Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, shpalli të enjten dekretin me të cilin i propozon parlamentit të Kosovës, Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike për formimin e qeverisë së re të Kosovës.
Në dekret thuhet se zoti Hoti ka 15 ditë afat për të paraqitur përbërjen e qeverisë së re dhe të kërkojë miratimin e saj në parlamentin e Kosovës.
Presidenti Thaçi e shpalli dekretin pasi mori nga Lidhja Demokratike letrën me të cilën ajo e njofton se ka siguruar shumicën parlamentare.
“Në ditët në vijim një tjetër qeveri e re, mund të votohet në Kuvendin e Kosovës, sërish në përputhje të plotë me Kushetutën e Kosovës dhe më rendin demokratik të Republikës sonë, duke marrë parasysh legjitimitetin e qartë nga deputetët e Kuvendit të Kosovës dhe zotimin që u dëshmua sot i shumicës së re parlamentare”, tha ai.
Presidenti Thaçi tha se të gjithë duhet t’i respektojnë në tërësi këto procedura.
“Duhet të pajtohemi me faktin që pushteti fitohet dhe humbet në respektim të plotë të Kushtetutës dhe rendit demokratik të vendit. Askush nuk mund të pretendoj që me metoda tjera krejtësisht jo demokratike mund ta marrë ose ta mbajë apo uzurpoj pushtetin”, tha presidenti Thaçi.
Pak kohë pas dekretimit, Lidhja Demokratike e Kosovës dorëzoi kërkesën që parlamenti i Kosovës të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme ditën e shtunë në orën 13 për të votuar kabinetin e zotit Hoti.
Ky proces kundërshtohet nga lëvizja Vetëvendosje e cila kërkon zgjedhje të reja pas pandemisë së koronavirusit.
Kjo lëvizje dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentit. Bashkë me kërkesën për vlerësim lëvizja Vetëvendosje i kërkoi Gjykatës edhe vendosjen e masës së përkohshme, sipas së cilës të gjitha veprimet pushojnë në pritje të vendimit të Gjykatës.
Arbërie Nagavci, nënkryetare e parlamentit nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje tha se “vendosja e firmës në këtë dekret është vetëm se vendosja e një vule në shkeljen me paramendim të Kushtetutës që ai po e bën tashmë e një kohë. Pra të gjithë kemi qenë dëshmitarë për presionin e vazhdueshëm që presidenti jashtë mandatit të tij e ka bërë mbi lëvizjen Vetëvendosje dhe për kërkesat e shumta të një pas njëshme që i ka dërguar kryeministrit në detyrë zotit Kurti. Kemi parë përzierjen e vazhdueshme të presidentit duke ndikuar te partitë politike dhe në anën tjetër duke anashkaluar tërësisht fituesin e zgjedhjeve”, tha ajo, duke theksuar se presidenti në dekretin e tij po i referohet nenit 95 të Kushtetutës, duke anashkaluar në tërësi nenin 82 të saj.
Përgjatë gjithë debateve rreth formimit të qeverisë së re pas rrëzimit të qeverisë së kryeministrit tashmë në detyrë, Albin Kurti me 25 mars, Vetëvendosje dhe presidenti janë përplasur rreth këtyre neneve të Kushtetutës.
Presidenti Thaçi mbështetet në nenin 95 të Kushtetutës së Kosovës në të cilin thuhet që “nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë”.
Ndërsa lëvizja Vetëvendosje dhe zoti Kurti kërkuan vazhdimisht që të veprohet sipas nenit 82 të Kushtetutës, sipas të cilit “Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë”.
voa