Kosovë, të larguarit nga lëvizja Vetëvendosje, me subjekt të ri politik

Visari dhe DukagjiniGrupi i Deputetëve të Pavarur, të larguar nga lëvizja Vetëvendosje thanë të martën se kanë hedhur hapat e parë për krijimin e një subjekti të ri politik.

Deputeti i këtij grupi, Visar Ymeri, shpalosi një deklaratë, që siç tha, është pikënisje për mënyrën e themelimit të subjektit të ri. Zoti Ymeri tha se deklarata përmbledhë pikënisjet ideore, synimet dhe strategjinë publike për angazhimin politik. Ai tha se ende nuk është vendosur për emrin e subjektit të ri, i cili pritet të ketë drejtim social demokrat.

“Qëllimi parësor i yni është avancimi i angazhimit publik për zhvillim shoqëror dhe shtegdalja nga një dekadë e keq-qeverisjes shtetërore”, tha ai duke shpalosur mënyrën se si subjekti i ri e sheh të ardhmen e vendit.

“Ne besojmë se liria është edhe kolektive edhe individuale, por angazhohemi njëkohësisht që këtë liri ta realizojmë si një shtet që është bashkësi qytetarësh i cili ka sovranitet popullor, që është shoqëri plurale dhe solidare e që kushtëzon e mirëmbanë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik që prodhon drejtësi e barazi sociale te pjesëtarët e vet”, tha ai.

Zoti Ymeri tha se subjekti i ri do të angazhohet për siç tha një sistem politik e ekonomik i cili as nuk diskriminon e as privilegjon.

“Ne e pranojmë domosdoshmërisht konceptin e ekonomisë së tregut por njëkohësisht jemi të vetëdijshëm se ai e ka aftësinë e kufizuar që të krijojë bazë materiale e cila mundëson mirëqenien shoqërore dhe njëkohësisht nëse shoqëria dhe ekonomia vendosen nën diktatin e tregut atëherë shpërndarja dhe ri-shpërndarja e pasurisë pamundësohet dhe kështu krijohen anomaly shoqërore”, tha zoti Ymeri.

Grupi i Deputetëve të Pavarur përbëhet nga 12 deputetë në Parlamentin e Kosovës. Të gjithë këta kanë dhënë dorëheqje gjatë disa muajve të fundit nga strukturat e lëvizjes Vetëvendosje. Ata nuk përjashtuan bashkëpunimin me lëvizjen Vetëvendoje, në pikat që siç thanë mund t’i bashkojnë

Largimi i deputetëve pasoi krizën në lëvizjen Vetëvendosje, Pas publikimit të bisedave private të disa deputetëve të Vetëvendosjes në të të cilat ishte përvijuar edhe një shprehje fyese për themeluesin e lëvizjes, Albin Kurti.

Lëvizja Vetëvendosje u themelua në vitin 2004 nga Albin Kurti. Deri në vitin 2010 kur u përfshi për herë të parë në zgjedhjet për pushtetin qendror, kjo lëvizje nëpërmjet protestave dhe aksioneve kishte kundërshtuar misionet ndërkombëtare në Kosovë dhe qeverinë e vendit.

Në zgjedhjet e përgjithshme të 11 qershorit të vitit të kaluar, Vetëvendosje arriti të fitojë 32 vende në parlamentin e Kosovës duke u bërë subjekti i parë në Kosovë ndërsa në zgjedhjet për pushtetin komunal fitoi tri komuna përfshirë dy kryesoret Prishtinën dhe Prizrenin.

Dorëheqjet e lanë atë me 19 deputetë, duke e radhitur si forcën e tretë politike në parlamentin e Kosovës. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>