Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka zgjedhur një batutë për ta përshkruar kryeministrin Isa Mustafa.
“Kryeministri Mustafa nuk arrin ta menaxhojë as ‘Facebook’-un e vet, e lëre më ta menaxhojë Kosovën”, deklaroi ish-kreu i Vetëvendosjes në një intervistë për emisionin “Interaktiv” të KTV-së nga shtëpia e vet, ku po vuan arrestin.
“Mustafa është shumë qesharak, po të mos ishte kaq i dëmshëm. Prandaj unë mendoj që ne nuk duhet ta marrim Mustafën më seriozisht nga sa ai e merr vetveten. Tash, kur ka vdekur ‘Zajednica’, ai po përpiqet ta ringjallë atë, që edhe vetë të ndihet sa më gjallë. Nuk ka më kurrfarë kuptimi që ai të jetë kryeministër i Republikës së Kosovës”, vijoi Kurti.
Në intervistë ligjvënësi opozitar rrëfeu edhe momentet e arrestimit të tij më 28 nëntor, duke thënë se polica e trajtoi si të ishte një terrorist: “Ishte policia atë ditë që kishte mbushur rrugët me policë me uniforma, civilë dhe nuk dalloheshin. Natyrisht në momentin kur je në protestë e kanë të vështirë të arrestojnë dhe isha i ndërgjegjshëm se mund të kishte ndonjë ndërhyrje të policisë. Por nuk e prisja që do të angazhonin forcat anti-terror. Angazhuan një mijë policë dhe ata ishin në ndjekje të një terroristi që nuk ekzistonte. Mësymja e tyre ndaj nesh ishte hakmarrje ndaj protestave të opozitës brenda dhe jashtë Kuvendit. Prandaj i angazhuan forcat anti-terror, por arsyeja tjetër për këtë është se aq shumë është në panik pushteti aktual, saqë synojnë ta ndajnë dhe ta zhdukin opozitën”. (shekulli)