Në Shqipëri, komisioneri europian për Zgjerimin Johannes Hahn tha sot se çdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të vërë në rrezik stabilitetin e rajonit të Ballkanit. Ai i bëri këto komente në përfundim të takimit të drejtuesve të qeverive të vendit të Ballkanit të mbajtur sot në Durrës. Nga ana e tij kryeministri Ramush Haradinaj u shpreh se Kosova i ka kufijtë e saj dhe ato duhen respektuar.
Në debatin e hapur lidhur me mundësinë e korrigjimit apo rishikimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë si pjesë e një marrëveshjeje që do t’i jepte zgjidhje problemeve mes dy vendeve, komisioneri europian për Zgjerimin Johannes Hahn shmangu komentet e drejtpërdrejta. Ai u shpreh se për Bashkimin Europian “ ka vlerë stabiliteti në rajon dhe duhet të mbajmë parasysh se çdo lloj marrëveshje dypalëshe nuk duhet të rrezikojë stabilitetin e rajonit, por duhet të kontribuojë për më shumë stabilitet. Cilido qoftë objektivi përfundimtar, ky duhet të jetë objektivi kyç, sa më shumë stabilitet për rajonin, duke zgjidhur mirëfilli konfliktet dypalëshe”, tha zoti Hahn, ndërsa kujtoi se siç parashikon dhe strategjia e Bashkimit europan për Ballkanin Perëndimor “nuk do të pranohet asnjë anëtar i ri nëse nuk janë zgjidhur mosmarrëveshjet dypalëshe”.
Por me herët, gjatë konferencës për shtyp në përfundim të takimit informal mes kryeministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, kreu i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, përsëriti qëndrimin e tij kundër, ndërsa tha se Kosova i ka tashmë kufijtë e saj me Shqipërinë, Malin e zi, Serbinë dhe Maqedoninë. “Ne i respektojmë këto kufij dhe nuk mendoj se duhet ndonjë kreativitet i ri për rishikim të tyre, por duhet të respektojmë kufijtë që kemi”, u shpreh kryeministri i Kosovës.
Deklarata e zotit Haradinaj ishte një përgjigje e drejtpërdrejtë e komenteve të bëra dje gjatë Forumit të Alpbachut në Austri nga presidenti Hashim Thaci sipas të cilit ai dhe homologu i tij serb Aleksandër Vuçiç kanë vendosur të shqyrtojnë çdo mundësi “për të gjetur zgjidhje kreative dhe për të arritur një marrëveshje të pranuar reciprokisht”, duke siguruar “shtetet fqinje, shtetet anëtare të BE-së apo shtete të tjera të botës se nuk duhet të kenë frikë nga një marrëveshje potenciale paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe nëse një marrëveshje e tillë nënkupton një korrigjim të kufirit”
Në këtë debat që vlon prej javësh, Shqipëria nuk ka ndërhyrë. Edhe sot kryeministri Edi Rama, pyetjes mbi qëndrimin e Tiranës u mjaftua t’i përgjigjej duke thënë se mbështeste qëndrimin e shprehur nga komisioneri Hahn.
Takimi i sotëm në Durrës kishte si synim të bënte një analizë të ecurisë së proceseve të bashkëpunimit rajonal të ndërmarra nga vendet e Ballkanit dhe në kuadër të Procesit të Berlinit. Gjysma e kryministrave të ftuar nuk morrën pjesë. Kreu I qeverisë së Bullgarisë për shkak të shpalljes ditë zie kombëtare për një aksident tragjik të ndodhur ne vendin e tij, ai Maqedonisë Zoran Zaev për shkak të kushteve të këqija të motit që penguan fluturimin, ndërsa kryeministrja serbe kishte kërkuar ndjesë për pamundësinë e pjesmarrjes. Megjithatë kryeministri Rama foli për një takim të frytshëm, gjatë të cilit ishte bërë një bilanc i procesit të krijimit të zonës rajonale ekonomike, duke parë me radhë të gjitha aspektet e këtij procesi, qoftë cfarë ka ecur si duhet, qoftë cka nevojë për një shtysë më të fortë. Gjatë takimit, siç shpjegoi zoti Rama, ishte diskutuar më gjerësisht edhe për marrëdhëniet dhe ecurinë e përbashkët në rrugën e anëtarësimit në BE, të vendeve të rajonit. (voa)