Me gjithë përparimet, Kosova mbetet vend që duhet të punojë më shumë për vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit, të gjejë gjuhë të përbashkët për marrjen e vendimeve politike në Kuvend dhe të angazhohet më shumë në reformat ekonomike dhe dialog me Serbinë, thuhet në raportin më të ri të Komisionit Evropian.
Ky raport ka ngritur shumë vërejtje për punën e institucioneve, por edhe nga lidershipi në Prishtinë, Bashkimi Evropian ka marrë kritika që në ditën e publikimit.
I njohur si Raporti i Progresit, ndërkaq në terminologjinë aktuale si Raporti i Zgjerimit, aty ngriten shqetësime në lidhje me përplasjet e vazhdueshme në Kosovë mes të partive politike në pushtet dhe opozitë.
Sërish, përmendet bllokimi i punës së Kuvendit nga opozita vitin e kaluar, ku ishin përdorur edhe mjete të dhunshme, si gazi lotsjellës. Andaj, Raporti u bën thirrje të gjitha partive politike që të tregohen të përgjegjshme dhe të angazhohen për dialog dhe punë konstruktive në Kuvend.
Komisioneri për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit,Johannes Hahn, i cili ka prezantuar në Bruksel në pika të përgjithshme raportin për secilin vend veç e veç, te Kosova është ndalur tek çështja e sundimit të ligjit.
“Jo vetëm për Kosovën, por edhe për vendet tjera është me rëndësi që njerëzit të shohin që korrupsioni nuk shpaguhet, por është e kundërta që çon në ndëshkime dhe është diçka që nuk qëndron”, ka theksuar Hahn.
Tutje, Hahn ka thënë se është shënuar përparim në procesin e liberalizimit të vizave, por kanë mbetur edhe dy kritere që të përmbushen. Ai tha se këtë premte do të qëndrojë në Prishtinë për të diskutuar me autoritetet e Kosovës në lidhje me përmbushjen e këtyre dy kritereve, ku bëjnë pjesë ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit.
Po ashtu, Hahn ka kërkuar shumë përparime nga Kosova edhe në procesin e dialogut me Serbinë.
“Kosova duhet të angazhohet dhe të jetë më aktive në dialog dhe të shënojë përparime më të shpejta në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”, ka thënë Hahn.
Raportin e Zgjerimit, përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova ua ka dorëzuar Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministrit Isa Mustafa dhe kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Presidenti Thaçi nuk ka hezituar me këtë rast ta kritikojë qasjen e Brukseli t në raport me Kosovën.
“Ne nuk do të pranojmë që qytetarët tanë të trajtohen në mënyrë të pabarabartë. Fatkeqësisht, BE-ja, në mungesë të unitetit përbrenda, ka dështuar dhe po vazhdon të dështojë në trajtimin e Kosovës në mënyrë të barabartë me shtetet e tjera që aspirojnë anëtarësimin në BE.”
“Si pasojë e kësaj qasje, Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm i izoluar në Ballkanin Perëndimor dhe perspektiva e anëtarësimit në BE mbetet tepër e paqartë”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Kurse, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ëshët zotuar se institucionet do t’i zbatojnë rekomandimet e potencuara në Raportin e Zgjerimit.
“Rrugëtimi ynë është i qartë dhe i palëkundur drejt Bashkimit Evropian. Çdo të gjetur në këtë raport, ne e pranojmë plotësisht, si progresin, ashtu edhe kritikat, sepse janë shumë reale”, ka thënë Veseli.
Komisioni Evropian harton raporte të tilla për vendet që aspirojnë integrimet evropiane. Përmbushja e kritereve evropiane është kusht i domosdoshëm në proceset integruese të këtyre vendeve.
Këtë vit, Komisioni Evropian ka rekomanduar hapjen e negociatave të kushtëzuara me Shqipërinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Por, para së gjithash janë kërkuar reforma në drejtësi.
Komisioni Evropian i ka kërkuar Shqipërisë reformat si dhe nxjerrjen dhe zbatimin e ligji për vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve i njohur si Veiting.
Në rastin e Serbisë është kërkuar më shumë progres në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Po ashtu, Serbisë i është kërkuar të fokusohet në dialogun me Prishtinën dhe çështje tjera që ndërlidhen me bashkëpunimin rajonal, duke shmangur politikat nacionaliste të këtij vendi.
“Si nga pala serbe ashtu edhe ana kosovare duhet të zbatohen çështje delikate të marrëveshjeve, siç është Asociacioni i komunave serbe”, ka theksuar Hahn.
Hapja e kapitujve të ri për anëtarësimin e Serbisë në BE, sipas komisionarit Hahn, mund të pritet vetëm vitin tjetër.
Johannes Hahn u ka bërë thirrje vendeve të Ballkanit Perëndimor që të thellojnë bashkëpunimin në mënyrë që të lehtësojnë edhe rrugën e tyre integruese në Bashkimin Evropian. Ai ka përsëritur se Ballkani Perëndimor ka perspektive të qartë evropiane, por ka rikujtuar që ky rajon duhet të kalojë fillimisht përmes procesit të reformave në secilin shtet veç e veç. (REL)