Qeveria e Kosovës miratoi të premten raportin përfundimtar të Komisionit shtetëror për matjen e territorit, një hap ky me të cilin, sipas autoriteteve i hapet rruga ratifikimit në parlament të marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha se edhe me këtë raport vërtetohet se Kosova nuk humb territor nga marrëveshja për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
“Jam i lumtur që qëndrimet që i kemi pasur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vlerësimet e komisionit ndërkombëtar të caktuar nga ish presidentja Atifete Jahjaga dhe Komisionit Shtetëror, përputhen me të dhënat e këtij komisioni. Kjo tregon që Kosova nuk ka humbur territor. Kemi argumentet e plota dhe të pakontestueshme që Kosova nuk ka humbur territor dhe besoj që kjo do i hap rrugë ratifikimit”, tha ai.
Kryeministri Mustafa tha se materiali do t’u dërgohet presidentit dhe deputetëve që të njoftohen për të gjeturat.
“Jam i bindur se ky raport do të jap rezultate në unifikimin e spektrit politik dhe ftoj për unifikim të spektrit politik. Po ashtu besoj që ky raport do t’u hap rrugë edhe proceseve integruese”, tha kryeministri Mustafa.
Udhëheqësit e institucioneve janë vënë në përpjekje për të bindur deputetët, por sfidë mbetet mungesa e përkrahjes nga vet deputetët e shumicës.
Autoritetet thonë se përmbyllja e çështjes së kufirit me Malin e Zi është me rëndësi strategjike dhe politike për qytetarët e Kosovës pas zhvillimeve të fundit në rajon.
Çështja e marrëveshjes për shënimin e kufirit me Malin e Zi nxiti mospajtime të thella që çuan në krizë politike. Debati për kufirin në Kosovë është përcjellë për një kohë të gjatë me skena të dhunshme në parlament e ndonjëherë edhe jashtë tij.
Opozita thotë se marrëveshja e dëmton Kosovën për mbi 8 mijë hektarë tokë dhe hedh poshtë pohimet e Komisionit Shtetërorë për kufirin se shënimi i tij është në pajtim me dokumentet në fuqi, përfshirë edhe planin në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës. Ajo paralajmëron se do të kundërshtojë me të gjithë mjetet ratifikimin e marrëveshjes.
Kjo çështje pritet të jetë pjesë e vizitës së shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini e cila do të qëndrojë të shtunën në Kosovë. (voa)