioni Hetimor Parlamentar për ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq me datë 29 mars 2018.

-Kërkohet nga Grupet Parlamentare që brenda tre ditësh të dërgojnë në Kryesinë e Kuvendit emrat e përfaqësuesve të tyre në këtë Komision, në përputhje me Ligjin për Hetime Parlamentare

.

-Në funksion të ndriçimit të kësaj çështjeje, Kuvendi obligon të gjitha institucionet relevante që lidhen me çështjen në fjalë t’i përgjigjen kërkesave të Komisionit Hetimor

-Kuvendi mandaton Komisionin Hetimor të shqyrtojë përputhshmëritë e procedurave të ndjekura lidhur me këtë rast me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Gjashtë shtetasit turq me datën 29 mars u arrestuan në Kosovë dhe të njëjtën ditë u deportuan në Turqi. Ata ishin drejtues dhe profesorë në kolegjin “Mehmet Akif” në Kosovë, pjesë e rrjetit të shkollave “Gulistan”, të organizatës Feto, që në Turqi cilësohet organizatë “terroriste”.

Autoritetet kanë shkelur të drejtat e njeriut

Shumë organizata të shoqërisë civile në Kosovë që angazhohen për të drejtat e njeriut, thanë se gjashtë shtetasve turq u janë shkelur të drejtat dhe ata u deportuan në Turqi, pa ju dhënë e drejta e ankesës për heqjen e leje-qëndrimit në Kosovë. Një hetim për këtë rast e ka nisur edhe avokati i popullit, i cili tha për mediet lokale se, shqetësimet e tij kanë të bëjnë me “zbatimin e ligjeve vendore, përkatësisht ligjit për të huajt që në një vlerësim paraprak këto ligje nuk janë zbatuar”.

“Kemi hapur hetime në momentin kur kemi kuptuar që ata janë deportuar nga Kosova. Kjo është në kundërshtim të plotë me standardet ndërkombëtare që janë të zbatuesh

me në Kushtetutën e Kosovës. Kjo konsiderohet si një prej shkeljeve më të rënda që ka të bëjë me mbrojtjen nga keqtrajtimi, turpërimi, trajtimi ç’njerëzor dhe degradues që është neni 3 i Konventës Evropiane”, thotë avokati i popullit, Hilmi Jashari.

“Konventa Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj, saktëson qartë garancitë procedurale në lidhje me dëbimin e të huajve. Në kuptim të nenit 3, nenit 6, nenit 8 dhe nenit 13 të KEDNJ-së, ashtu siç edhe Parimit themelor të mos-kthimit, sipas Konventës për Refugjatë të vitit 1951, përgjegjësia bie tek autoritetet shtetërore kompetente lidhur me situatën e krijuar”, thuhet në një njoftim të avokatit të popullit.

Akuzat mes Erdoganit dhe Haradinajt

Deportimi i gjashtë shtetasve turq nga Kosova dhe dorëzimi tek autoritetet e Turqisë, për të cilin veprim pasi e mori vesh nga mediet, ishte kundër kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj. Menjëherë ka reaguar edhe presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i cili kërcënoi kryeministrin Ramush Haradinaj. “Haradinaj do ta paguajë”, tha Erdogan, pas vendimit të kryeministrit Haradinaj  që ta shkarkojë ministrin e Brendshëm dhe shefin e AKI.

Gjashtë shtetasit turq akuzohen nga autoritetet turke për “terrorizëm”, si pjesëtarë të organizatës që drejtohet nga kleriku Fetullah Gylen, i strehuar në SHBA-së. E Ramush Haradinaj në kundërpërgjigjen e tij për Presidentin Erdogan, tha se “Kosova nuk ka hyrë në asnjë punë të brendshme të Turqisë”.

“Për ata që nga larg na gjykojnë dua t’u them se nuk na njohin, ju mungon njohja për shqiptarët në trojet e tyre, në atdheun e tyre. Bëjnë mirë të na njohin, sepse kur na njohin e dinë mirë se nuk është në traditën tonë me hy në punët e shtëpisë së dikujt tjetër”, tha Haradinaj. Ai shtoi se “Kosova dhe unë nuk kemi hyrë në asnjë punë të brendshme të Republikës së Turqisë. E punët tona të shtëpisë nuk do t’i bëjë kurrë askush në emër tonë në Kosovë, do t’i bëjmë vetëm ne, atëherë kur i bëjmë”.

Arrestime edhe në vendet tjera?

Agjencia gjermane e lajmeve DPA, shkruan se “Qeveria e Turqisë është zotuar se do të kryejë operacione tjera jashtë territorit të saj, për të sjellë në Turqi mbështetësit e klerikut fetar Gulen, të cilin Ankaraja zyrtare e akuzon për përpjekjen për grushtshtet në Turqi në gusht të vitit 2016. Bekir Bozdag, zëvendëskryeministër turk, ka thënë madje se  “Shërbimi kombëtar i inteligjencës turke deri tash ka kapur 80 anëtarë të FETO-s në 18 vende dhe i ka sjellë ata në Turqi”. Por ai nuk ka dashur të saktësoj në cilat vende ka qenë aktiv shërbimi sekret turk. Më pas zëdhënësi i Erdoganit, Ibrahim Kalin, tha se Turqia nuk është përfshirë në asnjë aktivitet ilegal jashtë vendit. Në Kosovë për shembull, sipas tij, kthimi i personave me shtetësi turke është bërë në marrëveshje me autoritetet lokale. Dhe pikërisht sqarimi i veprimit të autoriteteve vendore duhet të jetë detyra kryesore e Komisionit hetimor parlamentar. (dw)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>