Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të enjten se Ballkani Perëndimor ka nevojë për një proces të përshpejtuar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe se futja në BE e këtij rajoni do të sjellë përfitime nga BE dhe e do të ulë influencën ruse në Ballkan.
“Tani ka influencë malinje nga Federata Ruse në Ballkanin Perëndimor, futja në BE do të sjellë më shumë demokraci, dhe më pak influencë ruse në këtë drejtim”, tha Kurti në Samitin e socialdemokratëve për Ballkanin Perëndimor, që po mbahet në Vjenë të Austrisë, raporton RTKlive.
Shefi i ekzekutivit kosovar, vlerësoi se po jetojmë në kohën e fashizmit rus. “Duhet të jemi bllok kundër këtij fashizmit rus”, theksoi ai.
Kurti ka folur edhe për zhvillimet ekonomike e sociale në vend. “Ne kemi rritur pensionet, kemi pasur edhe pakon ekonomike, kemi ndihmuar personat për pagesën e energjisë, i kemi dhënë shtesa në paga, kemi dyfishuar pensionet, ndihmat sociale, kemi studime falas për BA dhe MA. Kemi dhënë bursa për studentë”, tha ai.
Sipas tij Kosova është histori e dyfishtë e suksesit, e ndërhyrjes së NATO-s për të ndalur gjenocidin e regjimit të Millosheviqit, por edhe për të pasur rritje ekonomike së bashku me demokraci cilësore.
“Për shembull, vitin e kaluar ne u përmirësuam për 17 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International, dhe më pas më 17 vende në Indeksin e Lirisë së Shtypit Botëror, Reporterët Pa Kufij, lirinë e medias. Dhe për herë të dytë ne dalim të parët nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor sa i përket sundimit të ligjit sipas World Justice Project. Mes 14 vendeve në Evropën Lindore që ende nuk janë pjesë e BE-së, ne jemi numri dy pas Gjeorgjisë. Pra, demokracia cilësore, të drejtat e njeriut, pluralizmi politik, qeverisja e mirë, shkojnë së bashku me rritjen ekonomike. Vitin e kaluar kemi pasur rritje ekonomike prej 10.7% të BPV-së. Këtë vit do të jetë të paktën 4% pas zbritjes së inflacionit”, tha ai.
rtk