Kurti flet për “të fortët e LDK-së” dhe “nënshtrimin e tyre ndaj agjendës së presidentit”

Albin Kurti e ka quajtur të pabesueshëm nënshtrimin e disa zyrtarëve të LDK-së ndaj, siç tha ai, agjendës së presidentit Hashim Thaçi.

Në intervistën dhënë në emisionin “Desku” në KTV, Kurti foli për atë që ngjau para dhe pas mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë që drejton ai.

Ai foli për disa zyrtarë të LDK-së që nuk garuan në zgjedhje, por që u fuqizuan brenda partisë pas takimit me ambasadorin amerikan Richard Grenell.

“Për mua nuk ka shpjegim tjetër ky lloj nënshtrimi ndaj agjendës presidenciale, të mos jesh askund kundër presidentit, e të marrësh fjalën në seancën e mocionit të mosbesimit e ta akuzosh kryeministrin për tone bolshevike, është e papranueshme”, tha Kurti duke iu referuar ish-zëvendësit të tij, Avdullah Hoti, që u shkarkua menjëherë pas fjalimit në Kuvend.

Ai përsëriti edhe çështjen që e nxiti gjithë këtë – iniciativën e presidentit Thaçi për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme.

Sipas Kurtit, Thaçi dështoi në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë.

“Nuk arriti ta bëjë dekret presidencial dhe ta çojë në Kuvend, presidentit të Kosovës i nevojitet një kryeministër tjetër, që nuk ia kundërshton intencën për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme”, tha Kurti.

Ai iu kthye edhe çështjes që ngriti në seancën për mocionin, kur tha se “Janë transkriptet nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë”, duke dashur të vërtetojë atë që po thoshte për presidentin. Por pak minuta më vonë, vetë ai bëri të ditur se “transkriptet nuk ekzistojnë më shkaku i një defekti në hard-disk”, duke shtuar se “kapja e shtetit po vazhdon”.

“Transkriptet nuk dashur as t’i lexoj e as t’i publikoj, por jam i alarmuar pse paska qenë një problem në hard disk. Por kujtimet i kemi aq të freskëta, të gjithë janë të gjallë. Presidenti, pa asnjë të vdekur nga koronavirusi, me vetëm 19 të infektuar, synoi të shpallte gjendje të jashtëzakonshme. Janë dy arsye: Sipas nenit 131 të Kushtetutës, pika 7, praktikisht presidenti merr kontrollin me ushtrinë dhe e shpor ministrin e Mbrojtjes, kurse me nenin 131, pika 8 e merr kryesimin e Këshillit të Sigurisë dhe e nxjerr nga loja kryeministrin. Ai s’po pajtohet me kompetencat ceremoniale që ka, por le t’i kthehet garës në zgjedhje nëse ka dëshirë për pushtet” ka thënë Kurti për presidentin Thaçi.

Sipas tij, Thaçi e humbi debatin në Këshill të Sigurisë, por këtu nuk ishte fundi i absurditetit. Ai tregon se Thaçi në mbledhje lavdëroi punën e Policisë, kurse pak orë më vonë përmes dekretit për gjendje të jashtëzakonshme deshi të marr kompetencat e Policisë, duke nxjerr ushtrinë në rrugë.

“Nuk ekziston asnjë detyrë që nuk e kanë kryer institucionet tona, gjendja e jashtëzakonshme është një akt gati i dëshpërimit, kur nuk funksionin sistemi. Por te ne nuk ishte situata”, tha Kurti.

Kurti do t’i shkojë në takim nesër Thaçit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, konfirmoi në emisionin DESKU në KTV se do t’i shkojë në takim presidentit Hashim Thaçi.

Por ai tha se s’do të shkojë për konsulta me të, por për t’i paraqitur qëndrimin e tij se s’jemi në situatë paszgjedhore.

“Këshilltarët e mi ligjorë, e kanë pasur për detyrë ta vlerësojnë ftesën e presidentit, dhe sugjerimi i tyre është që të shkoj në takim nesër, dhe unë do të shkoj si kryeministër në detyrë që ta paraqes në hollësi qëndrimin tim, duke mos e konsideruar si konsultim për qeveri meqenëse ai do të ishte një lloj shkeljeje e Kushtetutës, sepse s’jemi në situatë pasgjedhore”, konfirmoi Kurti.

Kurti tha se presidenti po sillet thuajse 25 marsi është 3 shkurti, “thuajse unë s’jam zgjedhur asnjëherë kryeministër”.

Ai tha se Presidenti ka dashur që më 3 shkurt unë të mos zgjidhem, duke i ftuar në drekë pakicat joserbe në mënyrë që ata të mos marrin pjesë në votimin për kryeministër.

“Në paraditen e 3 shkurtit, pakicat joserbe i ka thirrur për takim presidenti dhe ju ka thënë ejani shkojmë për drekë në Brezovicë e mos rrini në Kuvend sepse do të dështojë Kurti, e pastaj në herën e dytë do ta kemi dikë të LDK-së ku ju do të merrni shumë më shumë se që ju ka ofruar Kurti. Këta s’i kanë besuar dhe unë u zgjodha. Më 3 shkurt unë jam zgjedhur kryeministër, më 25 mars kishim mocionin e mosbesimit, dhe meqenëse Kushtetuta s’e parasheh mocionin konstruktiv të mosbesimit, kur ti e rrëzon një qeveri e propozon një qeveri alternative, të gjithë ata që shkojnë në mocion, shkojnë me idenë e zgjedhjeve të reja. Dhe sot presidenti s’ka mjete kushtetuese në dorë që të na thotë neve se nga kjo përbërje e Kuvendit duhet të formojmë një qeveri të re. Për mua kjo është situatë absurde. Është neni 83 pika 2 ku duhet të fokusohet presidentit, e jo në nenin 95. Takimi që kisha herën e fundit me presidentin, ishte më 13 mars, dhe kur e mendoj, përveç të premten i 13 dhe 1 prilli, janë datat e përshtatshme për ta takuar atë”, u shpreh Kurti.

“Unë besoj që më e drejta dhe më e mira është 100% të gjithë ne të përqendrohemi në muajin prill të luftojmë koronavirusin. Presidenti do të duhej ta caktojë në konsultim me partitë, datën e zgjedhjeve, e jo të provojë të formojë qeveri, sepse një president ceremonial, nuk formon vullnet politik as nuk drejton vullnet politik, dhe zgjedhjet të mbahen diku kah mesi i qershorit. Kushtetuta jonë nuk ofron rrugë tjetër. Nevojitet kuvend i ri për qeveri të re. Presidenti e ka shprehur intencën e tij, herë thotë qeveri uniteti e herë teknike, sikurse janë sinonime. Ai dëshiron një qeveri që s’do të jetë qeveri në mënyrë që ky të jetë më shumë se president. Këtë do t’ia bëj të qartë nesër paradite”, theksoi kreu i VV-së.

“Nuk mund ta kuptojmë situatën pa e bërë dallimin mes kryeministrit të dorëhequr dhe qeverisë në detyrë. Karrigia e kryeministrit nuk është e zbrazët, dallon substancialisht nga kryeministri i dorëhequr, siç ishte rasti i Haradinajt. Kemi qeveri në detyrë që do të jetë boshti i luftimit të koronavirusit, deri në zgjedhjet e reja. Unë do t’i respektoj aktgjykimet kushtetuese. Unë s’dua të jem me çdo kusht kryeministër. Shpresoj që s’do të llogarisin në ndonjë gabim teknik të nenit 95 pika 5, ku në vend që të shkruajë partia, siç thuhet partitë politike apo koalicioni që i ka fituar zgjedhjet”, theksoi ai.

Në pyetjen nëse Presidenti ia jep mandatin LDK-së për ta formuar një qeveri tjetër, Kurti tha se do t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese për të cilën tha se do ta rrëzonte atë qeveri.

“Nuk ka mundësi të bëhet qeveri pa të parin. Këtë e thotë aktgjykimi i vitit 2014. Jo që na ka pëlqyer neve ai vendim, por është fakt real që e ka orientuar edhe garën politike e edhe koalicionet pas zgjedhjeve. Pas mocionit të mosbesimit, unë besoj që s’ka zgjidhje përveç se kthimi te sovrani. Populli më 6 tetor ka votuar për partinë fituese për të formuar qeverinë. Ky mocion që e rrëzoi qeverinë, e ka të domosdoshme kthimin tek qytetarët sepse s’mund të sajojmë një Frankenshtajn qeveri. Kuvendi e ka rrëzuar qeverinë, por edhe veten për një qeveri të re. Nëse unë do të jepja dorëheqje, do të ishte ndryshe situata”, u shpreh ai.

Për gjuhën e zyrtarëve të VV-së, gjegjësisht për Agim Bahtirin, që bëri thirrje për vëllavrasje, Kurti tha se “së pari, ta themi qysh në fillim që unë s’jam fare dakord me atë deklaratë”.

“Ajo s’na ndihmon, përkundrazi. Së dyti, është interesant se si prokurorët menjëherë i shkuan në derë Bahtirit, por nuk i trokiti askush Presidentit. Kjo tregon se shteti vazhdon të jetë i kapur. Së treti, unë besoj që njerëzit duhet t’i ruajnë nervat dhe ta gjejnë madhështinë për të tejkaluar frustrimin që ka shkaqe të shumta. Jo të gjithë që shpërthejnë, shpërthejnë jo vetëm për atë që e shprehin. Është njëfarë indinjate në popull, dhe kjo po shpërthen në një pikë që po e zbraz kupën në aktualitetin tonë politik. I ftoj ta ruajnë qetësinë, t’i ndalin sulmet, e të jemi bashkë – armiku kryesor është koronavirusi”, potencoi kreu i VV-së, Albin Kurti.

Kurti: Le t’i publikojë Grenelli mesazhet ku i kam thënë se e heq taksën pa reciprocitet

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se në takimet me ambasadorin Richard Grenell, asnjëherë nuk ka thënë se do ta heqë tarifën, pa reciprocitet.

“Kanë qenë dy takime me Grenellin, një në tetor dhe një në janar, në të dyja ka qenë temë tarifa. Në të dy takimet e kam mbajtur qëndrimin e njëjtë, por ambasadori Grenell ka mundur t’i paraqesë mesazhet ku unë thënë se e heq tarifën pa reciprocitet. Natyrisht se s’ka mesazh të tillë. Unë vazhdimisht kam thënë se tarifën duhet ta zëvendësojmë me reciprocitet, asnjëherë s’kam vënë pikë në fjali duke thënë se duhet ta heqim tarifën. Ambasadori Grenell ka mundur ta shohë ndonjë pikë timen si presje. Nëse ka ndonjë politikan që dihet si mendon, jam unë. E dini, presidenti serb Vuçiqi që tha s’kemi trysni nga amerikanët. Nuk e di si erdhëm në këtë situatë ku Kosova, që ka për kryeministër dikë që ishte në burgjet e Millosheviqit ka pakrahasueshëm më shumë trysni sesa Serbia që duket se s’ka trysni fare e e ka për president një që ishte ministër i Millosheviqit. Si erdhëm në këtë situatë?”, tha Kurti në emisionin DESKU të KTV-së.

Ai tha se trajtimi ndaj Kosovës ka qenë jofer nga bashkësia ndërkombëtare.

“Nga gushti i vitit të kaluar, shtetet e Quintit kanë nxjerrë një deklaratë të përbashkët me këto dy fjali: Kosova të pezullojë taksën, e Serbia të pezullojë fushatën për çnjohje. Kjo e dyta ra, ambasadori Grenell erdhi në Prishtinë e shkoi në Beograd, dhe nuk e di bash në cilën ditë ra kjo fjalia e dytë, por unë besoj që pasi ne po e heqim nesër tarifën e ta vendosim reciprocitetin, shpresoj që faktori ndërkombëtar t’i thonë Serbisë e të thonë publikisht se edhe ajo e po e heq fushatën kundër Kosovës”, u shpreh kryeministri në detyrë.

Kurti tha se takimet me ambasadorin amerikan i ka pasur të rregullta, madje tha se një të tillë e ka pasur edhe sot.

“Sot jam takuar me Kosnettin dhe kemi biseduar për fushatën tonë kundër koronavirusit, dhe i kam treguar se do ta propozoj në Qeveri propozim-vendimin për masat e reciprocitetit për zëvendësim të tarifës. Kemi diskutuar edhe për pakon fiskale dhe për nevojën për likuididet për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Unë pajtohem aq shumë me secilin zyrtar amerikan, por s’do të thotë që pajtohem me gjithçka. Nuk është faji im që ajo për të cilën s’po pajtohemi, ajo po bëhet aq e madhe. Kjo fushata për të thënë antiamerikanizmin tim, është banale. Keni vërejtur se më quajnë marksist e bolshevist. Por këta janë duke i fyer amerikanët, sepse dëshirojnë të tingëllojnë në veshin e tyre me fjali shumë të thjeshta duke i konsideruar amerikanët aspak të sofistikuar”, theksoi Kurti.

Ai tha se Kosovës i nevojiten edhe SHBA-ja edhe BE-ja dhe shtoi se s’ka zëvendësim për to. “Pa SHBA-në s’mund të kemi mbrojtje nga Rusia”.

Tutje, Kurti tha se Gjermania dhe Franca e kanë mbështetur qeverinë e tij.

“Gjermania dhe Franca e kanë mbështetur qeverinë tonë. Këto si dy vende kryesore të BE-së, pas Brexitit, duhet të përshëndesim edhe mbështetjen e MPJ-së së Spanjës, e cila, në vend që të shihet si pozitive në Kosovë, filluan të thonë se Borrelli e Lajçaku janë me Albinin, e ne jemi me Grenellin. Këto janë lojëra fëmijësh, më shumë janë sulme që e sulmojnë dëgjimin e njeriut e të të menduarit, sesa që na shërbejnë për të ecur përpara. BE-ja e ka krizën e vet, por do të kalojë pandemia, e neve na nevojitet të ecim sa më shpejt në drejtim të Brukselit, por duhet ta rregullojmë vendin tonë. Duke qenë se BE i merr vendimet me konsensus, me siguri se kjo e bën shumë frustruese situatën. Të gjithë ne jemi shumë të zhgënjyer për vonesën e liberalizimit. S’e di a do të mbahet samiti i Zagrebit. Sido që të jetë, nga BE kemi çfarë të përfitojmë. Ndihma e fundit 5 milionëshe i parapriu ndihmës prej 75 milionë eurove për filtër të Kosovës B, që është keq që u përmend pak. BE-ja është ndihmës i madh i shtetit tonë, ani pse pesë shtete s’na e njohin pavarësinë. BE-ja ka nevojë për reformë të dyfishtë, edhe brenda vetes, e edhe duke u zgjeruar. Kemi Holandën dhe Danimarkën, dy vende shumë skeptike, dhe nuk besoj që do të mund të bëjmë punë të madhe me ta, sa do të mundej Gjermania”, potencoi kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Dy mosnjohjet e LDK-së sipas Kurtit: fitorja e VV-së dhe kontributi i Vjosa Osmanit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vlerëson se partneri i koalicionit, LDK-ja, nuk ishte e sinqertë në bashkëpunim.

Në intervistën dhënë në “Desku” të KTV-së, ai ka thënë se te LDK-ja kishte zyrtarë që nuk kishin as vullnet e as dëshirë, e që fatkeqësisht sipas tij, kishin shumë fuqi si në parti ashtu edhe në Qeveri.

“Unë besoj që te një pjesë e partnerit tonë të koalicionit, nuk ka ekzistuar as vullneti as dëshira për koalicion dhe ata fatkeqësisht patën shumë fuqi, edhe në parti edhe në Qeveri. Në programin qeverisës ishte e qartë se si duhej të ecej para”, tha Kurti.

Sipas tij, tarifa e përdorur nga LDK-ja si arsye për rrëzim të Qeverisë nuk ekziston.

“Tarifa mund të ketë qenë flamuri i kundërshtarëve, jo shkaku i kundërshtimit”, ka shtuar ai.

Kurti ka treguar edhe për tarifën e shumëpërfolur. Ai beson që tarifa do të hiqet sonte në mesnatë.

Ministrat kanë afat të votojnë për heqje ose jo deri pak pas orës 22:00. Mbledhja po mbahet me korrespodencë.

“Në 22.06 përfundon votimi në mbledhjen me korrespodencë, sonte besoj do të hiqet tarifa në mesnatë. Duhet t’i kemi 9 vota për, jemi 17 anëtarë tash”, tha i pari i Ekzekutivit.

Ai u ndal disa herë rreth çështjes LDK. Sipas tij, edhe sot po të kthehej puna nga fillimi nuk do të kishte mundësi të arrihej dakordimi.

“Nuk ka qenë e mundur të ketë dakordim, edhe sot të kthehemi nuk besoj. Ata përfunduan te qëndrimi se duhet të hiqet tarifa pa reciprocitet. Në Qeverinë tonë nuk e kishim Vjosa Osmanin, e cila po ashtu kishte garuar me tezen për zëvendësimin e tarifës me reciprocitet. Nuk thuhej se duhej të ndryshohej programi qeverisës, por thuhej ndryshoje ti”, ka thënë Kurti.

Ai foli edhe për mënyrën se si bëri sipas tij, LDK-ja presion, duke përdorur kartën me SHBA-në.

“LDK-ja vazhdimisht e ka bërë konkrete këtë gjë, se SHBA do të tërheqë trupat, do të izolohemi, etj. E pyeta gjeneralin Risi, një njeri që e do edhe Kosovën edhe punën e vet, dhe tha se kurrfarë kërkese për tërheqje trupash amerikane nuk ka, është përdorur si mjet për shpërndarje paniku”, shtoi ai.

Kurti foli edhe për zërat nga SHBA-ja për tërheqje trupash, por sipas tij ishin pak.

“Ishte një senator që e tha në mënyrë eksplicite. Por në SHBA janë 104 senatorë e 404 kongresistë. Unë besoj që ata (LDK-ja v.j.) kanë qenë të interesuar të tërhiqen nga ky koalicion”.

Kurti tha se qysh para lidhjes së marrëveshjes për koalicion ndjente njëlloj mosbesimi e dëshirë nga ana e LDK-së. Porse ishte siguruar se ka besimin.

“E kam ndier njëfarë sikleti të madh që VV-ja doli e para. Ata kanë qenë shumë të bindur se do të dalin të parët. Janë dy mosnjohje të thella këtu: VV-ja i fitoi zgjedhjet dhe vazhdimisht thoshin të balancohemi, e keni vetëm një deputet më shumë. Por e kemi ditur se ne nuk do të fitojmë për 20 për qind, diferenca do të jetë e vogël. Aktgjykimi i Gjykatës na diktonte se kush del i pari merr shumë. Mosnjohja tjetër është se zonja Osmani është ajo që e ka shpëtuar nga pozicioni i tretë, ata nuk do të dilnin as të dytët”, tha Kurti.

Kurti: Presidenti s’është i kënaqur me kompetencat kushtetuese, dëshiron të jetë politikan ditor

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk është i kënaqur me kompetencat kushtetuese që i ka.

“Raporti me Zyrën e Presidentit është i vështirë sepse presidenti nuk është i kënaqur me kompetencat kushtetuese që i ka, ai do të duhej të bëhej fer dhe të hyjë në politikë. Presidenti ka rol ceremonial, e ka rolin e një noteri shtetëror. Dhe në këtë kuptim, zelli i presidentit për politikë ditore, gjen vend në parti politike, e jo në kolltukun presidencial. S’duhet të kesh tendenca për të drejtuar a formuar vullnete politike. Nuk i takon atij të na tregojë se çfarë qeverie na nevojitet neve. Ai dëshiron të jetë më shumë se president që e parasheh Kushtetuta. Ose ta ndryshojmë Kushtetutën, gjë që s’bëhet, ose të hyjë në politikën ditore e të bëjmë garë”, u shpreh Kurti.

Sipas tij, as raportet me bashkësinë ndërkombëtare nuk kanë ndryshuar, duke thënë se takimet e rregullta me ambasadorët e jashtëm vazhdojnë dhe temë kryesore është luftimi i shpërndarjes së koronavirusit, por edhe çështje tjera.

Albin Kurti tha se me miratimin e Pakos emergjente fiskale po synohet të parandalohet rënia e madhe ekonomike e Kosovës.

“Pakoja emergjente fiskale, shpresojmë që do ta parandalojë rënien e madhe ekonomike të vendit, por besoj që puna që ka bërë ministri Besnik Bislimi, është më e mira, jo vetëm në rajon. Sa i përket pakos, ka një ngjyrë të fuqishme sociale që thotë se ne kujdesemi për të gjitha shtresat e popullsisë. Nuk i lëmë anash as punëtorët e as ndërmarrësit, dhe ky balancim mendoj se është bërë më mirë se kudo tjetër. Me këto masa, besoj që jemi para të tjerëve. Për pakon fiskale nevojitej më shumë analizë, e bëmë më vonë se të tjerët, por ka dalë më mirë. Në momentin që IKSHPK na solli raportin se duhet t’i mbyllim shkollat, ne të njëjtën ditë kemi vepruar dhe s’kemi bërë gabimin e shteteve tjera. Për shëndetësi i kemi marr vendimet menjëherë, ndërsa për ekonominë kemi pritur ca, por të dyja kanë dalë shumë mirë”, u shpreh kreu në detyrë i ekzekutivit të Kosovës, Albin Kurti.

Megjithatë, ai tha se është i vetëdijshëm se nuk do të kënaqen të gjitha palët me këtë pako.

Kurti: Me LDK-në po funksionojmë si qeveri, por s’mund të them se jemi në koalicion

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në emisionin DESKU të KTV-së, foli për marrëdhëniet brenda qeverisë pas mocionit të mosbesimit.

Kurti tha se qeveria në detyrë po funksionon shumë mirë duke i zbatuar detyrat sipas programit qeverisës.

“Sot isha bashkë me dy ministra të LDK-së dhe një të VV-së, në Qendrën e Studentëve e shndërruar në karantinë. Aty takuam të gjithë ata që po i ndihmojnë ata që dyshohet se janë të infektuar me koronavirus. Nuk ka kurrfarë tensioni midis neve, dhe besoj që jemi me fat që i kemi këta ministra në këtë kohë që ndodhemi me një sfidë të paparë, edhe globale”, tha Kurti.

“Besoj që si qeveri, po funksionojmë sikurse të ishim në koalicion, por pas mocionit, nuk mund të them se jemi në koalicion. Por, megjithatë, vlen i njëjti program qeverisës dhe nuk e kemi problemin e vendimeve të atypëratyshme”, tha ai.

Kryeministri në detyrë tha se nuk ka pasur ndryshim në raportet me institucionet e tjera pas votimit të mocionit të mosbesimit.

“Nuk ka pasur ndryshim të raporteve, përkundrazi institucionet, Policia, FSK-ja, Dogana, ATK, e edhe drejtoritë e ndryshme, nuk vërej që ka ndonjë problem. Dhe për mua ishte vetëm një dilemë kur u bë thirrja nga Thaçi që policët të shfaqin padëgjueshmëri, por të nesërmen s’pamë asnjë problem. Të gjithë policët e zbatuan me përpikëri vendimin e qeverisë”, u shpreh Kurti.

Kurti: Do ta respektojmë vendimin e Kushtetueses

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se ai dhe Qeveria në detyrë do të respektojnë vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me masën e ndalimit të lëvizjes.

Kurti në emisionin “Desku” në KTV, tha se është i befasuar me vendimin e Kushtetueses, por vlerësoi edhe mirëkuptimin e saj, siç e quajti ai shtyrjen e afatit deri më 13 prill për shfuqizim të kësaj mase të marrë nga Qeveria për shkak të përhapjes së koronavirusit.

Ai në intervistën e parë që pas kalimit të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë, tha se muaji prill do të jetë vendimtar në luftën ndaj Covid-19.

“Unë jam befasuar me vendimin, por do ta respektojmë. Po të thuhej që aktgjykimi do të zbatohej menjëherë, atëherë do të na bënte shumë dëm. Duket se ka qenë një vendim në siklet e sipër i Gjykatës Kushtetuese. Ajo na ka dhënë të drejtë se nuk ka nevojë për gjendje të jashtëzakonshme. Sidoqoftë ne do ta respektojmë dhe jemi me fat që ka dhënë afat deri më 13 prill. Ishte njëlloj pragmatizimi jodogmatik i Gjykatës Kushtetuese”, tha Kurti në “Desku”

Ai shtoi se deri më 13 prill, Qeveria do të nxjerr një vendim të ri, me procedurë tjetërfare.

“Gjykata Kushtetuese nuk na ka kontestuar legjitimitetin e qëllimit”, shtoi Kurti.

Sipas tij, do të shikohet mundësia të bëhet një ligj, por shtoi se tash është e vështirë të mblidhet Kuvendi.

“Kjo mund të bëhet me një ligj në Kuvend, por tash nuk e mbledhim kollaj Kuvendin, por duhet të shohim”.

Kurti vlerësoi shumë edhe ndihmat që ka marrë shteti në luftë kundër koronavirusit.

“BE-ja na ka dhënë dje 5 milionë euro pajisje medicinale, SHBA-ja 1.1. Ne jemi shumë falënderues për një ndihmë kaq të vlefshme në kohë të vështirë. Ne kemi nevojë për çfarëdo lloj ndihmash”, tha kryeministri në detyrë, Kurti.

koha

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You may use these HTML tags and attributes: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <strike> <strong>