Kryeministri i Kosovës – ende pa vizë amerikane

RamushKryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ende nuk i është dhënë viza për të udhëtuar për në Shtetet e Bashkuara. Ai kishte bërë kërkesë për të shkuar në Iowa, për të marrë pjesë në një veprimtari më 11 janar.

Ndonëse zyra e tij ka paraqitur kërkesën për vizë ajo nuk i është dhënë akoma, një rast i pazakontë kur bëhet fjalë për zyrtarë të lartë, siç është kryeministri i një vendi.

Zëri i Amerikës i kërkoi ambasadës amerikane në Prishtinë, një përgjigje për këtë çështje, por zyrtarët e saj thanë se nuk mund të komentojnë asnjë rast individual.

Kryeministri Haradinaj tha të martën se ende nuk ka marrë përgjigje në kërkesën për vizë amerikane.

Zyra ime ka aplikuar për vizë vërtetë. Janë disa ngjarje rresht për të cilat kam qejf me shku. Për shembull, ishte tani një ngjarje me gardën e Iowa-s, dhe gjeneralin (Timothy) Orr, e respektoj shumë, guvernatorin e Iowa-s e respektoj shumë. Nuk kam marrë përgjigje, po ju them ashtu. Është po ashtu një ftesë për lutjen e mëngjesit, I kam disa, nuk kam me mbërri në të gjitha, sepse jam kryetar i qeverisë megjithatë, por më duhet me zgjedhë në ndonjë ngjarje me shku. Kur të ma japin, shkoj. Kaq“, tha kryeministri Haradinaj.

Zyra e tij ndërkaq ka hedhur poshtë pohimet se kryeministrit Haradinaj i është refuzuar viza për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara.

Çështja e mos-marrjes së vizës nga kryeministri, pason nismën e fundit të dhjetorit për të shfuqizuar Gjykatën e Posaçme. Zoti Haradinaj ishte një ndër kundërshtarët e ngritjes së kësaj gjykate dhe deputetët e partisë së tij ishin pjesë ë nismës për shfuqizimin e saj.

Nisma u prit me kundërshtime të ashpra nga ambasadori amerikan në Prishtinë Greg Delawie por edhe departamenti amerikan i shtetit i cili u bëri thirrje “me forcë udhëheqësve aktualë të Kosovës dhe anëtarëve të Parlamentit që mos ta zhbëjnë atë arritje duke e prekur gjykatën tani ose në të ardhmen“.

Ambasadat e pesë vendeve kryesore perëndimore në Kosovë paralajmëruan për pasojat e rënda që mund të ketë për vendin përpjekja për shfuqizimin e Gjykatës së Posaçme.

Një veprim i tillë vë në pikëpyetje përkushtimin e Kosovës për sundimin e ligjit dhe rrezikon të gjitha të arriturat e Kosovës. Kjo i vë interesat e individëve mbi interesat e shoqërisë në Kosovë. Ne e dënojmë një gjë të tillë, dhe kushdo që mbështetë një gjë të tillë, do të veprojë qëllimisht kundër partneritetit të Kosovës me vendet tona. Ftojmë të gjithë liderët të Kosovës dhe deputetët e Parlamentit të Kosovës të ngrisin zërin kundër kësaj iniciative dhe me sinqeritet të plotë të informojnë qytetarët e Kosovës për pasojat e rënda negative, përfshirë këtu edhe procesin e integrimit ndërkombëtarë dhe Euro-Atlantik të Kosovës, nëse Kosova vazhdon në këtë mënyrë”, thuhej në një komunikatë të përbashkët të diplomatëve kryesor perëndimorë në Kosovë.

Më 22 dhjetor, kryesia e parlamentit u mblodh dy herë për të caktuar një seancë të jashtëzakonshme për shfuqizimin e ligjit për Gjykatën e Posaçme, pas një kërkese të nënshkruar nga 43 deputetë. Në mungesë të kuorumit ajo dështoi të caktojë seancë, meqë në takimin e kryesisë nuk morën pjesë përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike, lëvizjes Vetëvendosje dhe as të Listës serbe.

Më pas, parlamenti shkoi në pushim deri në mesin e janarit, por debatet rreth nismës vazhduan dhe zyrtarët e lartë të vendit, përfshirë edhe presidentin Hashim Thaçi, thanë se ndryshimi i ligjit për Gjykatën e Posaçme nuk do të dëmtonte marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian.

Ideja për shfuqizimin e gjykatës pasoi nënshkrimin e një peticioni nga ana e Organizatave të veteranëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me anë të të cilit kërkohet nga parlamenti të ndryshohet dhe plotësohet ligji për Gjykatën e Posaçme për krime lufte, të cilën ata e cilësojnë diskriminuese për Kosovën. Peticioni me 16 mijë nënshkrime është dorëzuar në parlament.

Në fillim të muajit gusht të vitit 2015, parlamenti i Kosovës miratoi me shumicë votash ligjin për Gjykatën e Posaçme, e cila me emrin “dhomat e posaçme” do të veprojë në Hagë me gjykatës e prokurorë ndërkombëtarë dhe do të trajtojë pretendimet për përfshirjen e ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte.

Ideja për themelimin e gjykatës, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës gjashtë vjet më parë, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Hetimet rreth pretendimeve për krime lufte të kryera nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999. (voa)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>