Kryeministri Albin Kurti në Seminarin e 102-të të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-së në Prishtinë, ka thënë se tani është më optimist sa i përket dialogut për marrëveshje me Serbinë, pasi është një qasje e re në agjendën e Brukselit.
“Jam optimist sa i përket dialogut në Bruksel sepse atje kemi krijuar qasjen e duhur dhe të drejtë dhe kjo është kroniza e përgjithshme e marrëveshjes. Dialogu nuk duhet të shërbejë vetëm për menaxhim krizash dhe të bëhet dialog për dialog, por dialog për marrëveshje. Tani jemi futur në një fazë të re qënga 18 gushti i këtij viti, sepse tema e parë në zyren e z. Borell ishte korniza e përgjithshme e marrëveshjes, pra dialogim për marrëveshje dhe do të diskutojmë për këtë marrëveshje”, ka theksuar Kurti.
Kryeministri tutje ka thënë se e ka këtë optimizëm duke pasur parasysh faktin se për dallim nga e kaluara kur njohja e pavarësisë ishte në fund të procesit dhe po e shndërronte këtë qasje në motivim të Serbisë për zvarritje të procesit tani njohja e ndërsjellë është në qendër të marrëveshjes.
“Sepse nëse i thoni Serbisë se pavarësia do të vjen në fund ju e inkurajoni Serbinë për ta shtyrë fundin, por tani njohja e ndërsjellë nuk është në fund të procesit por është në qendër të marrëveshjes. Nuk po them se nuk do të ketë edhe pika tjera në marrëveshje por pjesa qendrore ka të bëjë me njohjen e ndërsjellë. Kjo qasje e re, pra me agjendën e re në Bruksel, ku synon të kemi një kornizë të përgjithshme për marrëveshje si tema numër një e bisedimeve më bën optimist për muajt që kemi përpara dhe për arritjen e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme”, ka nënvizuar Kurti.
Ai gjatë ekspozesë në këtë seminar ka thënë se synimi i Kosovës është të forcohet e të bëhet anëtare e NATO-s dhe në këtë mënyrëë të kontribuojë në promovimin e vlerave demokratike e të paqes nëpër botë.
Kurti ka thënë se këtë vit është rritur buxheti për mbrojtje në 102 milionë euro, teksa sipas tij synimi është që buxheti për mbrojtje së shpejti të arrihet në 2 për qind të bruto produktit vendor.
Ai ka folur edhe për lidhjen e ngushtë të Serbisë me Rusinë, si dhe bazat ushtarake që Serbia i ka në kufi me Kosovën.
Duke folur për liberalizimin e vizave, Kurti ka thënë se kjo është një çështje e vonuar për shkak të hezitimit të disa shteteve anëtare, edhe pse Kosova i ka plotësuar 95 kritere, teksa është shprehur optimist për një vendim pozitiv në të ardhmen e afërt.
Lidhjet e Beogradit me Kremlinin, Kurti: Serbia preferon territorin e të tjerëve, pa të tjerët në të
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë pjesëmarrjes së tij në Seminarin e 102-të të Rose-Roth të Asamblesë Parlamentare të NATO-së, ka folur për raportet Kosovë-Serbi.
I pyetur nëse Serbia po synon ta imponojë mënyrën e vetë të jetesës, Kurti ka thënë se mendon se është e kundërta.
“Nuk jam i sigurt që Serbia synon të imponoj mënyrën e vet të jetesës tek të tjerët, në të vërtetë Serbia preferon territorin e të tjerëve. Nuk kemi të bëjmë me mënyrën e jetesës, me çështje kulturore ose fetare, kemi të bëjmë me ide ekspansioniste të dominimit të këtij rajoni të Evropës dhe duke llogaritur në ndihmën nga federata ruse”, ka thënë Kurti, shkruan Telegrafi.
Kryeministri ka shtuar se lidhjet Serbi-Rusi janë shumë të ngushta.
“Duhet të jemi vigjilent sepse lidhjet mes Beogradit dhe Kremlinit janë të shumëfishta, janë historikisht të thella dhe nga aspekti ekonomik dhe ushtarak të gjera. Serbia nuk na njeh dhe nuk i pranojnë krimet e kryera nga Millosheviqi, kemi të bëjmë me një autokraci. I kanë 48 baza të avancuara ushtarake përgjatë kufirit me Kosovën, 28 janë ushtarake 20 janë të xhandarmërisë serbe. Kjo shkakton shqetësim për ne, ndonëse ne nuk jemi pjesë e NATO-s, NATO është në Kosovë”, ka thënë Kurti.
Sipas Kurtit ndërhyrja e NATO-së në Kosovë është një storie suksesi.
“Kosova është një pjesë shumë e rëndësishme e historisë së NATO-s. Nuk është vetëm NATO që e mbron Kosovën por edhe Kosova NATO-në sepse jemi storie e suksesit për ndërhyrjen e NATO-së në Kosovë. Jemi storie suksesi e dyfishtë jo vetëm për ndërhyrjen nga NATO por edhe në ndërtimin e demokracisë dhe ekonomisë së vendit”, theksoi ai.