Kosovë: Reagojnë BE, NATO dhe KFOR-i

Josep BorrellShefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell kërkoi që serbët të kthehen në institucione dhe Kosova të zgjasë afatin për targat dhe të themelojë Asociacionin.

 

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell u bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit “që të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të çojë në tensione të mëtejshme”. Në një deklaratë për medie, Borrel tha se “zhvillimet e fundit vënë në rrezik vitet e punës së palodhur në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi. Këtë deklaratë, Josep Borrel e bëri pas vendimit të serbëve për largimin nga institucionet e Kosovës dhe ku pati edhe biseda telefonike të ndara me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuciq dhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti.

“Zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i vënë në rrezik vitet e punës së palodhur dhe arritjet e arritura në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe pengojnë situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë”, tha Borrel. Sipas tij, tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje e mosmarrëveshjeve aktuale, pasi sipas tij, ky veprim ka potencialin për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.

 

Potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet

“Ne u bëjmë thirrje Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës që të respektojnë obligimet e tyre të dialogut dhe të kthehen në institucionet e Kosovës për të përmbushur detyrat e tyre, duke përfshirë policinë, gjyqësorin dhe administratat lokale”.

 

Ndërsa në anën tjetër, shefi i diplomacisë evropiane i kërkoi Kosovës “që të zgjatin menjëherë procesin e riregjistrimit të automjeteve duke e pezulluar kështu edhe vendimin për ndërshkimin e shoferëve të automjeteve me targa ‘KM’.

 

BE i kërkon Kosovës të nisë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit

“Në të njëjtën kohë, BE-ja përsëri u kërkon autoriteteve të Kosovës që të respektojnë detyrimet e tyre pa vonesë. Kjo nënkupton zgjatjen e menjëhershme të procesit të riregjistrimit të automjeteve dhe pezullimin e çdo veprimi ndëshkues ndaj mbajtësve të targave KM. Çështja e targave mund të zgjidhet nga palët në kuadër të dialogut”, tha Borrel. Po ashtu shefi i diplomacisë Evropiane tha se Bashkimi Evropian i kërkon Kosovës që të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

 

“Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur që Asociacioni duhet të krijohet. Prandaj, themelimi i saj është obligim ligjor për Kosovën. Dështimi i vazhdueshëm i zbatimit të këtij obligimi cenon parimin e sundimit të ligjit dhe dëmton reputacionin dhe kredibilitetin e Kosovës”, thotë Borrel. Sipas tij, është përgjegjësi e palëve që të garantojnë paqen dhe stabilitetin.

 

Zgjidhje konstruktive

“Çdo veprim, si djegia e makinave, ose retorika frikësuese që mund të çojë në tensione, është e papranueshme dhe do të shkaktojë një reagim të duhur nga komuniteti ndërkombëtar. Në koordinim të ngushtë me NATO/KFOR-in dhe Policinë e Kosovës, Misioni i BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX) është i gatshëm të sigurojë stabilitet në terren në Kosovë në rolin e tij si reagues i dytë i sigurisë. EULEX-i dhe KFOR-i do të vazhdojnë të mbështesin për të mbajtur një mjedis të qetë dhe të sigurt në përputhje me mandatet e tyre përkatëse. BE-ja u kërkon palëve të zgjedhin me zell rrugën e dialogut dhe të përmbahen nga çdo veprim që do të çonte në dhunë dhe konfrontim”, tha Josep Borrel. Sipas tij,  BE-ja është e gatshme të vazhdojë të lehtësojë negociatat, por të dyja palët duhet të tregojnë gatishmëri për të kërkuar zgjidhje në mënyrë konstruktive dhe të respektojnë detyrimet e tyre të bëra në dialog”.

 

NATO e gatshme të ndërhyjë

Pas zhvillimeve në veri të Kosovës reagoi edhe NATO, përmes zv, sekretarit të saj Mircea Geoana. Ai tha se NATO është e gatshme të ndërhyjë nëse rrezikohet stabiliteti në veriun e Kosovës. Zv sekretari i NATO-os tha se për situatën e tensionuar në veriun e Kosovës, ka biseduar me të ngarkuarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

 

“Si Beogradi ashtu edhe Prishtina duhet të tregojnë përmbajtje dhe të parandalojnë përshkallëzimin. NATO dhe KFOR mbeten të vëmendshëm dhe të gatshëm për të ndërhyrë nëse rrezikohet qëndrueshmëria”, shkroi zoti Geoana.

Për situatën në veri të Kosovës, reagoi edhe misioni i KFOR-it ku thuhet se ky mision “po vëzhgon situatën dhe po bashkëpunon ngushtë me udhëheqësit në Prishtinë dhe Beograd si dhe me faktorët ndërkombëtarë, për të garantuar siguri për të gjithë njerëzit në Kosovë”.

“Ne i nxisim të gjithë që të trajtojnë dhe të diskutojnë ҫështjet që i ndajnë, me dialog konstruktiv”, thuhej në reagim dhe  shtohet “gjithashtu nevoja e shprehjes së mendimeve me një qasje paqësore e frymë kompromisi”.

 

“Akt kundër demokracisë dhe sundimit të ligjit”

Përfaqësuesit politikë të serbëve në Kosovë vendosën që të largohen nga të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të asaj që ata e cilësuan “moszbatim i marrëveshjeve të Brukselit nga autoritetet në Prishtinë”. Lista Srpska që ka 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës tha se “ata nuk do të kthehen në institucione derisa autoritetet në Prishtinë nuk tërhiqen nga vendimi i njëanshëm për targat dhe të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe në përputhje me marrëveshjen e pare të arritur në Bruksel në vitin 2013. Serbët paralajmëruan  se do të zhvillojn protesta në veri kundër vendimeve të Prishtinës. E nga ana e tyre, autoritetet në Prishtinë thanë se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës “është akt kundër demokracisë dhe sundimit të rendit e ligjit.

“Ky veprim i nxitur nga Serbia, vërteton edhe njëherë atë që e kemi thënë shumë herë, se Serbia është burim i destabilizimit të Kosovës dhe rajonit për shkak të synimeve të saj territoriale dhe hegjemoniste”, tha Presidentja Osmani përmes një komunikate për medie.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>