Presidenti serb Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Kurti ranë dakord se nuk nevojiten bisedime të mëtejshme për propozimin evropian, që shërben si kornizë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Në konfliktin ndërmjet Serbisë dhe Kosovës të dyja palët treguan gatishmëri për t’u afruar me njëra-tjetrën. Presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti pranuan propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve të tensionuara prej kohësh, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pas bisedimeve të ndërmjetësimit në Bruksel.
Tani nevojiten negociata të mëtejshme për zbatimin e marrëveshjes, e cila mund të arrihet deri në fund të marsit. Sipas Borrell-it të dyja palët u zotuan të mos ndërmarrin asnjë masë të njëanshme që mund të çojë në tensione dhe të rrezikojë marrëveshjen. Vuçiqidhe Kurti u sollën me përgjegjshmëri, tha Borrell-i.
Borrell: Marrëveshje për qytetarët e Kosovës dhe të Serbisë
“Kjo marrëveshje u shërben në radhë të parë qytetarëve të Kosovës dhe të Serbisë”, tha Borrell-i. Ndër të tjera ajo parashikon lëvizjen e lirë të njerëzve me pasaporta, karta identiteti dhe me targat e tyre ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ajo mund të hapë mundësi të reja ekonomike dhe investime të mëtejshme në Kosovë dhe Serbi.
Përveç kësaj marrëveshja do të nxisë tregtinë, sepse certifikatat për importe dhe eksporte të cilat kërkoheshin më parë nuk do të jenë më të nevojshme. Marrëveshja parashikon që edhe të drejtat e serbëve në Kosovë duhet të mbrohen më mirë.
Marrëveshje e simetrisë dhe e fqinjësisë së mirë
Kryeministri i Kosovës Kurti tha se marrëveshja vendos plotësisht barazinë e palëve, është marrëveshje e simetrisë, e fqinjësisë së mirë dhe e bashkëpunimit në mënyrë demokratike dhe evropiane.
dw