Kosovë – Serbi: Marrëveshje për targat e makinave

flamujt-euDelegacionet e Kosovës dhe Serbisë në bisedimet për çështje teknike janë pajtuar në Bruksel për mënyrën e përdorimit të targave të makinave në mes të dyja vendeve.

Në një komunikatë të ministrisë për dialog në qeverinë e Kosovës thuhet se pas 11 orë bisedimesh të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, palët janë pajtuar që “ajo që vlen për tabelat e njërit shtet do të vlejë edhe për tabelat e shtetit tjetër, si dhe kjo marrëveshje i jep fund përdorimit të tabelave “prova” të cilat njëanshëm ishin vendosur nga ana e Serbisë ndaj veturave me regjistrimin RKS të Kosovës”, citohet të ketë thënë ministrja për dialog Edita Tahiri.

Deri tash, makinat e Kosovës që kanë tabela regjistrimi me shenjën RKS, gjatë lëvizjes nëpër territorin e Serbisë, detyroheshin të vënë tabela të përkohshme, ndërsa nga muaji nëntor, shenjat do të mbulohen me letër të bardhë.

Sipas qeverisë së Kosovës, me këtë marrëveshje u jepet fund tabelave të paligjshme të automjeteve “të cilat aty-këtu kanë qarkulluar në pjesën veriore të Kosovës” dhe kjo “është në funksion të sundimit të ligjit në këtë fushë si dhe i kontribuon integrimit të plotë të qytetarëve të komunitetit serb në sistemin shtetror të Kosovës. Kjo marrëveshje finalizon zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë që është arritur në vitin 2011 në Bruksel“.

Në komunikatë thuhet se “parimi i reciprocitetit në këtë marrëveshje dëshmon se marrëdhëniet fqinjësore në mes të dyja shteteve mund dhe duhet të përparojnë në frymën e reciprocitetit dhe gatishmërisë për normalizim sipas parimeve euro-atlantike”.

Marrëveshja është mirëpritur nga Bashkimi Evropian. Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Federica Mogherini tha në një komunikatë se Bashkimi Evropian “mirëpret rezultatet e bisedimeve dhe pret nga palët që të vazhdojnë përparimin edhe në temat e mbetura, veçanërisht për çështjen e Telekomit, të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe çështjeve që ndërlidhen me energjinë“. Këto çështje pritet të debatohen në Bruksel më 26 shtator.

Kosova dhe Serbia kanë arritur një varg marrëveshjesh në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, në këmbim të afrimit me strukturat e Bashkimit Evropian.

Këto bisedime i siguruan Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosova marrëveshjen e stabilizim asociimit me BE-në. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>