Kreu i Bundestagut gjerman ofron ndihmesë në zgjidhjen e dialogut Kosovë-Serbi

Glauk Konjufca dhe Wolfgang SchäubleNë përgatitje të raundit të dytë të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, edhe kryetari i parlamentit të Gjermanisë, Wolfgang Schäuble, po përpiqet të japë ndihmesë në arritjen e një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti i Bundestagut,  Wolfgang Schäuble priti të hënën, më 21 qershor,  homologun e tij kosovar, Glauk Konjufca. Në qendër të bisedimeve në ndërtesën e Rajhstagut në Berlin ishte anëtarësimi i mundshëm i Republikës së Kosovës në BE dhedialogu me Serbinë, thuhet mes të tjerash në një deklaratë të Bundestagut.

“Nisur nga sfidat globale, duhet të arrijmë që ta mbajmë Evropën të qendrueshme dhe këtu hyjnë edhe marrëdhëniet e qendrueshme ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Schäuble.

Kryetari i Bundestagut u tregua i gatshëm  të japë kontributin e tij për dialogun. “Ne do të jepnin me kënaqësi ndihmesën tonë nëpërmjet  kontakteve midis parlamentarëve, për të mbështetur procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Schäuble, sipas deklaratës së Bundestagut.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur në vend për momentin, për shkak të çështjes së krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, i cili ka qenë pjesë e marrëveshjeve të mëparshme të dialogut të zhvilluar në Bruksel.

Por ngritja e një asociacioni të tillë është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, dhe hidhet poshtë pothuajse nga i gjithë spektri partiak në Kosovë. Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, i tha Deutsche Welle-s, në një intervistë, se krijimi i një Asociacioni të tillë me kompetenca ekzekutive do të shkatërronte funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe është kësisoj i papranueshëm nga ana e Kosovës.

Temat e tjera në takimin e parë të Konjufcës në Berlin, në cilësinë e kryeparalamentarit, ishte liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës dhe reformat e planifikuara të sistemit arsimor, në të cilin Kosova dëshiron të orientohet te sistemi i dyfishtë (mësim dhe praktikë) që përdoret në Gjermani. Dy krerët e parlamentit biseduan edhe për pandeminë dhe sfidat e saj.

Nga Bundestagu bëhet e ditur se të premten, më 25 qershor, Wolfgang Schäuble do të presë në selinë e tij në Berlin edhe presidentin e Parlamentit të Serbisë, Ivica Dačić.

dw

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>