Mëngjesi i së premtes i gjeti familjarët e shtetasve turq të arrestuar e deportuar një ditë më parë me kërkesë të Ankarasë, para ndërtesës së qeverisë së Kosovës, pasditja para ambasadës turke në Prishtinë, ndërsa nata në oborrin e aeroportit të vjetër të Prishtinës.
As pritja nga zyrtarët e qeverisë nuk u ka mjaftuar atyre për të sqaruar se cili është fati i familjarëve të tyre, punonjës të Institucionit Arsimor Gylistan, pronë e klerikut turk Fethullah Gulen të cilin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e fajëson për një përpjekje grusht shteti në Turqi, dy vjet më parë.
Natën e së premtes familjarët thanë se të afërmit e tyre mund të mos jenë deportuar ende dhe bën thirrje që të kontrollohet aeroporti i vjetër ku ata dyshonin se mund të mbaheshin ende të arrestuarit.
Policia e Kosovës, tha të premten në mbrëmje se “qytetarët turq, të cilëve u është revokuar leja e qëndrimit në Kosovë, janë larguar me aeroplan nga Aeroporti i Prishtinës në orën 11:05 minuta të datës 29.03.2018″.
Operacioni nxiti reagime të shumta dhe bëri që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, të shkarkojë ministrin e Brendshëm Flamur Sefaj dhe shefin e Agjencisë së Zbulimit, Driton Gashi.
Kryeministri Haradinaj tha se nuk ishte i informuar për operacionin e arrestimit dhe deportimit dhe për këtë arsye “liron nga detyra të dy zyrtarët”.
Në vendimet e shkarkimit thuhej se “operacioni i ndërprerjes së leje qëndrimit, i ndalimit, deportimit urgjent dhe të fshehtë të gjashtë qytetarëve turq nga territori i Republikës së Kosovës në Republikën e Turqisë, ka ndodhur pa informimin e Kryetarit të Qeverisë dhe pa lejen e tij!”
Tërë operacioni u përcoll me paqartësi dhe informacione të pakta. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha nëpërmjet një deklarate se është informuar nga organet kompetente “pas ngjarjes, se gjashtë shtetas janë deportuar”. Kryeministri nuk kishte dijeni për operacionin e as kryetari i parlamentit.
Turqia ka arrestuar më shumë se 50 mijë veta në operacionet kundër mbështetësve të dyshuar të Fethullah Gulenit, klerikut që akuzohet se qëndronte para grusht shtetit të korrikut të vitit të kaluar.
Kleriku Gulen që jeton në Shtetet e Bashkuara i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Fondacioni i tij FETÖ drejton rreth 40 shkolla në Ballkanin perëndimor përfshirë 15 institucione në Bosnjë, 12 në Shqipëri, 7 në Maqedoni, pesë në Kosovë dhe në një Serbi.
Kosova është një nga vendet e rajonit që i është nënshtruar trysnisë për arrestimin dhe dorëzimin e “gulenistëve” të kërkuar nga Ankaraja.
Një goditje e gjerë qeveritare pas grusht shtetit që la pas vetes 250 të vrarë dhe mbi 2 mijë të plagosur, vuri në shënjestër mbështetësit e Gulenit dhe kundërshtarët tjerë të qeverisë turke.
Erdogan: Do t’i ndjekim kudo përkrahësit e Gulenit
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha të premten se vendi i tij do të vazhdojë ndjekjen e mbështetësve të Gulenit, duke konfirmuar deportimin e shtetasve turq nga Kosova.
“Së fundmi, agjencia jonë kombëtare e zbulimit, solli gjashtë përfaqësues të lartë të “FETO”-s nga Ballkani në bashkëpunim me agjencinë e zbulimit të Kosovës, dhe ua dorëzuan organeve policore. Ne kemi thënë se ata do të ikin, kurse ne do t’i ndjekim dhe me emër të Zotit, do t’i sjellim këtu , kudo që të jenë”, tha ai gjatë një tubimi në Ankara.
Deputetët kërkojnë përgjegjësi
Fillimi i një seance të parlamentit të Kosovës u përshkua me debate dhe kërkesa për përgjegjësi të institucioneve pas deportimit të djeshëm të shtetasve turq.
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se nga sot institucionet e vendit kanë hyrë në një situatë të re dhe duhet të pajtohen për datën e zgjedhjeve.
“Është mese e qartë për mënyrës se si janë zhvilluar ngjarjet dje, kryeministri i vendit si shef i ekzekutivit nuk ka kontroll mbi qeverinë, mbi policinë dhe mbi institucionet e tjera, është gjithashtu e qartë se presidenti i vendit ka tejkaluar përgjegjësitë e veta në këtë rast dhe nuk është rasti i vetëm që ai kalon kompetencat kushtetuese’, tha zoti Hoti.
Shefi i grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se aksioni i një dite më parë do të ketë pasoja të rënda për shtetin e Kosovës.
“Si është e mundur që në shtetin tonë të ketë struktura paralele të veprojnë pa e ditur politika vendimmarrëse, kjo është sfida të cilën e kemi përjetuar në ditën e djeshme. Sa i përket të drejtave të njeriut, kjo është një kthim i paimagjinueshëm prapa për Kosovën, për arsye se konventat më të rëndësishme evropiane të aplikueshme në Kosovë janë shkelur me ditën e djeshme dhe janë shkelur nga institucionet shtetërore të sigurisë, me deportimin e gjashtë shtetasve turq prapa në Turqi”, tha mes tjerash zoti Konjufca.
Kryeministri Ramush Haradinaj, ritheksoi në parlament se nuk kishte asnjë informacion për operacionin.
“Diku nga mesi i ditës (së enjte) kam kuptuar se ka ndodhur deportimi”, tha Haradinaj.
Delawie: Transparenca dhe sundimi i ligjit – jetike
Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, shkroi në twitter se po ndjek nga afër zhvillimet rreth shtetasve turq të deportuar.
“Transparenca dhe angazhimi ndaj procesit dhe sundimit të ligjit janë jetike”
Paralajmërime për pasojat e operacionit
Organizatat e te drejtave të njeriut dhe njohësit e drejtësisë e kritikuan ashpër operacionin. Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për drejtësi, i tha Zërit të Amerikës se deportimi në formën siç ka ndodhur paraqet shkelje të Kushtetutës së Kosovës si dhe të konventave ndërkombëtare për të drejta të njeriut.
“Si duket kur është bërë deportimi i tyre nuk është bërë edhe një analizë lidhur me pasojat eventuale që do t’i kenë në shtetin e origjinës, respektivisht në Turqi. Neni 100 i ligjit për të huajt përcakton në mënyrë taksative se Kosova nuk do të deportojë asnjë shtetas të huaj në vendin e origjinës nëse të njëjtit mund të kenë pasoja diskriminuese, ndaj tyre mund të shqiptohet dënim me vdekje, apo të njëjtin mund të jenë subjekt i torturës, apo veprime të tjera të cilat në njëfarë mënyre do të cenonin dinjitetin njerëzor të tyre. Në rastin konkret siç jemi në dijeni, Turqia nuk shquhet për respektim të të drejtave të njeriut, andaj mendojmë që si shtet kemi dështuar që këtyre shtetasve të huaj në radhë të parë t’u ofrojmë mbrojtje”, tha zoti Miftaraj.
Ai tërhoqi vërejtjen se operacioni do “të ketë ndikim në të ardhmen e Kosovës për anëtarësim në mekanizma ndërkombëtar. Këshilli i Evropës i promovon pa dyshim liritë dhe të drejtat e njeriut dhe nëse Kosova pretendon në një të ardhme të afërt të anëtarësohet në këtë këshill kjo do të jetë pa dyshim një njollë e zezë”, tha ai.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të njeriut në Kosovë, kërkoi përgjegjësi nga të gjithë ata që janë përfshirë në operacion. “Disa individë të papërgjegjshëm, duke rrëmbyer gjashtë shtetas të Turqisë, me leje pune dhe leje për qëndrim të përkohshëm në Kosovë, të gjithë intelektualë të nivelit të lartë, pa të kaluar kriminale, thuhet në një komunikatë të këshillit, e vulosën Kosovën si vendin më antidemokratik në botë, si shkelësin më të madh të të drejtave të njeriut”.
Avokat i Popullit tha në një njoftim se ” veprimet e ndërmarra nga autoritetet publike janë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut, të zbatueshme në sistemin e brendshëm juridik të Kosovës. (voa)