Kosovë: QUINT-i detyra e parë zgjedhja e presidentit dhe lufta kundër COVID

KurtiBE pret nga institucionet e reja të Kosovës që të vazhdojnë dialogun me Serbinë në mënyrë që të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.

Ambasadorët e vendeve më të industrializuara, të njohura si vendet e QUINT-it në Kosovë i kërkuan partive politike, atyre në pushtet dhe opozitës që të punojnë për prioritetet e përbashkëta, duke theksuar qartë se detyrë e parë është zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës.

Kosova ka nevojë për stabilitet

Deklarata e QUINT-it erdhi vetëm një ditë pasi parlamenti i Kosovës e votoi qeverinë e Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti. “Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës urojnë qeverinë e re dhe Kuvendin dhe i nxitin të gjitha partitë politike të luajnë rol të përgjegjshëm në njohjen e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit si mandat i dhënë nga populli për qeveri efektive”, theksohet në deklaratën e QUINT.

Ambasadorët e vendeve kryesore perëndimore theksojnë se “në këtë kohë të pandemisë dhe sfidave ekonomike, Kosova ka nevojë për udhëheqje politike të vendosur dhe institucione qeverisëse funksionale që sigurojnë stabilitet, përfshirë edhe presidencën. Adresimi i këtyre sfidave do të kërkojë që prijësit e partive politike dhe deputetët e zgjedhur tani t’i vënë nevojat e qytetarëve të Kosovës mbi çështjet partiake politike dhe që opozita dhe qeveria të punojnë për prioritetet e përbashkëta, e detyra e parë është zgjedhja e presidentit të ri.”

BE përshëndet dhe kërkon vazhdimin e dialogut

Formimi i institucioneve të reja të Kosovës u përshëndet edhe nga zyrtarët e lartë të Bashkimit Evropian, të cilët theksuan rëndësinë e vazhdimit të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve. “Presim që të punojmë së bashku për të sjellë një përfundim të suksesshëm të dialogut Beograd-Prishtinë. Kjo është thelbësore për rrugën evropiane. BE-ja mbështet plotësisht agjendën e reformave dhe trajtimin e COVID-19”, shkroi në Twitter, Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Edhe Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, ka uruar formimin e institucioneve të reja të Kosovës, duke rikujtuar sërish që dialogu me Beogradin dhe normalizimi i raporteve është çështje kyçe. “Pres që të punoj së bashku me ju për të çuar përpara reformat në rrugën evropiane dhe vazhdimin e luftës kundër COVID-19”, shkroi Varhelyi.

Zgjedhja e presidentit  – sfida e parë

Parlamenti i Kosovës u konstituua të hënën me (22.03) dhe zgjodhi qeverinë e re me kryeministër Albn Kurtni. Ky i fundit e mori sot zyrtarisht detyrën nga paraardhësi i tij Avdullah Hoti. E detyra e radhës së parlamentit të ri është zgjedhja e presidentit të vendit. Pretendetja për këtë post është Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e 14 shkurtit garoi me një listë me Vetëvendosjen e Albin Kurtit. Por, për t’ia siguruar votat Vjosa Osmanit, Kurtit i duhet të ketë të pranishëm në sallë të parlamentit të paktën 80 deputetë që për momentin nuk i ka.

Dy partitë shqiptare që tashmë janë në opozitë LDK dhe AAK, nuk janë deklaruar deri tash që do ta mbështesin Vjosa Osmanin për presidente, ndërkohë që PDK ka një qëndrim të prerë për këtë çështje. Udhëheqësi i Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj, thotë se partia e tij është konsultuar për çështjen e presidentit dhe nuk do ta mbështesin Vjosa Osmanin.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës AAK Ramush Haradinaj thotë se partia e tij nuk dëshiron që “pushteti do të koncentrohej në një parti të vetme”, duke lënë të kuptohet se nuk do ta mbështesin Vjosa Osmanin për presidente. Edhe lideri i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u shpreh se LDK nuk do të votojë siç thotë “president partiak”.

Ndërkohë shumica nga përfaqësuesit e komuniteteve jo shumicë në Kosovë kanë shprehur mbështetjen e tyre për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit dhe qeverisë. E përfaqësuesit e Listës Srpska, nuk kanë thënë qartë, nëse do ta votojnë presidentin e ri. Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse kjo dështon në dy raunde, organizohet votimi i tretë ku pretendenti për president duhet të ketë së paku 61 vota, por gjithsesi duhet të jenë në sallë 80 deputet nga 120 sa i ka kuvendi i Kosovës. Nëse edhe në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Kosovës, automatikisht shpërndahet parlamenti dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen jo më larg se brenda 45 ditësh.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>