Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë ndodhen në Bruksel për të diskutuar me të dërguarin e Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë, që është shndërruar në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore.
Zoti Lajçak së pari u takua me kryenegociatorin e Kosovës Besnik Bislimi dhe më pas me atë të Serbisë Petar Petkoviç, ndërsa ende nuk dihet nëse do të ketë takim trepalësh.
Kjo është hera e parë që zyrtarë të qeverisë po marrin pjesë në diskutime për çështjen e dinarit serb pasi deri më tash kanë refuzuar me arsyetimin se kjo nuk është temë e dialogut që zhvillohet në Bruksel. Në takimin e muajit të kaluar nga Kosova kishin marrë pjesë zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës.
Takimet në Bruksel pasuan rregulloren e kësaj banke, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë. Rregullorja që ka hyrë në fuqi me një shkurt, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi si dhe në tensionet ndërmjet palëve.
Diplomatët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re.
Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive dhe kanë paralajmëruar Prishtinën se mospajtimet pengojnë angazhimin e tyre për të ndihmuar përparimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.
Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, paralajmëroi të hënën shtimin e trysnisë mbi Kosovën dhe Serbinë për zbatimin e marrëveshjes së arritur një vit më parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.
Me 18 mars në Ohër ata u pajtuan për udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjes e cila kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
Marrëveshja ishte mirëpritur nga diplomacia perëndimore dhe pati një shkallë optimizmi se zbatimi i saj do të fillojë menjëherë, por, kjo nuk ndodhi dhe palët kaluan periudha tensionesh të larta që kulmuan me 24 shtator kur një polic i Kosovës u vra gjatë një sulmi serbësh të armatosur.
voa