Kur do të mund të formohet Qeveria e re e Kosovës?
Me siguri secili prej jush e keni një ide se kush do ta formojë Qeverinë e ardhshme të Kosovës, ndonëse situata këtë herë është goxha e paqartë. Por, a e dini para cilave afate ligjore gjendet Kosova?
Të supozojmë se jemi rreth mesit të muajit mars, kur pritet të përfundojë saga e numërimit dhe e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
Atëherë nis sfida e re – ajo e formimit të Qeverisë.
Sipas njohësve të çështjeve politike, situatë më të paparashikueshme sesa kjo aktuale në Kosovë nuk ka pasur prej vitesh.
Asnjëra parti nuk ka regjistruar fitore bindëse për të formuar e vetme Qeverinë, ndërsa bashkimi i forcave këtë herë duket proces i ndërlikuar.
Cilat janë procedurat përpara?
Presidentja Vjosa Osmani duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila duhet të mbahet më së largu 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zyrtar zgjedhor nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Kjo mbledhje konsiderohet e mbyllur vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.
Në bazë të rezultateve preliminare, kryetari i Kuvendit do t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila ka fituar më së shumti vota. Por, nëse kjo parti nuk e propozon dikë për kryetar, procesi do të ngrijë në vend.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës na rikujton që, nëse kjo ndodh, nuk do të ishte hera e parë:
“Bazuar në praktikën e vitit 2014, kur procedura e konstituimit të institucioneve kishte zgjatur gjashtë muaj – atëkohë Gjykata Kushtetuese nuk ka përcaktuar afat ligjor, as kushtetues, se brenda çfarë periudhe është i obliguar subjekti fitues i zgjedhjeve që të propozojë një kandidat për kryetar të Kuvendit”.
Sipas tij, nëse nuk do të ketë aktgjykim tjetër të Kushtetueses, procesi mund të zvarritet deri vitin e ardhshëm, kur të skadojë mandati i presidentes, dhe të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme.
Më 2014, procesi ishte zhbllokuar vetëm kur Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kishte braktisur bllokun e atëhershëm opozitar, dhe i ishte bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në koalicion qeveritar.
Pse mund të krijojë bllokadë LVV-ja?
Partia e kryeministrit aktual, Albin Kurti, mund t’i zvarrisë proceset nëse nuk arrin të formojë koalicion të qëndrueshëm për të përmbyllur ciklin e formimit të institucioneve.
Por, nëse kryetari i Kuvendit zgjidhet, atëherë nisin tiktaket e orës për afatet tjera.
Presidentja e vendit obligohet që të nominojë partinë fituese të zgjedhjeve si mandatare për formimin e Qeverisë.
Ndonëse as këtu nuk ekziston një afat i saktë, vendimet në fuqi përcaktojnë që procesi duhet të zhvillohet “sa më parë që të jetë e mundur”.
“Unë pres që sapo presidentja të nominojë kandidatin që propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje, i njëjti do të jetë i obliguar që brenda një afati prej 15 ditësh ta propozojë para Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar”, ka sqaruar Cakolli.
Kabineti duhet t’i sigurojë votat e 61 deputetëve brenda këtij afati. Por, nëse kjo nuk ndodh, presidentja është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.
Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.
Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen dyzet ditë prej shpalljes së vendimit.
Cili është skenari më i mundshëm?
Sipas Cakollit, asnjëra prej partive nuk po duket që ka as ndonjë nguti, dhe as ndonjë interes për formimin e institucioneve:
“Në njërën anë, LVV-ja duket se do ta ketë tejet të vështirë gjetjen e partnerëve në mesin e partive shqiptare, për shkak se, të paktën, në bazë të rezultateve të deritashme, nuk e ka një partner të tillë dhe vetëm me parti minoritare joserbe nuk mund ta formojë Qeverinë. Besoj që do ta ketë tejet të vështirë, dhe si rrjedhojë do të tentojë që të bllokojë formimin e institucioneve përmes mosemërimit të kandidatit për kryetar Kuvendi”.
Partitë opozitare do të mund të kenë sfidë tjetër, nëse supozojmë se do të kryhet çështja e kryetarit të Kuvendit.
“Ato do ta kenë problem çështjen e presidentit – e cila menjëherë do të jetë në muajin mars dhe prill të vitit të ardhshëm – pasi LVV-ja, me 47 deputetë, sa i ka në bazë të projeksioneve të tanishme, mund ta bllokojë sërish zgjedhjen e presidentit dhe të shkaktojë zgjedhje të parakohshme”, ka vlerësuar Cakolli.
Partitë mund të mos kenë gatishmëri për të lëvizur përpara, sepse, sipas Cakollit, bëhet fjalë për sfidën e sigurimit të votave, por edhe kërkesat e faktorit ndërkombëtar që mund të peshojnë ndaj Qeverisë së re.
Kush do të mund ta formonte një Qeveri më stabile?
Cakolli ka thënë se përvoja nga zgjedhjet e vitit 2021 ka treguar se as edhe një Qeveri me 68 deputetë nuk ka qenë e mjaftueshme për kalim të projektligjeve në mënyrë efikase.
“Për një skenar më solid nevojitet një koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive shqiptare”, ka pohuar ai, duke përmendur si më të mundshëm një bashkim mes LVV-së dhe PDK-së, edhe për shkak të votave që duhen për pozitën e presidentit të ardhshëm.
Në diskutime partiake e jashtë tyre ekzistojnë edhe plot skenarë, dhe thuhet se po bëhen edhe plot matematika tjera.
Koha do të na tregojë se kush kishte të drejtë…
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar të enjten numrin e votave që kanë fituar kandidatët për deputetë të Kuvendit të Kosovës, në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, pas numërimit të mbi 90 për qind të votave në vendvotime.
Sipas rezultateve të publikuara në faqen e KQZ-së deri rreth orës 13:30, liderët e partive kryesore dhe kandidatët për pozitën e kryeministrit renditen kështu:
– Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidat për kryeministër – 259.532 vota
– Bedri Hamza, kandidat për kryeministër nga Partia Demokratike e Kosovës – 150.294 vota
– Memli Krasniqi, lider i Partisë Demokratike të Kosovës – 85.293 vota
– Lumir Abdixhiku, lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kandidat për kryeministër – 109.202 vota
– Ramush Haradinaj, lider i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kandidat për kryeministër – 37.752 vota
– Zllatan Ellek, lider i Listës Serbe – 9.354 vota.
Në rezultatin e publikuar nuk përfshihen votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe mbi 80 mijë vota nga diaspora.
Personi më i votuar në Kosovë vazhdon të mbetet presidentja aktuale e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila në zgjedhjet e vitit 2021, pati fituar 300.756 vota.
Dalja në zgjedhjet e sivjetme ishte 40 për qind – rreth 8 për qind më e vogël sesa në zgjedhjet e 2021-tës.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) – parti në pushtet – ka dalë e para në këto zgjedhje, me 40.80 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22.03 për qind të votave, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.63 për qind të votave, koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate ka marrë 7.46 për qind të votave, si dhe Lista Serbe 4.61 për qind të votave.
Partitë tjera kanë fituar përqindje më të vogël të votave.
Me Ligjin e ri për zgjedhjet, votat e kandidatëve për deputetë numërohen ndaras në Qendrat Komunale të Numërimit. Ky proces ka nisur me vonesë, ndërsa organizatat për monitorim të zgjedhjeve e kanë kritikuar vetë KQZ-në se nuk është përgatitur mjaftueshëm mirë për procesin.
Kush u ngjit në krye të listës?
Dhjetë figurat më të votuara në Lëvizjen Vetëvendosje, pas Kurtit, janë: Glauk Konjuca me 199.136 vota, Faton Peci me 96.849 vota, Hekuran Murati me 94.531 vota, Albulena Haxhiu me 89.601 vota, Xhelal Sveçla me 85.632 vota, Donika Gërvalla me 79.691 vota, Avni Dehari me 68.735 vota, Mimoza Kusari – Lila me 61.945 vota dhe Arben Vitia me 48.760.
Nga radhët e PDK-së, pas Hamzës dhe Krasniqit, më të votuarit janë: Uran Ismaili me 37.017 vota, Vlora Çitaku me 34.805 vota, Sala Jashari me 32.052 vota, Përparim Gruda me 27.004 vota, Jakup Nura me 26.635 vota, Rrahman Rama me 25.532 vota, Nait Hasani me 24.162 vota dhe Elmi Reçica me 23.163.
Nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas Abdixhikut, më të votuarit janë: Doarsa Kica Xhelili me 44.738 vota, Hykmete Bajrami me 41.796 vota, Kujtim Shala me 37.886 vota, Avdullah Hoti me 30.932 vota, Anton Quni me 27.292 vota, Lutfi Haziri me 27.260 vota, Jehona Lushaku Sadriu me 22.122 vota, Armend Zemaj me 19.341 vota dhe Imri Ahmeti me 18.397 vota.
Në listën e koalicionit mes AAK-së dhe Nismës, pas Haradinajt, më votuarit janë: Fatmir Limaj me 22.207 vota, Time Kadriaj me 12.976, Bekë Berisha me 12.972 vota, Ardian Gjini me 9.757 vota, Xhevahire Izmaku me 9.439 vota, Gani Bajraktari me 8.970, Albana Bytyqi me 8.398 vota, Besnik Tahiri me 8.006 vota dhe Pal Lekaj me 7.845 vota.
Nga kandidatët e Listës Serbe, më së shumti vota ka marrë Branislav Nikolliq nga Shtërpca, gjithsej 12.331 vota. Nikolliq është vëllai i Bratisllav Nikolliqit, ish-kryetarit të Komunës së Shtërpcës.
Pas tij renditet Sërgjan Popoviq nga Graçanica me 11.329 vota të fituara, si dhe Lilana Stefanoviq nga Mitrovica e Veriut me 11.231 vota. Lilana Stefanoviq, përndryshe, është ish-kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicën e Veriut, e cila ka dhënë dorëheqje, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës, në nëntor të vitit 2022.
Bartësi i Listës Serbe, Zllatan Ellek, sipas rezultateve aktuale, është në vendin e shtatë për nga numri i votave të fituara – 9.354. Para tij, në vendin e katërt është Sllavko Simiq me 10.752 vota, në vendin e pestë Verica Çeraniq me 10.412 vota, ndërsa në vendin e gjashtë Igor Simiq me 10.391 vota të fituara.
Në vendin e tetë është Milana Nikolliq me 8.163 vota, në të nëntin Stefan Kovaçeviq me 7.635 vota, dhe në të dhjetin, Novak Zhiviq me 6.612 vota.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka siguruar më së shumti vota në këtë proces zgjedhor, është zotuar se do ta formojë Qeverinë e re, ndonëse me rezultatet aktuale, ajo nuk i ka 61 deputetë për miratim të kabinetit të ri qeveritar.
Analistët politikë kanë përmendur mundësinë e bashkimit të forcave të LVV-së me komunitetet joserbe, që i kanë 10 ulëse të garantuara në Kuvend.
Partitë opozitare, PDK, LDK, dhe AAK, kanë hedhur poshtë mundësinë e krijimit të koalicionit me LVV-në dhe kanë shprehur gatishmëri për formimin e një Qeverie së bashku.
Njohësit e çështjeve politike paralajmërojnë se në ditët dhe javët në vijim, Kosova rrezikon të përballet me turbulenca politike, për shkak të thellimit të ndasive mes partisë në pushtet dhe atyre në opozitë.
rel