Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, kritikoi të shtunën vendimin e së premtes të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për moscertifikim e listave të kandidatëve të disa partive politike për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.
Ajo i bëri këto komente përmes një video mesazhi në llogarinë e saj në Facebook, një ditë pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk certifikoi listat zgjedhore të lëvizjes Vetëvendosje, Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, meqë këto parti nuk kishin hequr nga listat e kandidatëve për deputetë personat e dënuar për vepra penale gjatë tri viteve të fundit, me gjithë rekomandimin e Zyrës për regjistrimin dhe certifikimin e partive politike që të përmbyllë certifikimin.
“Para syve të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe në transmetim drejtpërdrejtë në televizion dje u bë presion marramendës ndaj zyrës për regjistrimin e partive politike dhe certifikim si dhe u tolerua dhe u ushtrua presion dhe kërcënime ndaj udhëheqësit të kësaj zyreje. Për derisa të gjithë anëtarët e KQZ-së japin betim përmbajtja e të cilit kërkon që anëtarët të kryejnë detyrat e tyre në mënyrë të ndershme, të paanshme e ritheksoj të paanshme, profesionale dhe përgjegjshme. Një obligim i tillë është veçanërisht për kryetaren e KQZ-së e cila nuk përfaqëson asnjë parti politike por emërohet pikërisht për të mbrojtur paanshmërinë dhe ndershmërinë e këtij procesi. E detyrë më e rëndësishme e saj është mbrojtja e integriteti zgjedhor”, tha zonja Osmani.
Ajo tha mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e ka lënduar procesin zgjedhor dhe integritetin e këtij Komisioni.
“Prandaj në asnjë moment dhe asnjë mënyrë nuk duhet të lejojmë të biem në kurthet që ndërtohen me qëllim që ky proces zgjedhor të parandalohet dhe stërzgjatet. Zgjedhjet duhet dhe do të mbahen me 14 shkurt dhe qytetarët duhet të lejohen të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese e të votojnë për këdo që ata e përkrahin”, tha ajo, duke paralajmëruar KQZ-në.
“Në rast se ballafaqohemi sërish me situata të tilla sikur ajo e djeshmja, ku abuzohet me KQZ-në si institucion i pavarur për të shtyrë përpara agjenda partiake si dhe forum ku ushtrohet presion mbi shërbyesit civilë, do të detyrohem të ndërmarr të gjitha masat për mbrojtjen e integritetit të KQZ-së dhe këtij procesi zgjedhor, ashtu siç e parasheh ligji për zgjedhjet dhe ashtu siç më detyron kushtetuta e vendit”, ka thënë mes tjerash ajo.
Zonja Osmani, kandidon për zgjedhjet e 14 shkurtit dhe është pjesë e listës së lëvizjes Vetëvendosje me të cilën më 24 janar nënshkroi marrëveshje, sipas së cilës ajo do të kandidojë për postin e presidentes së Kosovës, ndërsa Albin Kurti do të kandidojë për postin e kryeministrit.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha të shtunën mbrëma se qëndrimi i zonjës Osmani për KQZ-në, flet se “ajo është një ushtruese krejtësisht e papërgjegjshme e rolit që ushtron”. Ai shkroi se nga ushtruesja e detyrës është pritur të mbrojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, të mbrojë zbatimin e ligjit dhe të mbrojë institucionet e pavarura.
“Ajo në petkun e ud Presidentes po abuzon përmes sjelljeve rebele dhe për interesa të saje të reja partiake në VV. Është e palejueshme dhe e turpshme që ud Presidentja t’iu kërcënohet institucioneve të pavarura. Kjo çfarë paralajmëron ud Presidentja e Kosovës sot dhe sjellja e Vetëvendosjes është alarm për demokracinë dhe shtetin e Kosovës. Me ketë sjellje, ajo nuk meriton as një orë të jete në Presidencë”, shkroi zoti Mustafa në llogarinë e tij në facebook.
Çfarë ndodhi në mbledhjen e KQZ-së?
Zyra për regjistrim dhe certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kishte rekomanduar në mbledhjen e një nate më parë miratimin e listave zgjedhore me kandidatët të dënuar me vepra penale, duke ua lënë në dorë organeve më të larta të drejtësisë pastaj të merren me ankesa për kandidatë të mundshëm veç e veç.
Por, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi kundër këtij propozimi dhe nuk certifikoi listat e kandidatëve të partive që nuk kishin hequr nga lista për deputetë personat e dënuar me vepër penale gjatë tri viteve të fundit.
Ky kriter u vendos pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e votës së qeverisë në largim ndërsa theksoi se asnjë person nuk mund të fitojë dhe mbajë mandat të vlefshëm të deputetit nëse është i dënuar për vepër penale, sikurse parashihet me kushtetutë apo ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, me vendim gjyqësor të formës së prerë, nëse ka një vendim dënues që është në fuqi në Kosovë.
Partitë politike të pacertifikuara kundërshtuan vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndërsa paralajmëruan se do të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa brenda 24 orësh.
Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet një reagimi kritikoi kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka për siç tha marionetë dhe e kontrolluar nga partitë që ishin në pushtet. Kjo lëvizje tha se KQZ-ja mori vendimin kundër institucional dhe me synime për të rrëzuar listën e lëvizjes Vetëvendosje.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se mos certifikimi i kandidatëve të këtij subjekti është “sulm i paprecedent në Nismën Socialdemokrate dhe në të gjithë procesin demokratik. Në reagimin e tij, zoti Limaj tha se “KQZ-ja është shndërruar në një lojtar politik aktiv”.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se çështja e dënimeve të zyrtarëve do të duhej të sqarohej së pari para se të merrej vendimi nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Ismet Kryeziu nga organizatat për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” u bëri thirrje sot partive politike që të ndjekin procedurat ligjore për certifikim ndërsa kritikoi ato për reagimet ndaj komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Gjithashtu dënojmë ashpër linçimin dhe presionin i cili i është bërë direkt kryetares së KQZ-së zonjë Valdete Daka. Procedurat për certifikimin e kandidatëve lidhur me vendimin e djeshëm të KQZ-së për certifikimin e partive politike dhe kandidatëve të tyre, ligji për zgjedhje të përgjithshme rregullon përgjegjësinë e institucioneve përgjegjëse dhe mekanizmat për certifikim të subjekteve politike dhe lista të kandidatëve andaj si Demokraci në Veprim ju bëjmë thirrje partive politike që të ndjekin procedurat e parapara për certifikim”, tha zoti Kryeziu.
28 subjekte politike, nga të cilat 21 parti, dy koalicione dhe pesë nisma qytetare, janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të mbahen më 14 shkurt. Deri në fund të janarit duhet të përfundojnë të gjitha procedurat e certifikimit, para hedhjes së shortit për renditjen e tyre në fletëvotime.
voa