Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u takuan të mërkurën në mbrëmje në një darkë joformale në Berlin, për herë të parë që nga korriku i vitit të kaluar.
“E mirëprita mundësinë për një darkë joformale diskutimesh rreth dialogut me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç në Berlin. Mirënjohës ndaj qeverisë gjermane për pritjen. Ne do të vazhdojmë diskutimet në nivel të kryenegociatorëve më 13 maj”, shkroi në rrjetet sociale, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.
Darka pasoi takimet e ndara të të dy udhëheqësve me kancelarin gjerman Olaf Scholz, në të cilat u diskutua, siç thuhet, bashkërendimi i reagimeve të mëtejshme ndaj agresionit të Rusisë në Ukrainë si dhe bashkëpunimin rajonal.
Kancelari Scholz kishte ftuar në Berlin të dërguarin e BE-së për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak. Takimit i ishte bashkuar edhe i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Diplomatët perëndimor ka kohë që janë vënë në përpjekje për të siguruar një takim të nivelit të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe takimi i së mërkurës shihet si një hap shtendosjeje që do të ndihmojë ripërtëritjen e procesit drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet palëve.
Kancelari gjerman Scholz tha më herët pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, se një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi do të hapte rrugën për integrimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian.
“Qëllimi i bisedimeve të Brukselit është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e qëndrueshme midis dy vendeve, që u hap të dyja vendeve perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe kontribuon për qëndrueshmërinë rajonale, tha kancelari Scholz, sipas të cilit marrëveshja do të përfshinte shumë hollësi, “por natyrisht këtu bën pjesë edhe ajo që ka bërë Gjermania prej kohësh, pra është njohja e Kosovës”.
Kryeministri Kurti tha se bisedimet duhet të jenë të përqendruara në njohjen e ndërsjellë “pra jo në njohje që vjen në fund të një procesi të gjatë, por si dialog për marrëveshje me njohje reciproke në qendër”.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha ndërkaq se “beson që do të kemi fuqi të përparojmë në bisedimet me Prishtinën”.
Në fillim të javës së kaluar, ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit, Karen Donfried, tha se normalizimi është rruga për t’iu kundërvënë përpjekjeve të Rusisë për destabilizimin e Ballkanit.
Serbia është i vetmi vend i rajonit që nuk i ka vënë sanksione Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.
Kancelari gjerman tha se lufta është e papranueshme ndërsa “presidentit Vuçiç ia përcolla edhe shqetësimin tim për situatën në Bosnjë. Është shumë e rëndësishme të ruhet qëndrueshmëria atje”.
Agresioni rus në Ukrainë ka nxitur shqetësime për ndikimet e konfliktit edhe në Ballkanin Perëndimor.
“I kam premtuar kancelarit Scholz se Serbia nuk do të jetë shkaktare e asnjë problemi dhe ne e mbajmë fjalën”, tha presidenti serb.
voa