Gazi lotsjellës sërish bllokon parlamentin e Kosovës. Deputetët e partive opozitare hodhën gaz lotsjellës vetëm pas sekonda pas fillimit të seancës së parlamentit që pritet të diskutojë miratimin e buxhetit të vitit 2016, bashkë me 27 pika të tjera të rendit të ditës.
Në hijen e zhvillimeve politike, qeveria ka miratuar buxhetin prej rreth 1.7 miliardë eurosh, duke shprehur bindjen se ai do të ndihmojë në rritjen e zhvillimit ekonomik të vendit.
Partitë në pushtet i kanë bërë thirrje opozitës që të marrin pjesë në seancë duke theksuar se mos-miratimi i buxhetit pos tjerash mund të rrezikojë edhe një një kredi prej 185 milionë eurosh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Por, opozita thotë se nuk do të heq dorë nga kundërshtimi i marrëveshjes së arritur me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe asaj për kufirin me Malin e Zi, që sipas tyre, cenojnë sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Kosovës.
Që nga 22 shtatori partitë opozitare nuk po lejojnë mbajtjen e seancave të rregullta të parlamentit ku kanë hedhure dhe gaz lotsjellës në disa raste. Ato e akuzojnë qeverinë për vendosje të pushtetit policor, meqë tetë deputetë të opozitës janë në paraburgim, nën masa të arrestit ose në procedurë gjyqësore për shkak të veprimeve në parlament.
Qeveria ka bërë thirrje për hapje të dialogut politik, por opozita kërkon anulimin e marrëveshjeve, referendum për to dhe nëse këto nuk funksionojnë atëherë të shkohet në zgjedhje të parakohshme.
Marrëveshjet me Serbinë, ishin pjesë e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve që aspirojnë integrimet evropiane. Ato i siguruan Kosovën marrëveshjen e stabilizim asociimit me Bashkimin Evropian, ndërsa Serbisë hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. (voa)