Kryeministri: Nga Pakoja fiskale përfitojnë ata që kanë para më pak

qeveria e ksKryeministri i Kosovës Isa Mustafa tha sot në mbledhjen e Qeverisë se nga aplikimi i Pakos së re fiskale do të përfitojnë qytetarët me të ardhura të ulëta dhe ato mesatare

Kjo pasi sipas kreut të Qeverisë, është destinuar që të përfitojnë kjo kategori e qytetarëve në mënyrë që të ruhet standardi i jetës.

Në mbledhjen e rregullt të Qeverisë, është miratuar edhe projektligji për Shërbimin e Jashtëm të Kosovës, i cili do të rregullojë funksionimin e shërbimit diplomatik.

Kreu i ekzekutivit Isa Mustafa tha se fillimi i zbatimit të pakos së re fiskale, ku është ulur TVSH-ja për produktet bazike, do të jetë në shërbim të zhvillimit ekonomik dhe përfitimit të qytetarëve që kanë të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Kabineti qeveritar po ashtu ka miratuar edhe projektligjin për Shërbimin e Jashtëm të Kosovës, i cili do të rregullojë funksionimin e diplomacisë kosovare.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Hashim Thaçi në prezantimin e projektligjit tha se ky projektligj harmonizon legjislacionin në fuqi për Ministrinë e Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik ,i cili deri më tani ka qenë i ndarë me akte të ndryshme.

Qeveria ka miratuar edhe propozim vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për Ministrinë e Tregtisë për blerjen e laboratorit mobil, pajisje analizuese për naftë dhe benzinë për inspektoratin e tregut. Mirëpo, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami tha se ky laborator do të shfrytëzohet për vërtetësinë e analizave që bëhen në laboratorin privat i cili është i akredituar.

Megjithatë, ajo shtoi se kërkohen inxhinierë të kimisë për të punuar në laborator, sepse Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk ka staf të tillë të kualifikuar që mund ta kryej këtë punë.

Qeveria ka shqyrtuar dhe miratuar propozim vendimin për autorizimin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për inicimin e procedurave lidhur me kërkesën për arbitrazh drejtuar institucioneve të Kosovës nga kompania “ACP Axos Capital” BMGH, në lidhje me çështjen e privatizimit të PTK-së.

Ekzekutivi ka miratuar edhe një sërë propozim -vendime tjera për shpronësimin e disa pronave për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani Elezit, si dhe është bërë ndarja e mjeteve financiare për renovimin e një shkolle në Komunën e Kaçanikut dhe një konvikti të studentëve në Prishtinë. /KosovaPress/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>