Kosovë: Protestë ndaj vizitës së pelegrinëve serbë

policia protesta gjakoveProtestuesit thanë se vizita e tyre është e papranueshme duke pasur parasysh se Beogradi nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë duke përfshirë Gjakovën, që ishte një nga komunat më të prekura.

Policia e Kosovës tha se kishte marrë të gjitha masat për të siguruar që protesta të kalonte pa incidente dhe bëri të ditur se kishte arrestuar një person për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

Çdo vit pelegrinë serbë, që thonë se janë persona të zhvendosur nga Gjakova në vitin 1999, shkojnë në këtë kishë për Krishtlindjet ortodokse.

Vitin e kaluar ish ministri për kthimin dhe komunitetet, Aleksandar Jabllanovic, i quajti “egërsira” protestuesit në Gjakovë, të cilët po përpiqeshin të pengonin disa pelegrinë serbë të vizitonin Gjakovën me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse. Deklaratat çuan në organizimin e protestave për shkarkimin e tij, të cilat u shoqëruan me dhunë që la dhjetëra të plagosur. Gjakova është një vendet më të prekura nga lufta në Kosovë.

Rreth 1 mijë e 200 civilë të qytetit u vranë gjatë luftës, ndërsa 60 persona ende rezultojnë të zhdukur. (voa)

GJAKOVARËT NUK I DUAN NË QYTET ATA QË DIKUR I VRANË

Sanije Berisha po kundërshton që disa herë që në qytetin e saj po kthehen qytetarët serb, ata të cilët dikur sipas Berishës ja vranë djalin.

Për të është e papranueshme që në qytetin e saj serbët të festojnë krishtlindjet dhe të kthehen në këtë qytet e të bëhen sikur asnjëherë s’ka ndodhur asgjë.

Ajo, bashkë me një grup të vogël qytetarësh dolën në orën 09:00 para Kishës Ortodokse në Gjakovë.

Që në fillim kur protestuesit u mblodhën para kishës, prezent ishte edhe Policia e Kosovës. Ata larguan protestuesit nga hyrja e kishës duke i zhvendosur në një distancë më të largët. Gjatë zhvendosjes së protestuesve, policia hasi edhe në rezistencë të tyre, ku si rezultat i kësaj u arrestua një protestues.

Edhe Sanije Berisha kundërshtonte fuqishëm që të largohej nga Policia. Ajo, madje u ul në borë para kishës dhe nuk donte të largohej.

Berisha thotë se në Gjakovë serbët përsëriten Sebrenicën.

“A e dini çfarë krime kanë bo. Sebrenica e dytë është në Gjakovë. Me gjithë ato viktima dhe vjen ai këtu me na provoku neve si familjar. 17 vjeçar djalin ma kanë vra, 6 vjet nuk e kam ditë ku është edhe me ardh këta aq kollaj. S’jom veç unë, plotë nana ka këtu, ama që s’kemi përkrahje”,tha ajo.

Pas zhvendosjes së protestuesve nga hyrja e Kishës, policia vendosi një rrethojë metali për të penguar kalimin e protestuesve drejtë kishës.

Nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, autobusi i cili barte pelegrinët serbë, hyri në vendin ku do të mbahej ceremonia, derisa protestuesit brohorisnin kundër tyre si dhe hidhnin vezë dhe gjësende të forta.

Në lidhje me këtë vizitë të pelegrinëve serb, kryetari i Listës Serbe, Sllavo Simiq u shprehë i pakënaqur që këtë vizitë e bënë nën përcjelljen e policisë derisa shtoi se Gjakova duhet të jetë qytet multietnik.

Ai në lidhje me luftën dhe krimet në Kosovë tha se fajin e kanë jo vetëm serbët por edhe shqiptarët.

Ndërsa Gjukica Stanojeviq tha se duhet të pranohet realiteti se edhe serbët janë pjesë e Gjakovës. Ai tha se serbët kërkojnë të kthehen në Gjakovë.

Ndërsa në lidhje me luftën në Kosovë ai tha se nga kjo luftë pësuan kosovarët po edhe serbët. Ai shtoi se lufta ishte fatkeqësi për të dy popujt, ku sipas tij për shkak të kësaj lufte ende ka shqiptarë dhe serbë që përballen me pasoja.

E indinjuar me këtë vizitë është shprehur edhe Lirie Haraqia, qytetare e Gjakovës që gjatë luftës kishte humbur disa pjesëtar të familjes.

“Policia e kryen ndoshta detyrën e vet por unë po iu lutna keni pak konsideratë për ne se na mbrëmë s’kemi fjetur ton natën për me mendu sot me ardhë, për me iu tregu se këtu nuk kanë më vend. Veç ta shprehim atë mllefin se na nuk mundemi kurrgjë tjetër me bo. Veç ta shprehi atë mllefin që është kah më vlon në brendësi të trupit”, tha ajo.

Pas largimit të pelegrinëve dhe përfundimit të protestës së qytetarëve drejtori i policisë në Gjakovë Kristë Gjoka, tha se gjithçka ka shkuar pa asnjë incident me përjashtim të një arrestimi.

Pas kryerjes së riteve fetare pelegrinët serb me përcjelljen e policisë së Kosovës janë larguar nga kisha ndërsa të qetë janë shpërndarë edhe protestuesit. (rtk)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>