Deklarata e zotimit që u nënshkrua në Prishtinë ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës garanton zbatimin e projekteve që dalin nga marrëveshja e 4 shtatorit që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë.
Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nënshkruan në Prishtinë një deklaratë ku zotohen për realizimin e projekteve me investime amerikane që u përfshinë në marrëveshjen e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, për normalizimin ekonomik mes Kosovës e Serbisë. Deklarata u nënshkrua nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Adam Boehler, kryeshef ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC). Kjo deklaratë i paraprin nënshkrimit final që pritet të ndodhë për Nxitjen e Investimeve Kosovë-SHBA e që kapin shifrën e një milliard dollarëve”.
Boehler: Zotim për të përshpejtuar investimet në Kosovë
“Marrëveshja e Investimeve Kosovë-Shtetet e Bashkuara parashikohet të sigurojë qasje në gamën e plotë të mbështetjes për investime nga Korporata Ndërkombëtare e Financave e Zhvillimit të SHBA-së. Pas normalizimit historik ekonomik midis Serbisë dhe Kosovës të rënë dakord më 4 shtator, Kosova dhe SHBA-ja synojnë të avancojnë negociatat, pas datës së hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së re për Nxitjen e Investimeve Kosovë-SHBA, në lidhje me projekte të rëndësishme”, thuhet në dokumentin e nënshkruar.
Kryeshefi ekzekutiv i Koorporatës Ndërkombëtare të Financave dhe Zhvillimit në SHBA (DFC), Adam Boehler, tha se deklarata e nënshkruar në Prishtinë është zotim për të përshpejtuar investimet në Kosovë. “Ne kemi qenë duke punuar në përgatitjet për mundësitë e asaj që ndodhi disa javë më parë, kemi punuar me ambasadën tonë, me ambasadorin tonë dhe kemi projekte në vlerë deri në 1 miliard dollarë dhe këtu përfshihet, autostrada e Paqes, hekurudha, gazi natyror. Po ashtu kemi biseduar edhe për mundësinë e investimit në një resort të skijimit dhe mbështetje të drejtpërdrejtë për bizneset e vogla dhe të mesme”, tha Boehler.
Dëshmi e përkushtimit amerikan
Delegacioni amerikan që erdhi në Kosovë kryesohej nga i ngarkuari i presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Ky i fundit tha se kjo vizitë është një dëshmi e përkushtimit amerikan për marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator në Uashington. “Erdhëm ta dëshmojmë përkushtimin rreth marrëveshjes për normalizimin ekonomik. E dimë se Kosovës i janë bërë premtime në të kaluarën dhe duam të zotohemi se do të vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjes. Ne nuk duam fjalë boshe, ne duam t’u tregojmë qytetarëve të Kosovës se cilët janë aleatët më të mëdhenj, se ne qëndrojmë me ju dhe mund të ecim përpara me zhvillimin ekonomik. Vetëm zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës për të rinjtë do të ndryshojnë peizazhin politik të rajonit”, tha ambasadori Grenell.
Grenell solli edhe fjalët e presidentit Donald Tramp në Prishtinë. “Presidenti Trump që nga fillimi më ka thënë që të vijë të gjejë një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që mbështetet në krijimin e vendeve të punës dhe jo diskutime politike. Simbolizmat janë të rëndësishëm, por nuk mund ta paguajnë qiranë tuaj, nuk mund ta ushqejnë familjen tuaj dhe nuk japin shumë shpresë. Presidenti Trump është vërtet krenar për këtë marrëveshje historike dhe të mos gabohemi ne, nuk do të ishim këtu pa presidentin Donald Trump”, tha Richard Grenell.
Vlerësimi nga Kosova: Marrëveshja shndërron rajonin
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, nga ana e tij, tha se prania e delegacionit të lartë amerikan tregon përkushtim dhe vendosmëri. “Kjo tregon vendosmërinë edhe seriozitetin e presidentit Donald Trump, të administratës së tij, të ambasadorit, të gjithëve bashkëpunëtorëve të tij për zbatimin e një marrëveshje që po cilësohet me plotë të drejtë, marrëveshje historike, hap tepër i madh drejt finalizimit të marrëveshjes finale në mes dy vendeve. Kishim një bisedë të gjerë, të detajizuar për të gjitha pikat e marrëveshjes, e them me kënaqësi dhe e kam për nder ta them se do të lëvizim shpejt në zbatimin e kësaj marrëveshje, pra është krijuar një momentum i ri ekonomik në Kosovë dhe rajon edhe bashkë me këtë momentum të ri ekonomik besoj që do të lëvizim përpara edhe në pjesën e normalizimit të marrëdhënieve politike”, tha kryeministri Hoti. Sipas tij, marrëveshja do të krijojë mijëra vende të reja pune dhe do ta shndërrojë Kosovën dhe rajonin në një rajon më të integruar në aspektin të infrastrukturës dhe zhvillimit ekonomik.
Në ceremoninë e nënshkrimit të deklaratës se përbashkët SHBA-Kosovë mori pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili me medaljen Presidenciale të Meritave e dekoroi ambasadorin Richard Grenell, në nderim “të kontributit të jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara për dakordimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”. “Marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë do sjellë paqe, stabilitet ekonomik dhe jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe rajonit. Kjo marrëveshje u bë e mundshme në Shtëpinë e Bardhë dhe ne besojmë fuqishëm se përsëri SHBA-të mund të arrijë marrëveshjen finale politke për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”, tha presidenti Thaçi.
Në marrëveshjen e nënshkruar më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, u arrit dokordimi që Kosova dhe Serbia, do të punojnë me Koorporatën Ndërkombëtare të SHBA-së për Zhvillim Financiar dhe EXIM, në memorandumet e mirëkuptimit, për të operacionalizuar autostradën e paqes, lidhjen hekurudhore Prishtinë-Merdare, lidhjen hekurudhore Nish-Prishtinë, sigurimin e financave për mbështetjen e kredive që kërkohen për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, projekte shtesë dypalëshe dhe prani e plotë ndërkombëtare në Beograd, e DFC-së. Delegacioni amerikan nga Prishtina udhëton në Beograd, ku Koorporata Ndërkombëtare e SHBA-së për Zhvillim Financiar DFC do të hapë zyrën e vet.
dw